Nga BoldNews.al
Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), Rezana Vrapi, u detyrua të shfaqet mesditën e kësaj të shtune për të justifikuar publikisht se teza e provimit të Matematikës për maturantët është e një niveli të pranueshëm, pavarësisht reagimeve të ashpra të nxënësve dhe prindërve të tyre.
Vrapi deklaroi se teza e provimit është hartuar me tre nivele, në një kohë kur mësimi gjatë dy viteve të fundit është zhvilluar në kushte të vështira dhe, për disa muaj të gjatë, edhe on-line, për shkak të situatës së pandemisë së covid-19, të cilat krahasohen vetëm me nivelin e dijeve të nivelit të parë.
Maturantët shqiptarë, për fat të keq, konfirmuan paralajmërimin e mëhershëm të “Boldnews.al” se teza e provimit të Matematikës do të ishte i një niveli shumë të vështirë, krahasuar me mësimin e pjesshëm të kryer nga nxënësit gjatë dy viteve të fundit, për shkak të masave anti-Covid.
Redaksia raportoi më herët për “Turin e Matematikës”, duke vendosur një paralele ndërmjet tezës së vështirë të Letërsisë të dy viteve më parë, kur maturantët u detyruan të ngriheshin në protestë dhe të detyronin autoritetet arsimore që të përjashtonin një kazus nga vlerësimi përfundimtar.
Zonja Vrapi e vlerësoi maksimalisht procesin e testimit të maturantëve të zhvilluar nga QSHA, ndërkohë që fakti është që në dy prej tre provimeve, teza u publikua në media vetëm pak minuta pasi nxënësit kishin nisur të plotësonin pyetjet.
Për këtë situatë, e cila është shndërruar në fenomen tashmë për provimet e maturës, drejtuesja e Qendrës së Shërbimeve Arsimore tha se do të identifikohen personat përgjegjës dhe do të merren masat e duhura ligjore.
Megjithatë, “Boldnews.al” ka mësuar se, sa i përket testit të Matematikës, ajo që është publikuar në media është vetëm pjesa e tezës me ushtrime të thjeshta, ndërkohë që pyetjet më të vështira nuk “rrodhën”.
Ky detaj ka ngritur dyshimet tek maturantët se teza mund të ketë ‘rrjedhur” nga vetë zyrtarët e Qendrës Shtetërore të Arsimit për të treguar se pyetjet e provimit nuk janë të nivelit të lartë të vështirësisë.
Ndërkohë, siç deklarojnë maturantët, realiteti është shumë më ndryshe. Disa pyetje në testin e Matematikës kanë qenë tepër të vështira dhe tejkalonin nivelin e dijeve të marra nga nxënësit gjatë viteve shkollorë 2019-2020 dhe 2020-2021, të karakterizuar nga vështirësi të mëdha për shkak të pandemisë, problemeve sociale e psikologjike që shoqëruan muajt e izolimit, si edhe mësimi i pjesshëm on-line për shumë muaj.
Qendra e Shërbimeve Arsimore duket se nuk e ka mbajtur në vëmendje situatën që kanë kaluar maturantët gjatë periudhës së fundit.
Autoritetet arsimore shqiptare, as nuk kanë hedhur vështrimin tek homologët e tyre europianë, të cilët kanë zgjedhur mënyra alternative për të vlerësuar maturantët e vendeve të tyre, të cilët kaluan gjithashtu muaj izolimi dhe mësimi on-line.
Shumë shtete në kontinentin e vjetër e kanë pezulluar këtë vit provimin e Maturës, duke mirëkuptuar nxënësit për vështirësitë që u janë krijuar gjatë situatës së pandemisë.
Në Italinë fqinje, autoritetet arsimore kanë vendosur që, vetëm për këtë vit, të zëvendësojë provimet klasime të Maturës me një bashkëbisedim ndërmjet nxënësve dhe mësuesve, për të vlerësuar shkallën e formimit të tyre.
Në bazë të këtij bashkëbisedimi, komisionet e maturës do të vlerësojnë përgatitjen e maturantëve dhe do të japin vlerësimin përfundimtar.
Në Shqipëri, autoritetet shqiptare jo vetëm që nuk parashikuan një zbutje të tillë, por, përkundrazi, siç rezulton në programin orientues të lëndës Matematikë, e kanë rritur në mënyrë absurde nivelin e vështirësisë.
Një protestë maturantësh është në pritje të zhvillohet, ndërkohë që Qendra e Shërbimeve Arsimore ka një zgjidhje, siç u vepruar edhe dy vite më parë me “Turin e Letërsisë”.
Zgjidhja është shmangia e pikëzimit për pyetjet e vështira, të cilat tejkalojnë nivelin e dijeve të marra nga maturantët, pasi në këtë kundërt do të dëmtohen të gjithë nivelet e nxënësve, përfshirë edhe ata që vlerësohen “absolutë”.