Zgjedhjet në PD, Gjana akuza Shehajt: Dorëzoi listën bllof të anëtarëve për komisionet zgjedhore

Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë Demokratike, Jemin Gjana, në një deklaratë për mediat nga selia e Partisë Demokratike, akuzoi sot kandidatin Agron Shehaj se ka dorëzuar një listë bllof, pra me emra jo anëtarë të PD, për anëtarë të Komisioneve Zgjedhore që do të ngrihen sipas degëve të kësaj partie.

Gjana u shpreh se asnje kandidat nuk ka sjellë një listë me përfaqësues në komision, përvec kreut aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Përvec Bashës asnjë kandidat nuk ka dorëzuar një listë të rregllt të anëtarëve dhe Agron shehaj solli një listë që përmban emra anëtarësh që nuk janë fare pjesë e partisë dhe se çdo listë do verifikohet.

Pretendimi i mbrëmshëm i tyre ka qenë se u duhet ende kohë për të gjetur emrat dhe ne normalisht do të presim deri ditën e fundit. Ju japim kohë deri në fillim të procesit por askush nuk do delegohet pa u verifikuar dhe janë tërhequr të gjitha materialet të cilat do shpërndahen të shtunën deri në orën katër.

Gjithcka do jetë e vulosur dhe e sekretuar dhe pastaj do të presim ditën e zgjedhjeve të 13 qershorit dhe duhet theksuar se nuk mund të kandidosh apo të monitorosh procesin pa qenë anëtar i ksaj partie sepse ne kemi ca kritere unike”, u shpreh Gjana.

I pyetur nga gazetarët se cfarë masash do merren nga Komisioni Zgjedhor nëse kandidatët nuk dorëzojnë listat deri në momentin e votimit, Gjana tha se si rregull sistemi do të mbahet i hapur deri të premten për lehtësi verifikimi për kartat e anëtarësisë.

“Kur behet fjalë për komisione zgjedhore askush nuk voton nëse nuk është brenda të së njëjtës KZAZ dhe e njëjta gjë funksionon me partinë tonë.

Nese kandidatët s’kanë dorëzuar përfaqësuesit në afatet ligjore komisioni do të mbajë sistemin e hapur deri të premten për lehtësi verifikimi dhe nuk janë justifikime se nuk kanë gjetur akoma emrat pasi mund të fshihen arsye të tjera.

Funksionarët e lartë të Partisë Demokratike do të vëzhgohen në mënyrë që mos të përfshihen në raporte individuale në fushatën e kandidatëve pasi ka pasur edhe raste të tilla brenda partisë”, përfundoi Gjana.