Zbardhet debati i plotë/ Ja çfarë ndodhi brenda kryesisë së PD

Zbardhet debati i ditës e djeshme në Kryesinë e PD që mbajti mbledhjen e parë pas rizgjedhjes së Lulzim Bashës si kryetar për herë të tretë.

Gjatë mbledhjes ka pasur debat për zgjedhjet e 25 prillit dhe analizën që do të kryejë PD në muajt në vazhdim. Kreu i PD, Lulzim Basha ka treguar një rast në Durrës me një deputet të PD.

Lideri i demokratëve thotë se deputeti i PS është përgjuar nga Prokuroria duke komunikuar me një grup kriminelësh. Sipas tij, situata e deputetit është e ngjashme me dosjen 339.

”Ne kemi bërë shumë ankimime në SPAK dhe deri tani nuk na kanë kthyer përgjigje. Por unë kam mësuar se një deputet i PS-së në qarkun e Durrësit është përgjuar nga prokuroria duke komunikuar me një grup kriminelësh në Durrës. Është situatë e ngjashme me dosjen e 339.”- tha Basha.

Ndërkohë Fatbardh Kadilli ka pasur ankesa dhe kërkesa gjatë mbledhjes duke kërkuar që manifesti i tij politik të përfshihet në analizë.

Basha i bëri me dije se nuk e ka lexuar manifestin për të cilin flet Kadilli, por i bëri të qartë se ai humbi më 13 qershor dhe nuk mund të bëjë dot këtë pretendim.

DEBATI NË KRYESINË E PD

Albana Vokshi: Për procedurë, në mbledhjen e kaluar ka ndodhur një turp. Dikush ka regjistruar me audio diskutimet në kryesi dhe i ka shpërndarë për media. Dikush na ka përgjuar me audio në mbledhje. Është e papranueshme. S’mund të vendosen audio. Nuk duhet të bëhen fshehtazi. Ne nuk është se kemi frikë nga ato që diskutojmë, por duhet të jemi korrektë. Nëse zyra e shtypit e gjykon se mbledhja duhet të regjistrohet, le ta bëjnë, por nuk është normale që të jetë mbledhje me dyer të mbyllura dhe nga këtu të dalin audio.

Jorida Tabaku: Nuk është problem që diskutimet dalin, problemi është që ndryshohen e deformohen. Ndoshta duhet që zyra e shtypit të nisë një informacion se çfarë diskutoi secili dhe është më korrekte sesa të dalin të deformuara.

Enno Bozdo: Edhe unë jam dakord që nuk duhet të dalin audio nga mbledhja e kryesisë në një kohë që mbledhja caktohet me dyer të mbyllura.

Lulzim Basha: Këto nuk janë gjëra për t’u diskutuar në mbledhjen e kryesisë. Nuk mund të bëhemi këtu si në shkollë që t’ju mbledhim celularët e t’i vendosim diku dhe më pas t’i merrni mbrapsht kur të mbarojë mbledhja e kryesisë. Ju këtu jeni njerëz politikë dhe i gjykoni vetë se çfarë duhet të flisni e si duhet t’i flisni. Ndaj ta mbyllim këtu këtë diskutim.

Gazment Bardhi lexon udhëzimin për analizën e rezultatit të zgjedhjeve

Lulzim Basha: Eshte e domosdoshme qe te gjithë ne, nga Kryesia te Këshilli Kombetar, te lexojmë qarte ate qe ishte vullneti i demokratëve. Ata e dine me mire se ne se çfare ka ndodhur më 25 prill, ata e dine me mire se ne se sa e veshtire eshte perballja me regjimin, ndaj çdo hap qe do te bejme deri ne perfundimin e analizes dhe mbledhjen e Kuvendit Kombetar duhet te kemi parasysh qe demokratet na kerkuan vazhdimin e betejes. Dhe per te arritur kete, detyra jone eshte te pergatitemi me te gjitha format dhe mjetet per kete perballje. Nje perballje qe kerkon qe Partia Demokratike te jete e gatshme per ta kryer detyren e saj ndaj regjimit nje ore e me pare, sepse Shqiperia, shqiptaret dhe demokratet nuk mund te presin deri ne 2025-ën.

Jorida Tabaku: Së pari, ne duhet të ndërtojmë një proces analize që të përfshijë drejtuesit politikë, sepse ato kanë qenë të përfshirë dhe e dinë problematikën, ku ceduan strukturat, çfarë ndodhi në terren pse nuk u arritën objektivat, dhe faktorët e brendshëm, por kjo nuk është e mjaftueshme. Kjo duhet të jetë një fazë e parë. E nevojshme është të vlerësohet dhe puna e drejtuesve politikë dhe këtë nuk e bëjmë dot ne. Përveç të dhënave sasiore, të cilat janë rezultatet, ka nevojë për të dhëna cilësore, të cilat do të vijnë nga koordinatorët e terrenit: informacion për punën tonë, lidhjen me strukturat, si funksionoi me aleatët dhe kjo mund të jetë një fazë e dytë.

Enno Bozdo: Është hera e parë që të ndodhë që analiza të bëhet nga vetë personat që kanë qenë vetë të ngarkuar për të arritur objektivat. Më herët ky proces është bërë nga persona të tretë, të cilët nuk kanë konflikt interesi. Drejtuesi politik nuk mund të bëjë analizë për punën e tij në zgjedhjet e 25 prillit. Duhet të caktohen koordinatorët për të bërë analizën ashtu siç ka ndodhur edhe më parë.

Jorida Tabaku: Ashtu siç e shikoj unë dhe nga komentet në zonë, një problematikë e kaluar ka qenë ndryshimi i figurave politike të cilat në çdo tre muaj për një analizë a proces ndryshoheshin. Ne duhet të krijojmë lidhje me njerëzit, qytetarët, strukturat dhe nuk duhet të ndryshohen deputetët. Njerëzit duhet të mbajnë përgjegjësi dhe kjo përgjegjësi vjen si nga kryesia e partisë e deri te secili prej nesh! Mendoj që duhet të kemi një proces që duhet të na ndihmojë për të ardhmen, por dhe jep shpresë.

LEXO EDHE  Zgjedhjet e 25 prillit, OSBE-ODIHR publikon raportin përfundimtar: Partia në pushtet kishte avantazh

Grida Duma: Në politikë dhe në parti vlen autoriteti dhe dhënia përgjegjësi. Eksperienca në zonat që kanë punuar duhet ruajtur dhe vetëm qëndrueshmëria dhe njohja e thellë e terrenit na siguron të njohim problematikën deri në çdo detaj. Tashmë analiza jonë duhet të bazohet në eksperiencën dhe në njohjen e detajuar të çdo kontributi të demokratëve dhe çdo vështirësie konkretisht. Ata që kanë punuar në zona të caktuara duhet t’u njihet eksperienca dhe pas kësaj u kërkohet përgjegjësia e vendimmarrjes.

Fatbardh Kadilli: Po ju e keni ndarë mendjen që 25 prilli është masakër elektorale, pse duhet që të bëhet analiza?

Lulzim Basha: Atëherë në pikën dy të udhëzimit të shtohet që në raportin që do të bëjë çdo qark apo grupseksion të përmenden emrat e të gjithë personave/kriminelëve që kanë ndikuar në çdo zonë për të deformuar vullnetin e njerëzve. Muajt ne vijim do te jene te vrullshem, sepse e tille eshte beteja qe na pret. Ndaj detyra ime eshte qe ne pergjigje te kesaj mbeshtetjeje shoqerore qe morem, pa asnje pushtet, te jemi edhe me te hapur, edhe me prane shoqerise, t’i shtrijme doren e bashkepunimit shoqerise dhe t’iu them ejani ta ndryshojme bashke kete realitet, ejani ta rrezojme bashke kete regjim armik te demokracise, ejani ne PD dhe ta ndertojme bashke nje te ardhme me te mire per vendin! Ne do ta forcojmë dhe thellojmë aleancën me njerëzit dhe grupet e interesit duke i përfshirë ata më shumë në vendimmarrje. Kjo eshte detyra jone. Perballe kemi nje kundershtar qe e ka percaktuar qarte aleancen e tij: ate me krimin dhe oligarikine. Ne kemi nje mision me te madh, te marrim me vete shumicen derrmuese te shqiptareve qe duan ndryshimin, duan demokracine dhe shohin te ne shpresen e vetme per realizimin e tyre. Ne e kemi bere kete perpara 25 prillit, kontratat me grupet e interesit etj. Ne do ta vazhdojme edhe me tej duke u bere zeri i çdo shqiptari. Do te kemi platforma politike per perfshirjen e tyre ne vendimmarrje dhe po ashtu do te mundesojme nepermjet iniciativave ligjore ndryshime qe te mundesojne perfaqesim me te mire, me te denjë dhe me demokratik.

Enkelejd Alibeaj: I gjithë përqendrimi i analizës së zgjedhjeve duhet të përqendrohet te masakra që u bë në 25 prill. Nuk ndryshoi seksioni rezultatin me 2 vota e 3 vota. Rezultati ndryshoi nga masakra e madhe.

Lulzim Basha: Ne kemi bërë shumë ankimime në SPAK dhe deri tani nuk na kanë kthyer përgjigje. Por unë kam mësuar se një deputet i PS-së në qarkun e Durrësit është përgjuar nga prokuroria duke komunikuar me një grup kriminelësh në Durrës. Është situatë e ngjashme me dosjen e 339.

Ndryshimet në statut

Fatbardh Kadilli: Unë votoj që manifesti politik që kam përgatitur të përfshihet në procesin për ndryshimin e statutit. Unë e kam prezantuar dhe ka gjetur mbështetjen.

Dhurata Çupi: Në fakt ne sapo kemi përfunduar procesin e zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike ku u konfirmua Basha. Unë mendoj që nëse demokratët do të kishin vlerësuar manifestin tuaj politik, do t’ju kishin votuar.

Flamur Noka: Bardhi, tani zgjedhjet mbaruan dhe nuk je më kandidat. Tani je anëtar i kryesisë dhe duhet të flasësh si i tillë dhe jo si kandidat.

Lulzim Basha: Unë nuk e kam lexuar manifestin tënd. Ndoshta mund të ketë gjera interesante që mund të përputhen me ndryshimet, ndaj kontakto me grupin e punës dhe nëse e vlerësojnë të nevojshme, t’i përfshijnë.

Fatbardh Kadilli: Unë e kam prezantuar dhe tani është bërë publike për të gjithë.

Lulzim Basha: Bardhi, ti tani humbe, nuk mund të pretendosh që të përfshish manifestin tënd.

Gazment Bardhi: Ti s’e ke depozituar në PD manifestin tënd dhe s’e ke të publikuar diku. Por ti mund ta depozitosh në grupin e punës dhe të merret në konsideratë.

Jorida Tabaku: Statuti ynë duhet të jetë fleksibël, nuk duhet të jemi të ngurtë. Duhet të përshtatet me ndryshimet, duhet të konservojmë, por dhe të kemi mundësi të ndryshojmë, të mos rrezikojmë të na detyrojë burokracia. /Panorama