Këtë të Mërkurë, mbylli punimet sesioni parlamentar. Për akademikun Artan Fuga, ai ishte “parlamenti i turpit”.
“Sot ditë e shënuar! Mbylli punimet, theu qafën Kuvendi i turpit”, shprehet Fuga në një reagim në rrjetet sociale.
“Nuk ka logore që e lan turpin në ballin e këtij parlamenti që prodhoi ligjet më të këqija, antidemokratike dhe idiote në botë! Turpi është në ballë edhe te Komisioni i eduktimit, medias arsimit, për ata gjoja opozitarë dhe kooperativistë, infermiere që u marrin të keqen infermiereve, edukatore çerdhesh që u marrin të keqen edukatoreve, në thelb të pashkollë që u bënë vegla të antikulturës, antishkencës dhe mizerjes anti-intelektuale”, shton.
“Historia i nxorri me turp në breg të kënetës! Ik parlamenti i turpit ik! Të shpëtojë Shqipëria nga ty”, përfundon ai.
Përbërja e parlamentit ishte nga deputetë të Partisë Socialiste dhe ata që pranuan mandatet pasi opozita vendosi djegien e tyre. Shumica dërrmuese e deputeteve të rinj u pozicionuan krah qeverisë, madje disa syresh përfunduan edhe në listat e PS në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.