Zgjedhjet në PD/ Harxhi: Përjashtimi i 28 mijë anëtarëve, shkelja më e rëndë. Janë kërcënuar komisionerët

Grupimi ‘Për PD-në’ ka dalë në një konferencë për media, ku kanë listuar një sërë arsyesh se përse Lulzim Basha fitoi një mandat të tretë në krye të PD përmes një procesi me shkelje të mëdha.

Edit Harxhi, e cila ishte një prej kandidatëve për kryetar të PD-së nënvizoi faktin se mijëra anëtarë të PD nuk u lejuan të votonin, ndërkohë që mijëra u përjashtuan nga listat fare.

“Listat e anëtarësisë nuk u vunë në dispozicion të kandidatëve. Kjo i mohoi të drejtën e votës dhjetëra mijera demokratëve. Përjashtimi i 28 mijë anëtarëve të PD-së është shkelja më e rëndë e këtyre zgjedhjeve. Ka pasur nga ato që kanë shkuar me kartë anëtarësisë të lëshuara nga Azem Hajardi dhe nuk janë pranuar. Pra përveç listës së shkurtuar nga 106 në 75 mijë ka pasur një mungesë shumë të madhe të emrave në listë. Në kundërshtim me çdo normë të Kodit Zgjedhor janë bërë anëtarë të rinj. Disa kanë votuar vetëm me një kontrabilet për të votuar. Në disa qendra votimi ka pasur raste kur kanë votuar pa kartë anëtarësie. Audituesit elektronik përfaqësuesit e kandidatëve nuk janë lejuar të shikojnë nëse ka modifikime në sistem. Në 90% të rasteve vëzhguesit janë kërkuar që të rrinë larg tavolinës së komisionit. Ka pasur raste kur vëzhguesit janë kërcënuar nga anëtarët e komisionit. Disa janë përjashtuar nga komisioni. Nuk është zbatuar rregullorja në lidhje me modalitet e procesit zgjedhor”, tha Harxhi.

Kryetari i Komisionit të Apelimit brenda Partisë Demokratike, ish-Sekretar i Përgjithshëm i saj, Arben Ristani, është shprehur se aktualisht PD është jashtë shtratit ligjor në vend pasi nuk ka zbatuar ligjin ‘Për partitë politike’ dhe nuk ka dorëzuar në gjykatë ndryshimet në statut. “Pas një përpjekje të gjatë që PD të vendose në shtratin ligjor dhe statutor ne nuk ia kemi dalë. Duke qenë se PD nuk është vetëm aset i demokratëve por i të gjithë shqiptarëve kërkohet një vëmendje e madhe e të gjithë shoqërisë.  PD është jashtë shtratit ligjor sepse nuk ka dërguar në gjykatë ndryshimet statutore dhe ne duhet të përpiqemi që ta kthejmë patjetër në shtratin ligjor”, tha Ristani.

LEXO EDHE  Përplasje me armë në Greqi, plagoset 1 shqiptar dhe dy grekë

Ish-presidenti Bujar Nishani tha se Basha përfaqëson më pak se 30% të anëtarësisë së PD-së. “Është një shqetësim jo vetëm i joni. Besoj se është një shqetësim i shoqërisë. Po evidentojmë s e kemi probleme thelbësore me zgjedhjet në këtë vend. Ngrihet pushteti shfrytëzon të gjithë fuqinë e tij, i vjedh zgjedhjet në favor të pushtetit të vet. Bëhen zgjedhjet në parti ngrihet i pushtetshmi brenda partisë dhe i vjedh zgjedhjet në favor të pushtetit të tij. Në Korçë bashkia Korçës ku patën mundësi kandidatët të kontrollin pjesërisht pushtetin rezultoi se fitoi vetëm 70%. Në Devoll kryetari i PD deklaroi publikisht se ndihet i turpëruar dhe e bojktoi procesin e votimit pasi nuk anëtarëve u mohua pjesëmarrja. 50% e anëtarësisë fshihet. Një media ka treguar si hidhen 7 fletë votimi në kuti dhe kjo ka ndodhur kudo. Sot përfaqëson minorancën e PD më pak se 30% të anëtarësisë së PD-së”, tha Nishani.

Ibsen Elezi, një prej kandidatëve e përjashtuar nga gara në PD, akuzoi Lulzim Bashën se e kanë shndërruar PD-në në gazin e botës. “Na bënë gaz i botës, si nuk i vjen turp që tallen me partinë e vet. Të paktën ka pasur 1200 vetë gati për fushatë brenda PD me idenë se do të demaskonte masakrën e 25 prillit dhe bën një masakër në shtëpinë e vet. Edhe rezultati nuk është i kënaqshëm”, tha Elezi.

Arben Imami, ish ministër i PD, themelues i kësaj force politike, akuzoi Bashën se i mban të fshehta listat e partisë sikur PD të ishte organizatë terroriste.

“Në vitin 2017, z.Basha ka marrë 25 000 vota më pak se në vitin 2021 dhe arsyeja është se zgjedhjet e para 4 vitesh kanë qenë totalisht të montuara. Këto zgjedhje janë përtej njohjes apo mosnjohjes. Kandidatët nuk kanë pasur listat. Edhe sot pasi kanë mbaruar zgjedhjet kandidatët nuk kanë listat e partisë. I them z.Basha që ti nuk je kryetar i një subjekti terrorist, komunist, që i mban të fshehta listat e partisë. Në një parti si PD nuk mund të ketë lista të fshehta të partisë”, tha Imami.