Seanca në KPK, gjyqtarja e Tiranës përballet me pyetje për të ardhurat e prindërve

Gjyqtarja Irena Plaku pas seancës dëgjimore në KPK

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Irena Plaku u përball të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me barrë prove mbi burimin e ligjshëm të të ardhurave të familjes së prindërve, të cilave u kishte marrë 15 mijë euro hua për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Mungesa në dukje e burimeve në familjen e prindërve e nxirrte gjyqtaren me një diferencë negative prej 1.3 milion lekësh në analizën financiare përfundimtare. Plaku e cilësoi hetimin e KPK korrekt dhe objektiv, por theksoi se kishte paraqitur sqarime të plota dhe dokumente shtesë për të ardhurat e familjes –që sipas saj dëshmonin ligjshmërinë e burimeve të tyre.

Relatorja Alma Faskaj, pjesë e trupës me kryesuese Genta Tafa (Bungo) dhe anëtar Lulzim Hamitaj, vuri në dukje disa gjetje në kriterin e profesionalizmit , dy vonesa 1 dhe 3 ditore në depozitimin e një vendimi, një vonesë katër muaj në një çështje dhe gjykimin jashtë afateve të një kërkese për urdhër të menjëhershëm mbrojtje.

Plaku pretendoi se i kishte sqaruar problemet e gjetura në mënyë të detajuar dhe u fokusua te çështja për urdhër mbrojtje. Ajo shpjegoi se kishte provuar që kërkesa nga policia nuk kishte qenë për urdhër të menjëhershëm dhe se ajo kishte bërë përpjekje për ta përfunduar dosjen në kohë.

Ngritja prej KPK-së e vonesave në gjykim apo vonesave në procedura prej gjyqtarëve tingëllon së fundmi ironike, pasi trupa të ndryshme brenda Komisionit janë gjetur me vonesa disa mujore në zbardhjen e vendimeve. Komisioni pretendon se afati 1-mujor i zbardhjes së vendimeve nuk është i detyrueshëm, por nuk i ka kursyer vërejtjet publike për gjyqtarët me shkelje të ngjashme.

Irena Plaku përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe u emërua si gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Prej vitit 2015, Plaku e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.

Gjetjet e pasurisë

Gjatë relatimit në KPK në lidhje me kriterin e pasurisë, relatorja Faskaj vuri në dukje se problemet e gjetura ishin disa mosdeklarime në deklaratat periodike, por që ishin deklaruar nga bashkëshorti dhe dyshimet se vetë subjektit dhe prindërve të saj u mungonin burimet e ligjshme për një shumë që në total ishte 1.3 milion lekë.

Sipas relatimit, problemi kryesor kishte të bënte me mungesën e të ardhurave të prindërve për të dhënë një hua 15 mijë euro në vitin 2015 për pagesën e një kësti për apartamentin e Plakut dhe bashkëshortit.

Faskaj tha se prindërve të subjektit u mungonin rreth 4 mijë euro për të justifikuar shumën e dhënë hua.

Plaku nuk dha sqarime të detajuara për këtë pjesë të relatimit. Ajo e cilësoi hetimin të plotë dhe tha se shpjegimet me shkrimin ishin të plota, duke sqaruar se familja kishte pasur burimet dhe se ajo kishte sjellë prova për të ardhurat.

LEXO EDHE  Në emër të betonit

Siç u kuptua në seancë, Plakut nuk i ishin njohur të ardhurat e fituara nga prindërit në bujqësi. Familja kishte disa dynym ullishta në Pajovë të Peqinit dhe kishte sjellë dokumente prej bashkisë së Peqinit se kishte realizuar të ardhura neto prej 7 milionë lekësh nga viti 2006-2015.

Njësoj, KPK cilësoi se kishte gjetur mungesë burimesh në të ardhurat dhe kursimet e gjyqtares dhe bashkëshortit për të paktën dy vite. Në një vit, mungesa ishte rreth 90 mijë lekë dhe në një vit tjetër rreth 340 mijë lekë.

Të gjitha mungesat kanë lidhje sipas relatimit me blerje e një apartamenti në vitin 2015, finalizuar vetëm së fundmi për rreth 60 mijë euro. KPK vuri në dukje se gjyqtarja dhe i shoqi kishin jetuar në një pjesë të madhe të kohës me qira në Pogradec dhe se adresat dhe banesat në përdorim ishin deklaruar saktë.

Gjetjet në profesionalizmit

Faskaj relatoi se nuk kishte gjetur probleme të figurës dhe se raporti i DSIK-së ishte pozitiv. Dy kallëzime në të cilat përmendej emri i gjyqtares ishin pushuar apo ishte vendosur mosfillimi.

Ndërkohë, relatorja tha se një denoncim ndaj gjyqtares ishte trajtuar më pas në kriterin e profesionalizmit.

Nga hetimi ishin gjetur dy raste vonesash në depozitimin e vendimeve nga gjyqtarja që shkonin nga 1 deri 3 ditë. Ndërkohë në një rast u vu në dukje se një çështje ishte përfunduar për 10 muaj, ndërsa afati ishte 6 mujor.

Plaku nuk replikoi në seancë dëgjimore ndaj këtyre gjetjeve. Ajo vuri në dukje se kishte dhënë shpjegime të detajuara me shkrim.

Ndërkohë, ajo dha shpjegime për një çështje që sipas Faskajt kishte të bënte me një “urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje”.  Faskaj tha se çështja ishte trajtuar prej gjyqtares si kërkesë “për urdhër mbrojtjeje” dhe se ajo kishte shkelur afatin 48 orësh për nxjerrjen e urdhrit të mbrojtjes.

Faskaj vuri në dukje se në çështje ishin pjesëtarë të të njëjtës familje që kishin bërë kërkesë kundër njëra- tjetrës. Relatorja tha se arsyetimet dhe dokumentet për këtë çështje prej Plakut kishin ardhur fillimisht jo në formën e kërkuar nga ligji.

Plaku u përgjigj se çështja në fjalë ishte e komplikuar. Ajo vuri në dukje se nga policia s’kishte pasur kërkesë për “urdhër të menjëhershëm mbrojtje”, por për urdhër mbrojtje dhe se ajo ishte përpjekur të mbyllte çështjen në një kohë të shpejtë, duke shpjeguar edhe vendimin e saj për bashkimin e dy denoncimeve në një dosje të vetme, në mënyrë që gjykata të mos dilte me dy vendime të ndryshme.

Plaku tha se kishte dhënë gjithmonë drejtësi dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

/Reporter.al/