Mandati i Qerim Ismailajt, Këlliçi: Celibashi goditi Dekriminalizimin

“Vendimi i Komisionerit Shtetëror të zgjedhjeve për Qerim Ismailajn është shkelje e ligjit që amniston uzurpuesin e Mallakastrës. Ilirjan Celibashi tregoi vullnet mbrapshtë politik për të goditur Dekriminalizimin”, u shpreh sot deputeti Belind Këlliçi në një konferencë për mediat nga selia e PD.

Këlliçi tha se në rastet e Dashamir Tahirit, e Aqif Rakipit dhe Gledion Rahovicës, që kanë rezultuar të dënuar apo hetuar jashtë vendit dhe që nuk e kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit dhe kanë pretenduar se nuk kanë patur djeni për këto fakte, KQZ-ja ka shpallur pavlefshmërinë e mandateve.

“Qerim Ismailaj është subjekt ndalimi i ligjit të dekriminalizimit. Ai përfshihet në shkronjën “ç” të pikës 1, të nenit 2 të ligjit, për shkak se ka kryer një krim dhe është dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.

Për këtë rast ndalimi zgjat nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, deri në momentin e rehabilitimit. Qerim Ismailaj jo vetëm nuk e ka përfunduar dënimin, por e ka fshehur atë dhe vendimi nuk është ekzekutuar sipas ligjit.

LEXO EDHE  Gjendet një granatë dore në rrugë, policia rrethon zonën

Vendimi i Ilirjan Celibashit për të mbajtur në kundërshtim me ligjin një person të dënuar në krye të Bashkisë së Mallakastrës, është tregues i një vullneti të mbrapshtë politik për të goditur ligjin më të rëndësishëm të Republikës tonë, atë të Dekriminalizimit.

Një ligj që erdhi në jetë nga beteja e Partisë Demokratike për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë institucione të pastra nga kriminelët dhe për ta shkëputur politikën me krimin.

Partia Demokratike dënon me forcë shkeljen e ligjit të Dekriminalizimit dhe do ta ankimojë këtë vendim.

Masakra zgjedhore e 25 prillit, ku politika dhe krimi bashkëvepruan për të penguar nëpërmjet çdo paligjshmërie ndryshimin që njerëzit donin, tregoi se ligji i Dekriminalizmit nuk mund të shkelet, por duhet të forcohet dhe më tej për t’iu përgjgijur nevojës ulëritëse që kanë shqiptarët, sidomos të rinjtë, për një politikë të ndarë nga krimi, një politikë që i shërben njerëzve dhe jo krimit”, tha Këlliçi.