Prokurori Abaz Muça përballet me Vettingun, çfarë ndodhi në seancë

Prokurori Abaz Muça u përball të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u njoh me rezultatet e hetimit administrativ për të tri kriteret e rivlerësimit. Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për prokurorin Muça kryesohet nga Etleda Çiftja, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Lulzim Hamitajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Abaz Muça e ka nisur karrierën si oficer i policisë gjyqësore dhe në vitin 2008, ai është promovuar si prokuror në Prokurorinë e Matit. Prej vitit 2020, Muça ushtron funksionin e drejtuesit të Prokurorisë së Matit si i komanduar, si dhe ka kandiduar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një mandate të plotë në këtë pozicion.

Relatorja Bekteshi nuk evidentoi probleme për kriterin e pasurisë dhe të pastërtisë së figurës për prokurorin Muça. Gjithashtu e relatura raport pozitiv i Prokurorisë së Përgjithshme për kriterin e profesionalizmit.

Ndërkohë, Komisioni konstatoi se ndaj Muçajt janë kryer katër kallëzime penale për “shpërdorim detyre”.

Bekteshi sqaroi se për tre nga katër kallëzimet është vendosur mosfillimi dhe një është pushuar. Sipas relatores, Prokuroria e Përgjithshme ka arkivuar më parë dy ankesa pasi nuk ka gjetur indicie për procedim disiplinor. Ajo shtoi se nga verifikimet e kryera ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit ka kërkuar deklarimin fajtor të këtyre denoncuesve.

Bekteshi pohoi se subjektit i janë kërkuar shpjegime për dy prej 11 denoncimeve të kryera nga publiku, pasi në 9 prej tyre nuk janë gjetur indicie.

Një prej denoncuesve, A.Ç. ka pretenduar se subjekti ka vendosur pa të drejtë mosfillimin e hetimit për një kallëzim penal të kryer prej tij për ndërtim të paligjshëm nga një kompani koncesionare që po ndërton katër hidrocentrale në territorin e Bashkisë Klos.

“Duket se subjekti nuk ka kryer veprime hetimore dhe gjykata e ka prishur vendimin duke urdhëruar kryerjen e hetimeve”, pohoi Bekteshi. Ajo shtoi se subjekti ka depozituar dokumentacion për tre procedime të nisura ndaj denoncuesit për falsifikim dhe se ka dhënë shpjegime për rrethanat e faktit dhe të çështjes.

LEXO EDHE  Katër aksidentet më fatale në 20 vitet e fundit me autobusë për kosovarët

Pasi falënderoi Komisionin për hetimin administrativ të kryer për rivlerësimin e tij, prokurori Muça dha shpjegime për dy denoncimet e publikut.

Lidhur me denoncimin e A.Ç., Muça shpjegoi se bëhej fjalë për ndërtimin e hidrocentraleve Dars 1; Dars 2; Dars 3 dhe Dars 4 në territorin e Bashkisë Klos. Muça deklaroi se shoqëria koncesionare ishte e pajisur me vendim qeverie për veprimtarinë që ushtronte dhe me leje ndërtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit. “Ka rezultuar se shoqëria kishte dokumentacion të plotë ligjor”, tha Muça.

Ai vijoi se, A. Ç. ishte banor i Tiranës në vitin 1991 kur ka përfituar tokë bujqësore me sipërfaqe 45 mijë m2 në Bashkinë Klos, nga ligji “Për Tokën”. “Është një çështje që po hetohet nga SPAK”, sqaroi ai.

Subjekti deklaroi se e kishte ankimuar vendimin e gjykatës për kryerjen e hetimeve dhe nëse Apeli do ta gjende të drejtë, atëherë do t’i kryente hetimet e urdhëruara.

I pyetur nga relatorja Bekteshi se përse kishte orientuar palën kallëzuese t’i drejtohej gjykatës me kërkesë-padi civile, Muça shpjegoi se bëhej fjalë për vendosjen e dy shtyllave të tensionit të lartë që sipas tij kishin interes publik. Sipas subjektit, për këtë arsye pala paditëse është orientuar të kërkonte kompensim në gjykatë. Ai shtoi se mosfillimi i hetimit ishte vendosur edhe për faktin se kishte pasur leje nga KKT.

Për denoncimin e shtetases N.C., Muça shpjegoi se nga hetimi ishte konkluduar pretendimi i saj për falsifikimin e dokumenteve, por për shkak se vepra penale ishte kryer në vitin 1991, ishte parashkruar dhe ishte vendosur pushimi i çështjes.

Në përfundim, prokurori Abaz Muça deklaroi se kishte përballuar ngarkesë të lartë në punë pasi ishte prokurori i vetëm i Matit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet të mërkurën më 23 qershor, ora 09:45. /BIRN/