Bota nuk është e mbipopulluar, njerëzimi po plaket dhe po zvogëlohet

Nga Stephen Johnson

Shekulli XX shënoi rritjen më të madhe të popullsisë në historinë njerëzore, duke u rritur nga 1.6 miliardë në vitin 1900 në 6 miliardë në vitin 2000. Por kjo tendencë ka përfunduar. Shumica e të dhënave demografike, tregojnë se pavarësisht shqetësimeve të mëparshme në lidhje me krizat që do të shkaktonte mbipopullimi, problemi më i madh në shumicën e rajoneve të planetit tonë do të jenë lindjet e pakta.

Dhe të dhënat e pasqyrojnë qartazi këtë fenomen. Në Japoni, njerëzit blejnë më shumë pelena për të moshuarit sesa për foshnjat. Kina, që zbatoi për dekada politikën“një fëmijë për familje”, e rriti në 3 fëmijë këtë kufi. Ky vend pret që popullsia e tij të arrijë kulmin, dhe më pas të nisë rënien në vitin 2030.

Ndërkohë edhe shkalla e rritjes së popullsisë në SHBA është në nivelet më të ulëta historike, dhe të kujton epokën e Depresionit të Madh në vitet 1930. Një studim i ri i botuar në “NPJ Urban Sustainability”projekton të ardhmen e nën–popullimit, dhe sesi ka gjasa të ndikojë ai në qëndrueshmërinë globale.

Duke përdorur të dhëna demografike nga raportet e Kombeve të Bashkuara, studimi argumenton se problemi i nën–popullimit është dinamik dhe i dyfishtë:Popullatat po zvogëlohen dhe reduktohen njëkohësisht.

“Në nivel global, njerëzit mbi 65 vjeç ishin për herë të parë në vitin 2019në historinë njerëzore,segmentet me rritjen më të shpejtë të popullsisë. Ata e tejkaluan numrin e fëmijëve më të vegjël se sa 5 vjeç, shkruajnë studiuesit.

“Në vitin 2020, 9 për qind e popullsisë globale ishte mbi 65 vjeç, ose 728 milionë njerëz. Kjo kategori parashikohet të rritet më shumë se sa dyfish, duke arritur në 1.55 miliardë në vitin 2050,që llogaritet të jetë16 për qind e popullsisë globale, edhe kur ka nivele mesatare të lindshmërisë”- thuhet më tej në studim.

Por këto ndryshime nuk do të jenë të njëjta në të gjithë globin. Deri në vitin 2050, rajonet që do të kenë rritjen më të madhe të popullsisë së moshuar janë Evropa, Azia dhe Amerika e Veriut, ndërsa shumica e vendeve në Afrikë do të vazhdojnë të kenë një popullsi relativisht të re.

Një nga metrikat kryesore për të kuptuar ndryshimet e popullsisë është pjelloria në nivelin e zëvendësimit, që është numri mesatar i fëmijëve që gratë duhet të lindin që të mbajnë popullsinë konstante. Kjo normë është afërsisht 2.1, pra 2 fëmijë për të zëvendësuar nënën dhe babanë, me një normë 0.1 të shtuar sepse jo të gjithë fëmijët mbijetojnë deri në moshën e rritur.

Në dhjetëra vende, shkalla e zëvendësimit ka rënë nën 1.5, sidomos në Evropë dhe Azinë Lindore. Një arsye për këtë rënie është urbanizimi i shpejtë. Në vitin 1950, rreth 1/3 e njerëzve jetonin në zona urbane, por ky raport parashikohet të dyfishohet deri në vitin 2050 me rreth 7 miliardë njerëz që jetojnë në qytete, shumë prej të cilëve do ta bëjnë këtë për të pasur më shumë mundësi për punësim, duke u fokusuar gjithnjë e më shumë në industri dhe teknologji.

Urbanizimi ndikon në popullatë në dy mënyra kryesore. Së pari banorët e qytetit, kanë më pak fëmije për shkak të arsyeve të tilla si kostoja më e lartë e jetesës, qasja më e lehtë tek mjetet kontraceptive dhe fakti që gratë urbane janë më të përqendruara tek karriera, duke zgjedhur të heqin dorë ose të vonojnë lindjen e fëmijëve, vë në dukje studimi.

Ndërkohë jeta urbane ofron stimuj të ndryshëm:Familjet mund të përfitojnë nga lindja e më shumë fëmijëve në zonat rurale, por nuk ndodh e njëjta gjë në qytete. Kjo shpjegon pjesërisht arsyen pse Kina zgjodhi që të lehtësojë politikën e saj të pasjes së vetëm një fëmije për familjet rurale në vitet 1980.

Nga ana tjetër, urbanizimi priret që të ulë nivelet e vdekshmërisë për shkak të rritjes së pasurisë dhe qasjes në kujdesin shëndetësor. Pra, të rriturit kanë më pak fëmije ndërsa jetojnë edhe më gjatë se dikur.

Studiuesit vunë në dukje se kjo gjë “mund të ketë një ndikim të madh, pasi rritja e përqindjes së të moshuarve në një vend, mund të shtojë presionet ekonomike dhe sociale mbi popullsinë në moshë pune, duke ulur më tej normat e lindjeve dhe duke shtyrë lindjet e fëmijëve, duke çuar kësisoj në nivele lindshmërie edhe më të ulëta”.

Duke u përballur që tani me plakjen dhe tkurrjen e popullsisë, disa vende po miratojnë apo po shqyrtojnë adoptimin e politikave që synojnë të rrisin normën e lindshmërisë, duke përfshirë “shpërblimet për bebet”, kujdesin e subvencionuar të fëmijëve, dhe lejet e paguara për babain dhe nënën.

Në rast se janë të suksesshme, këto ndërhyrje mund të shënojnë fillimin e një fazë të re demografike, të cilën studimi e quan si “ora e ndjeshme e rërës”, e karakterizuar nga njëvdekshmëri e ulët, por një pjellori e lartë. Kjo mund të sjellë një popullsi me shumë të rinj dhe të moshuar, por relativisht pak të rritur në moshë pune, gjë që mund të rëndojë sistemin.

Studiuesit vunë në dukje se ndryshimet demografike janë komplekse, dhe është shumë e pasigurt se si faktorë të tillë si urbanizimi do të ndikojnë jo vetëm në nivelet e popullsisë, por edhe në mjedisin dhe kushtet socio-ekonomike në të gjithë botën.

“Duke pasur parasysh ritmin e shpejtë të këtyre ndryshimeve, dhe veçanërisht pasi shkalla e plakjes dhe tkurrja e popullsisë mund të jetë e nënvlerësuar në statistikat zyrtare, duhet një veprim urgjent”-përfundoi studimi.