Teksa kishin ndaluar në autostradën Peqin-Elbasan, një biznesmen dhe një punonjëse e tij janë marrë peng.
Sipas informacioneve, dy persona i kanë dhunuar dhe nën kërcënim i kanë kërkuar 20 mijë euro.
Seit Manahasa, një personazh i njohur i botës së krimit në Elbasan, së bashku me një person tjetër i identifikuar tashmë nga policia me inicialet K.M, rezultojnë të kenë marrë peng biznesmenin Gani Moka dhe punonjësen e tij, me inicialet e emrit F.D.
Moka përfaqëson kompaninë “Certi W South Balkans” që ka si specialitet pajisjen me certifikata ISSO të bizneseve si dhe dy kompani të tjera që quhen “Agricoltura Moderna Europe” dhe “I-Research 2014”.
Në dosjen hetimore të siguruar nga media, thuhet se Moka dhe punonjësja e tij F.D, në 21 maj 2021, ndodheshin në Lushnje dhe po udhëtonin në drejtim të Elbasanit, pasi kishin një takim me drejtuesit e kompanisë “Rozafa”.
Pa shkuar në Peqin, kanë ndaluar në një xhep rruge, me qëllim për të bërë fotografi tek një biznes të përpunimit të inerteve, me qëllim për të biseduar me pronarin për certifikimin.
Menjëherë pranë tyre ka mbërritur një automjet tip fuoristradë e bardhë BMW X5.
Dy persona që kanë dalë prej saj i kanë kërkuar që ti ndiqnin, duke u futur në ambientet e biznesit.
Në dokumentet e prokurorisë thuhet se pasi i kanë zbritur të dy nga makina, kanë filluar t’i godasin duke i kërkuar 20 mijë euro me argumentin se u kishin dëmtuar skrepin, duke i hedhur sheqer apo që kanë kryer veprime të tjera në ambientet e subjektit.
Madje në material shënohet se Mokën e kanë goditur edhe me gurë në kokë.
Duke mohuar ngjarjet, Moka i ka kërkuar të akuzuarve së paku të linin të lirë punonjësen.
Madje pasi i kanë zhveshur, i kanë filmuar duke i kërcënuar se videon do ua çonin familjarëve nëse biznesmeni nuk do ti jepte 20 mijë euro.
“Do biesh lekët, në të kundërt do të të vrasim familjen, nëse ti do shkosh të ankohesh”, ka qenë një prej kërcënimeve të shënuar në dosje.
Pas lirimit, rrugës për në Elbasan, Ganiu ka telefonuar djalin e tij dhe i ka shpjeguar se çfarë kishte ndodhur.
Po kështu ka njoftuar dhe një mikun e tij, i cili i kishte thënë të shkonte te Drejtoria e Policisë Elbasan, pasi ishin njoftuar për ngjarjen dhe po i prisnin.
Pas kallëzimit, policia e Elbasanit ka urdhëruar RENEA-n, e cila kreu arrestimin e Seit Manahasës, ndërsa shpalli në kërkim mikun e tij me inicialet K.M./ oranews/