Partia Demokratike, përmes Sekretarit për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata, kërkoi sot arrestimin nga SPAK të Kryebashkiakut Erion Veliaj, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar.
Gjata tha se drejtësia për Teatrin është provë për SPAK, ndërsa theksoi se Kushtetuesja me vendimin e saj, provoi edhe njëherë se Shqipëria ka një shtet të kapur nga korrupsioni, ku ligjet bëhen dhe shkelen për t’u shërbyer interesave të një pakice, në dëm të shumicës së qytetarëve.
“Vendimi dëshmoi se Edi Rama dhe Erjon Veliaj, shkelën Kushtetutën, dhunuan artistët, aktivistët dhe qytetarët, shembën dhunshëm Teatrin Kombëtarë, madje duke përodrur edhe forcat RENEA-n e armatosur deri në dhembë, vetëm për të çuar deri në fund grabitjen e tokës publike, për t’i liruar vendin kullave me të cilat do të pastroheshin paratë e pista të drogës dhe korrupsionit.
Shfuqizimi i ligjit special dhe VKM-së që i kalon pronësinë Bashkisë Tiranë, bën nul dhe antikushtetues çdo veprim të kryer nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet e tjera të përfshira, që duke përfituar nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese, shembën barbarisht Teatrin Kombëtar.
Këto veprime anti-Kushtetuese, që nuk u ndalën përpara kërkesave të artistëve dhe qytetarëve, madje as përballë autoriteteve ndërkombëtare në fushën e trashëgimisë kulturore, si Europa Nostra, që e renditën Teatrin si objektin më të rrezikuar në Europë, përbëjnë provën më flagrante për abuzimin me pushtetin nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj”, tha Gjata.
Sipas tij, autorët e këtij krimi të rëndë kushtetutes dhe ligjor, me pasoja të rënda për interesin publik duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë.
Partia Demokratike i bën përsëri thirrje SPAK të arrestojë sa më parë Erion Veliajn si autorin dhe përgjegjësin direkt për shkatërrimin e një pasurie kombëtare, në kundërshtim me Kushtetuën dhe ligjet e vendit.
“SPAK duhet të marrë gjthashtu nën përgjegjësi penale edhe çdo zyrtar publik të përfshirë në këtë paligjshmëri, duke filluar nga Edi Rama e deri tek çdo punonjës policie që u përfshi në aktin e dhunës për shembjen kriminale dhe antikombëtare të Teatrit.
13 muaj më parë Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në SPAK për 22 zyrtarë mes të cilëve janë Edi Rama dhe Erjon Veliaj. Sot nuk ka asnjë përgjegjës përpara drejtësisë, as për dhunën e ushtruar, as për aktin e paligjshëm të shembjes së Teatrit. Kjo vonesë ngarkon me përgjegjësi SPAK-un para shqiptarëve, sepse vendosja e drejtësisë për Teatrin është një provë e rëndësishme për funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion”, tha Gjata.