Një punonjës i bashkisë së Tiranës është arrestuar si pjesë e një grupi trafikantësh të kokainës nga Shqipëria në Zvicër e Gjermani. Rrjeti është goditur së fundi me arrrestimin e tetë personave dhe shpalljen në kërkim të tre të tjerëve.
Krerët e e grupit janë 2 shqiptarë, njëri prej tyre punonjësi i Bashkisë së Tiranës, zjarrëfikësi Ndriçim Harka. Deri më tani jane kapur 3 kg kokainë, ndërsa për një transport organizatorët e aktivitetit kriminal ofronin pagesa deri në 3500 euro. Harka akuzohet se ka drejtuar trafikun e kokainës me destinacion Zvicrën.
Por si u ra në gjurmët e “Çimit të Rizait”?
Ora News ka siguruar dokumentin e prokurorit Bledar Valikaj i cili firmosi urdhër ndalimin e zjarrfikësit, punonjës së bashkisë së Tiranës Ndriçim Harka pas një hetimi disa vjeçar.
Ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë, duke vepruar në mënyrë të fshehtë ka ngritur një skemë të mirëfilltë dhe mirëfunksionuese në formën e degëve të një peme të trafikut të lëndëve narkotike, droga të forta të llojit kokainë dhe heroinë, duke përdorur dhe paguar persona të tjerë, si shtetas shqiptarë ashtu edhe të huaj, ndërkohë që vetë si persona organizatorë të këtij trafiku qëndronin në hije duke i shpëtuar kështu goditjeve nga organet ligjzbatuese”thuhet në dokumentin e urdhërndalimit të firmosur nga prokurori Bledar Valikaj dhe mban datën 21 qershor 2021
Kokaina për Tony
Fillesat e hetimit nisin në 2015. Më 7 janar 2015 kishte nisur hetim në kantonin Valisi Zvicër, ndaj Florian Moko për trafik kokaine.
Në fund të muajit prill përgjimet telefonike zbuluan se Moko do të siguronte një ngarkesë të madhe kokaine në mbështetje të një shtetasi shqiptar të quajtur “Tony” i cili sapo kishte mbërritur në Zvicër.
Më 5 maj 2015 në makinën që drejtohej nga një shtetas gjerman u sekuestruan 3 kg kokainë, e paketuar në tre pako 1 kg, me pastërti 20% . Së bashku me shtetasin gjerman Michael Schmiedel, u arretua dhe “Tony” Elton Meta, të cilët po dilnin së bashku nga një kafe e po shkonin të merrnin kokainën në makinë. Më pas u ndalua dhe Ilir Shella, personi i cili do të merrte drogën dhe do ta ruante në banesë për tia transportuar më pas Florian Mokos. Kur iu kontrollua banesa Florianit i gjetën 500 gr kokainë dhe një shumë prej 15 mijë frangash të fshehura në divan.
Si u rekrutua shoferi gjerman
Në dosje është dhënë dhe dëshmia e shtetasit gjerman Michael Schmiedel, i cili ishte shoferi i makinës ku u sekuestruan 3 kg kokainë. Ai ka pranuar në polici se ishte rekrutuar në 2014 në një diskotekë të Gjermanisë. Personat i kishin propozuar se do fitonte 1 mijë euro nga transporti midis Gjermanisë e Zvicrës.
Dy muaj më vonë në korrik apo në gusht Schmiedel mori një sms ku e udhëzonte që të merrte një shtetas në Berlin dhe ta çonte me makinë në Frankfurt. Kur mbërriti në atë qytet Schmiedel la makinën e tij tek një i panjohur dhe pas disa orësh e mori dhe u kthye.
“Ai thotë se ka vepruar 6 herë në këtë mënyrë duke menduar se transportonte para dhe jo drogë. Më 5 maj 2015 kur dhe u arrestua ishte takuar me Elton Meta në një kafe, në Monthey/ Zvicër” thuhet në dokumentin e urdhërndalimit.
“Tony” shqiptar zbuloi skemën
Para hetuesve zviceranë Tony ka pranuar se ka marrë pjesë në trafikun e kokainës dhe se sipas tij një shqiptar i quajtur “Qimi” ose “Gimi” organizonte trafikun e kokainës nga Shqipëria.
“ Në Shqipëri Gimi punon me dy persona me origjinë shqiptare të cilët janë në nivel më të lartë se Gimi. Iliri ( Ilia Shella dhe Gimi) janë miq prej kohësh, kanë punuar bashkë në Greqi. Ai punonte në emër të dy shtetasve të tjerë shqiptarë që banojnë në Tiranë” mësohet të ketë dëshmuar Tony.
Si do dorëzohej kokaina për 3500 euro
Gjatë dëshmisë Elton Meta ka treguar se personi që e identifikonte si Shkëlqim Haka, (Gimi) 40 vjeç I kishte premtuar 3500 euro për të marrë kokainën për tia dorëzuar Ilir Shella. Ky i fundit do tia jepte shtetasit Florian Moko përgjegjës për ta shpërndarë në Zvicër.
Ai është takuar me shtetasin gjerman në një kafe, dhe në momentin kur po merrte kokainën nga makina e gjermanit ka ndërhyrë policia.
“Gimi” ose “Qimi”
Hetuesit zviceranë zbuluan se “Gimi” Ose “Qimi” ka koordinuar veprimet e shtetasve të lartëpërmendur për trafikimin e lëndës narkotike të kokainës nga Shqipëria për në Zvicër” thuhet në dokumentin e prokurorisë.
Kështu më 21 maj 2015 Prokuroria e kantonit Valias Zvicër regjistroi procedimin penal ndaj Gimit me qëllim identifikimin e rolit të tij në këtë trafik kokaine mes Zvicrës e Shqipërisë. Për këtë arsye u bë dhe kërkesa për regjistrim të procedimit penal në Shqipëri me qëllim hetim paralel të këtyre shtetasve në Shqipëri.
Autoritetet zvicerane kërkuan identifikimin e numrave telefonikë shqiptarë dhe rezultoi se ato I përkisnin akuzohen Etmond Merja e Ndriçim Harka.
Hetimi në Shqipëri
Më 6 qershor 2016 në prokurorinë e Tiranës u regjistrua procedimi penal për veprën penale trafik i lëndëve narkotike i kryer në bashkëpunim.Ky procedim u regjistrua pas kërkesës për ndihmë juridike nga autoritetet zvicerane, si një hetim paralalel për fakte kriminale ku ishin përfshirë shtetas shqiptarë me vendbanim në Shqipëri.
Kurthi
Nga kompanitë telefonike u kërkua identifikimi i dy numrave telefonikë të cilët më pas rezultuan se njëri i përkiste Ndriçim Harka e tjetri Etmond Merja, kunati i tij.
Më pas është kërkuar verifikimi i numrave në sistemin elektronik të policisë së shtetit.
Ka rezultuar se Harka kur ka aplikuar për kartë identiteti ka dhënë numrin që ishte në përgjim dhe ishte identifikuar nga autoritete zvicerane. Karta e identitetit i është dhënë më 25 shkurt 2021.
Ndërkohë Etmond Merja rezulton të ketë dalë nga territori shqiptar prej 9 gusht 2018 nga Kapshtica dhe qëndron në Selanik të Greqisë.
Qimi apo Ndriçimi?
Shqiptari Elton Meta i arrestuar në Zvicër për trafikun e drogës ka përmendur emrin Shkëlqim Haka, por prokuroria ka dorëzuar prova që vërtetojnë se personi në fjalë është Ndriçim Harka. Këtë e konfirmon dhe nga fakti se në aplikacionin Truecaller” , ai quhej “Çimi i Rizait” që përkonte me emrin e të atit.
Si përfundim mbështetur në sa parashtruam më sipër, ekzistojnë dyshime të forta të mbështetura në prova se Ndriçim Riza Harka, është personi i etiketuar prej hetimeve të kryera nga autoritetet zviceriane si “Gimi” ose “Qimi”, dhe është përgjegjës opër organizimin e të lëndës narkotike, të llojit kokainë nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera për në Zvicër” thuhet në dokumentin e urdhërndalimit të firmosur nga prokurori Bledar Valikaj dhe mban datën 21 qershor 2021.