Kushtetuesja rrëzon qeverinë: Shkarkimi i Zef Hilës i paligjshëm!

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Qeverisë, që më 28 Qershor 2019 vendosi shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila.

Vendimi i marrë me shumicë votash më 10 Maj dhe i shpallur këtë të Premte është i formës së prerë.

Këshilli i Ministrave vendosi shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut gjatë kohës së protestave që u zhvilluan pas mosrespektimit nga KQZ të dekretit të Peridentit Meta, i cili dekretoi shtyrjen e zgjedhjeve vendore nga data 30 qershor, më 13 shtator.

Por, sipas Gjykatës Kushtetuese, nga ana e autoriteve vendimmarrëse, “është cënuar procesi i rregullt ligjor në aspektet e së drejtës për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar, si dhe të standardit të arsyetimit të vendimit”.

Shkarkimi nga detyra pas protestës

Në datën 27 Qershor 2019, në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës është organizuar një tubim nga Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë, për të shprehur pakënaqësinë për mosrespektimin e dekretit të Presidentit të Republikës që ndryshoi datën e zgjedhjeve vendore.

Gjatë tubimit ka pasur përplasje midis Policisë së Shtetit dhe pjesëmarrësve në tubim, si dhe iu është vënë zjarri materialeve zgjedhore të KZAZ-së nr. 6 (të vendosur në ambientet e një shkolle), të Bashkisë së Vaut të Dejës.

Për këtë ngjarje është paraqitur kallëzimi penal për kryerjen e veprave penale “Dëmtim me dashje i materialit zgjedhor”,  “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Në datën 29.06.2019, kryebashkiaku Hila është pyetur në Drejtorinë e Policisë Qarku Shkodër, në cilësinë e personit që kishte dijeni për veprat penale të lidhura me ngjarjen.

Me vendimin datë 15.07.2019, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur “mosfillimin e procedimit penal” ndaj Hilës, me arsyetimin se mungonin elementet e veprës penale.

Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Brendshëm, ka marrë vendimin më datë 28.06.2019 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të bashkisë Vau i Dejës, z. Zef Hila”, me motivacionin “për shkak të shkeljeve të rënda”. Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare në datën 02.07.2019.

Zgjedhjet vendore u zhvilluan në datën 30.06.2019, pa pjesëmarrjen e partive kryesore opozitare. Hila, si përfaqësues i një prej këtyre partive opozitare nuk kandidoi.

Në datën 05.07.2019, ai ka paraqitur ankim në Gjykatën Kushtetuese e cila prej datës 23 mars të vitit 2018 nuk ka pasur kuorumin e nevojshëm ligjor për shqyrtimin e çështjeve në seancë plenare. Me plotësimin e kuorumit për funksionimin e kolegjeve dhe më pas edhe të Gjykatës, në datën 12.02.2020 u vendos nga Kolegji kalimi i çështjes për shqyrtim paraprak në Mbledhjen e Gjyqtarëve, e cila, me vendimin e datës 09.02.2021, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike.

Në fund, gjykata vendosi shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave.

Gjykata Kushtetuese: Vendimi i paligjshëm

Në vendimin e zbardhur, Gjykata rrëzon ligjshmërinë e vendimit të qeverisë duke çmuar se “pretendimi i Këshillit të Ministrave se të zgjedhurit vendorë politikë nuk përfitojnë nga garancitë e procesit të rregullt ligjor gjatë procedurës së shkarkimit nga detyra, nuk qëndron”.

Sipas gjykatës, në procesin e shkarkimit të Hilës nuk janë respektuar në nivelin minimal e drejta për t’u njoftuar dhe e drejta për t’u dëgjuar, edhe pse nuk rezulton të ketë pasur shkak ligjor për të mos respektuar këto të drejta.

Po ashtu, Gjykata vlerëson se vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kërkuesit nuk respekton standardin e arsyetimit.