“Çmenduri” e Dinamos, tenton katër titullarë te skuadra tjetër nga kryeqyteti

Dinamoja tenton bombën e madhe: T’i rrëmbejë katër titullarë ekipit të Tiranës. Drejtuesit e rinj të skuadrës blu kërkojnë që afrojnë lojtarë cilësorë dhe te lojtarët pa kontratë të Tiranës kanë parë të ardhmen e skuadrës tjetër kryeqytetase.

Nëse për Kristi Vangjelin është folur më parë, tani gjërat bëhen më serioze. Idriz Batha, Agustin Torasa dhe Elton Kale mund të bashkohen me blutë nëse pranojnë ofertën e drejtuesve të Dinamos.

Si Vangjeli, Torasa, Kale e Batha janë pa kontratë dhe me këtë fakt ka luajtur Dinamo. Mësohet se ka pasur kontakte mes emisarëve blu dhe lojtarëve. Këta të fundit kanë diskutuar për një bashkëpunim të mundshëm dhe kalimin e lojtarëve nga një kamp në tjetrin.

Për momentin lojtarët nuk kanë refuzuar gjë, por kanë thënë që do të dëgjojnë se çfarë do të ketë Tirana në tavolinë. Vetëm pasi palët të ndahen me Tiranën, do të ketë diskutime të tjera në tavolinë. Gjithsesi, te Dinamoja janë besimplotë se gjërat mund të shkojnë në rrugën e duhur.