Nga BoldNews.al
Prokurori i Tiranës, Ervin Karanxha, kërkon nga kolegët e tij të SPAK të nisë hetimin për Drejtorin e Përgjithshëm të “Top Channel”, Ben Blushi dhe anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Valbona Sanxhaktari, për veprat penale të “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Ushtrim ndikimi të paligjshëm” dhe “Shpërdorim detyre”.
Prokurori Karanxha deklaron se Ben Blushi e ka vënë nën presion dhe shantazhuar për qëllime të përfitimeve personale dhe se këtë e ka kryer në bashkëpunim me komisioneren e Vetingut.
“Po ju drejtohem me këtë kallëzim– shkruan Karanaxha për prokurorët e SPAK-ut- për t`ju vënë në dijeni se nga media televizive “TOP CHANNEL” po ushtrohet presion në mënyrë të vazhdueshme, të përditshme ndaj meje”.
Sipas tij, ky televizion ka filluar të transmetojë që nga data 30.03.2021 e në vijim lajme në edicione lajmesh dhe një puntatë të emisionit “Top Story”, me “informacione të pavërteta dhe me qëllim denigrimin e figurës së prokurorit dhe gjyqtarit për shkak të ushtrimit të detyrës”.
Karanaxha identifikon të paktën dy raste, për të cilat ai deklaron se gjendet nën presionin e drejtorit të Top “Channel”.
Rasti i parë, lidhet me qëndrimin që ai ka mbajtur si prokuror për çështjen e hetimit të drejtuesit të opozitës, Lulzim Basha.
Ndërsa, si shkak të dytë, Karanaxha specifikon faktin se motra e tij, Anila Karanaxha, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, ka dhënë vendimin civil Nr.655, datë 05.02.2021, i cili ka rrëzuar pretendimet në padi të ortakëve të shoqërisë “Top Channel”, sha.
Prokurori i Tiranës informon kolegët e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion se ka drejtuar një ankesë pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) në 15 Prill 2021, i cili ende nuk ka publikuar asnjë reagim dhe nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete për mbrojtjen e integritetit të tij personal dhe profesional.
Për më tepër, mos-reagimi i KLP-së ka nxitur televizionin Top Channel që të vijojë kronikat denigruese ndaj tij, siç thuhet në kallëzimin e Ervin Karanxhës.
“Televizioni “ Top Channel”, me administrator ish-deputetin Ben Blushi, po vijon të ushtrojë presion e konkretisht në datat 17.06.2021, 23.06.221, përsëri me kronika lajmesh kundër prokurorit, të titulluar; “Ervin Karanxha pret shkarkimin” dhe “Vettingu pritet t`a rrëzojë”.
Këto sulme, sipas Karanxhës vijnë në një moment që ai është në procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve dhe kronikat negative, të cilat gjithësesi janë pa fakte, ndikojnë drejtëpërdrejtë në opinionin publik mbi figurën e prokurorit.
Në kallëzimin e tij, Karanxha informon prokurorët e SPAK-ut se, nëpërmjet metodës së lajmeve shantazhuese, Ben Blushi dhe Top Channel “ndikojnë direkt, në formë presioni, në shqyrtimin e çështjeve” që televizioni dhe drejtori i saj kanë në shqyrtim në sistemin e drejtësisë, pasi, në të kundërt, gjyqtarët dhe prokurorët do të gjenden nën të njëjtin sulm mediatik si në rastin e tij.
Për Karanxhën, “ky shtetas (Ben Blushi), në çështje konkrete, ushtron dhunë mbi sistemin gjyqësor”.
Për këto arsye, ai vlerëson se Ben Blushi gjendet në kushtet e kryerjes së veprës penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
Roli i komisioneres Sanxhaktari
Për të arritur qëllimin e tij kundër prokurorit Karanxha, siç deklaron ky i fundit në kallëzim, Ben Blushi ka shfrytëzuar informacione të siguruara nga komisionerja e Vetingut, Valbona Sanxhaktari, e cila është pjesë e trupës që po kryen procesin e rivlerësimit të tij.
Ai identifikon së pari një rast tejet domethënës.
“Televizoni TCH ka transmetuar në datën 30.03.2020, një kronikë, në bazë të të cilës raportohej se Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILKPDI) ka nxjerrë me probleme subjektin Ervin Karaxha. Në kohën e publikimit të kësaj kronike, unë, si subjekt, nuk kisha asnjë dijeni për këtë raport. Pra, duket qartë se Ben Blushi dhe televizioni informohen nga brenda radhëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, shkruan Karanxha në kallëzim.
Më tej ai tregon se ka rënë në dijeni të faktit se një prej komisionereve që po kryen rivlerësimin e tij, Valbona Sanxhaktari, ka lidhje të ngushta shoqërore e miqësore me Ben Blushin.
Karanxha rendit disa fakte të raportit Blushi-Sanxhaktari.
“Komisionerja Valbona Sanxhaktari dhe Z.Ben Blushi kanë njohje që në vitet 2000. Nga CV- ja e publikuar në faqen zyrtare të KPK, rezulton se kjo komisionere ka filluar punë në Ministrinë e Arsimit në muajin Tetor të vitit 2001”, shkruan prokurori Karanxha.
Pra, sipas tij, “rezulton e qartë se Drejtori i Përgjithshëm i “Top Channel” i sotëm, ka marrë në punë komisioneren Valbona Sanxhaktari në vitin 2001, kur ishte në krye të Ministrisë së Arsimit”.
Po ashtu, kallëzuesi Karanxha ka siguruar të dhëna, në bazë të të cilave provohet se Valbona Sanxhaktari ka përdorur për udhëtime personale automjetin e një prej drejtuesve të lartë të kompanisë “Digitalb”, me aksionerë kryesorë pronarët e Top Channel.
Karanxha u ka vënë në dispozicion prokurorëve të SPAK edhe targën e automjetit, si edhe kohën e udhëtimeve jashtë Shqipërisë të Sanxhaktarit me këtë makinë.
Në vijim, Karanxha shkruan se Valbona Sanxhaktari jeton në godinën ‘Ambasador 3”, pranë stadiumit “Air Albania”, të cilin “e ka blerë 180 mijë euro, vetëm me pagën si juriste e thjeshtë administrate.
“Në këtë godinë jeton edhe drejtori i Top Channel, Ben Blushi dhe të dy bashkë janë parë në shoqërinë e njëri-tjetrit në lokalet pranë stadiumit, në një kohë që televizioni transmetonte kronikat e lajmeve për personin tim”, shkruan më tej prokurori Karanxha.
Pasi pasqyron në mënyrë të detajuar të dhënat e siguruara deri më tani, prokurori Karanxha kërkon nga SPAK që të provojë përfundimisht se dyshja Blushi-Sanxhaktari bashkëpunojnë me qëllim denigrimin e tij.
“Pra në kushtet që subjekti i rivlerësimit, Ervin Karanxha, ka mbi 3 muaj që sulmohet nga media televizive Top Channel dhe një nga anëtaret e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Znj.Valbona Sanxhaktari ka lidhje miqësore me Drejtorin e Përgjithshëm të Top Channel Z. Ben Blushi, duke u takuar edhe gjatë periudhës që ky televizion në kronika lajmesh që godasin prokurorin, kam dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova se Znj. Sanxhaktari është personi që ka nxjerrë të dhëna konfidenciale të procesit të “Vettingut”, duke kryer vepren penale të “Shpërdorimit të detyrës”, mbyll kallëzimin prokurori i Tiranës.