Dritan Hila, ish-zv.ministër në Qeverinë Rama, më pas një nga analistitët në krah të Rilindjes dhe Kryeministrit, ka reaguar lidhur me masakrën e ndodhur në Velipojë ku 4 persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën si pasojë e një konflikti me armë zjarri.
Hila, përmes një postimi në rrjet, ka nxituar të trajtojë atë që po konsiderohet si masakra e Velipojës, si një ngjarje që mund të zgjidhej fare mirë nga një punonjës i Bashkisë së Shkodrës. Përtej pozicionit të analistit, që shfaqet sa herë që Rama apo Qeveria e tij janë në hall, Hila me postimin e tij tregon se nuk kupton, as se çfarë ka ndodhur dhe as pse ka ndodhur. Thjesht ai e trajton si një ngjarje banale, duke e lidhur me mentalitetin e individëve të përfshirë në konflikt që i trajton si të fortë.
Në fakt problemi që ka nisur konflikti mes dy familjeve, Ferracaku dhe Gocaj, për vendosjen e shezlongjeve është në dukje banal, por shkaku është te fakti se institucionet përgjegjëse nuk kanë vepruar, për të zbatuar ligjin, që mund të shmangte përplasjen me armë.
Territori në zonat bregdetare, pikërisht aty ku vendosen edhe shezlongjet, përcaktohet nga Ministria e Turizmit, nën varësinë e Edi Ramës, si dhe nga Agjensia Kombëtare e Bregdetit, po nën varësinë e Edi Ramës. Nëse këto dy institucione do të kishin bërë ndarjen e hapësirës për subjektet që u përfshinë në konflikt, atëherë edhe kjo masakra e orëve të para të mëngjesit mund të shmangej.
Dhe pyetja që mund të shtrohet është pse dy institucionet nën varësinë e Edi Ramës, kur sezoni turistik ka pothuajse 1 muaj që ka nisur, nuk kanë bërë detyrën, pra ndarjen e asaj hapësirës ku vendosen shezlongjet, duke ia lënë në dorë individëve?
Por Hila nuk mendon kështu, pasi e shikon zgjidhjen e problemit te Bashkia që drejtohet nga Voltana Ademi. Kjo e fundit meqë është një Kryebashkiake e opozitës, në sytë e analistit të Ramës, duhet të mbajë përgjegjësi. Nëse Ademi nuk do të ishte Kryebashkiake, dhe në vend të saj do të ishte një Rilindas, me siguri Hila nuk do të shkruante, ose edhe mund të reagonte por do e kishte të vështirë të gjente një përgjegjës, të jepte një mendim, ose do të shfaqej më qesharak. Në fakt Hila e gjen gjithmonë një përgjigje: “fajin e ka Saliu”, dhe meqë Ademi është kryebashkiake, i shton edhe frazën “jo vetëm Saliu, por edhe Voltana”.
Postimi nga Dritan Hila
Kater te vrare ne Shkoder per zhezllone plazhi.
Ne çdo vend te botes normale, kjo histori zgjidhej nga punonjesi i bashkise. I bashkise se Voltanes dmth, e cila po i reziston lavdishem komunistave te Tiranes. Nejse.
Tek fqinjet tane, pronaret, e shumta, mund te shkembenin ca fjale ku me e madhja do ishte “malaka” apo “stronzzo”.
Ne Shqiperi eshte çeshtje mentaliteti mafioz, pasi nese njeri terhiqej, do cilesohej i dobet dhe te nesermen do ti merreshin edhe ca metra te tjere. Kjo me kujton nje ngjarje:
Ne vitin 1911 konsujt perendimore te akredituar ne Stamboll, sillen ne Shqiperi qe te njihnin vendin. Porta e Larte po pergatiste terrenin per pavaresine.
Konsullja gjermane, nje fisnike nga ato me fillesen e mbiemrit Von, kur kthehet ben nje raport ne te cilin shkruan:
“Jane njerez te eger. Propozoj qe te mbahen si rezervat per turistet ku ne çdo fillim sezoni t’ju japim arme qe te vriten me njeritjetrin dhe vizitoret te shikojne spektakel, ndersa ne fund te sezonit ti mbledhim armet me menyre qe te kene mundesi te shumohen per shfaqjet e ardhshme.”
Na paska njohur mire
Dhe ka akoma njerez qe mendojne se fajin nuk e ka monstra, Saliu, dhe armet e ‘97-es