Gara në PD/ Pampuri: Asnjë nga kandidatët nuk flet për masakrën zgjedhore, por shigjetojnë Bashën

E ftuar në edicionin e lajmeve në Syri Tv, deputetja e zgjedhur e PD, Oriola Pampuri tha se kushdo nga kandidatët në garë për kreun e Partisë që shigjeton Bashën, por nuk thotë asnjë fjalë për maskaradën zgjedhore të 25 prillit, thjesht ndihmon Edi Ramën në jetëgjatësinë e tij në pushtet.

‘Patjetër që është një garë reale, që janë të katër kandidatët sigurisht në garë reale.

Fakti që gara është tani në qershor besoj është bërë tashmë e qartë dhe nga kolegët e mi dhe nga z. Basha, është që, që nga momenti që dolëm nga një masakër zgjedhore, filluan direkt shigjetimet indirekt ndaj kryetarit aktual z. Basha. Dhe mundësia më e mirë ishte që nga një studio televizive të përshpejtohej një garë dhe i gjithë ky problem i nxitur, nga ata kandidatë që dalin në studio televizive apo të tjerë që inspironin për t’u bërë pjesë e garës, mënyra më e mirë është për tu futur në një garë që më pas të merremi me masakrën zgjedhore.

Sigurisht që kjo është mënyra më e mirë që tregon që në një parti ka demokraci, ka garë, por kur kjo garë e kandidatëve nuk shënjestron autorin e maskaradës së zgjedhjeve të 25 prillit, por shigjeton vazhdimisht Lulzim Bashën, ajo pastaj e ndan një garë nga demokratike në një garë në shërbim të dikujt tjetër.

Gjatë gjithë kësaj periudhe nga kandidatët e tjerë është artikuluar se ne jemi në opozitë deri në vitin 2025, dhe kjo nuk mund t’i shërbejë askujt tjetër, vetëm se Edi Ramës.

Demokratët e dinë shumë mirë sot se vota e tyre është deformuar. Dhe nuk mund ta pranojnë kurrsesi që një kandiadat i Partisë Demokratike, të pranojë humbjen dhe të mos flasë për masakrën zgjedhore, duke i shtuar jetëgjatësinë Edi Ramës.

Nëse një kandidat pranon këtë, kjo nuk është një garë e barabartë.

Në momentin që kandidatët nuk artikulojnë që kjo e 25 prillit ka qenë një masakër zgjedhore, është t’i vish në ndihmë Edi Ramës.

Lulzim Basha nga fillimi deri në fund e ka artikuluar maskaradën e 25 prillit dhe ka parashtruar një platformë se si do të vijohet pas 13 qershorit.

Edi Rama nuk do që Basha të jetë kryetari i PD.

Nuk do që PD të jetë e bashkuar pas 13 qershorit.

Prandaj Lulzim Basha ka artikuluar që pas 13 qershorit, PD do jetë edhe më e bashkuar.’