Të martën filloi nga puna prokuroria e BE, instanca e parë me kompetenca vepruese ligjore që do të luftojë korrupsionin në vendet anëtare. Sidomos fondet e rimëkëmbjes pas Coronës duhet që të mbrohen nga keqpërdorimi.
“Më shumë para, më shumë fleksibilitet, më pak rregulla”, drejtuesja e Prokurorisë së BE, që filloi nga puna të martën (01.06) shikon detyra të mëdha për autoritetin e ri të BE me vënien në përdorim të fondeve të rimëkëmbjes që do të luftojnë pasojat e pandemisë. Laura Kövesi u bë e njohur në Europë si luftëtare kundër korrupsionit në Rumani, ku ajo i qëndroi me vite presionit të qeverisë. Për shkak të përvojës në luftën kundër korrupsionit në vendin e saj, Kövesi është e përgatitur tani të mbrojë miliardat e BE nga keqpërdorimi.
Një gur themeli në luftimin e korrupsionit
Ishte Parlamenti Europian, ai që luftoi me vite për krijimin e EPPO-s, (European Public Prosecutors Office)- Zyrës Europiane Publike të Prokurorëve. Ishte e dukshme, që pafuqia e autoritetit të mëparshëm kundër mashtrimeve me fondet e BE, OLAF gati e linte të kalonte pa asnjë ndëshkim keqpërdorimin e fondeve në vendet anëtare. Këtij institucioni i mungonin paditës për të nxjerrë rastet e korrupsionit para drejtësisë.
Prokuroria europiane e ka selinë në Luksemburg, por është e varur shumë nga bashkëpunimi me prokurorët e vendeve anëtare. Që këtu fillojnë problemet. Në fillim ishte Malta që vonoi emërimin e prokurorëve të saj, tani bllokon Sllovenia. Kryeministri Janez Jansa pengon emërimin e kandidatëve sllovenë. “Është një skandal, çfarë po ndodh në Slloveni”, thotë eurodeputeti liberal, FDP, Moritz Körner. Drejtuesja e Prokurorisë Europiane, Laura Kövesi shkroi në gazetën sllovene, “Delo”, se “mungesa e një bashkëpunimi të hapur na e bën të vështirë, (…) të përmirësojmë mbrojtjen e buxhetit të BE dhe të ruajmë shtetin ligjor.”
Slovakei Trauer um Jan Kuciak und Martina KusnirovaKuciak dhe e fejuara e tij u vranë për shkak të raportimeve për korrupsionin në Sllovaki
Megjithatë kjo prokurori shihet si një gur themeli në BE. Eurodeputetja socialdemokrate, Katarina Barley e shikon këtë autoritet të BE në një kontekst më të gjerë politik: BE përjeton për herë të parë rrezikun e erozionit të brendshëm. “Korrupsion ka pasur gjithmonë, por tani ka forca që duan të zhvendosin vlerat tona.” Prokuroria trans-kombëtare është edhe pjesë e vetëmbrojtjes europiane.
Hetimet trans-kombëtare, ndjekja penale është kombëtare
Prokuroria europiane bazohet në pranueshmërinë e vendeve anëtare. Nën drejtuesen e saj, Kövesi dhe zëvendësin, juristi gjerman, Andres Ritter takohet një komision fiks prej 23 prokurorësh, që vendosin nëse do të ndiqen penalisht rastet e hetuara të korrupsionit. Në vendet anëtare për ta punojnë prokurorë të emëruar posaçërisht për këtë prokurori. Për punën konkrete hetuese, në Luksemburg ka analistë dhe ekspertë financiare që do të hetojnë rastet e korrupsionit dhe lëvizjet e parave.
Nëse komisioni i EPPO-s është i mendimit, se ka prova për keqpërdorim të fondeve të BE, atëherë rasti dërgohet tek prokuroritë e vendit, ku janë zhvilluar praktikat korruptive. Andres Ritter parashikon një valë pune për prokurorët e BE. Rreth 3000 raste janë kompetencë e EPPO-s që nga viti 2017, kur u vendos krijimi i institucionit. “Ne jemi një premtim për qytetarët europianë”, thotë Ritter, sepse sidomos tek fondet e Coronës ka shumë rëndësi që të mos keqpërdoren fondet.
Pikërisht Polonia dhe Hungaria janë dy vende që nuk duan bashkëpunim me prokurorinë europiane. Krahas tyre edhe Danimarka, Suedia dhe Irlanda nuk bashkëpunojnë me EPPO. Pjesëmarrja tek kjo instancë nuk është me detyrim. Drejtuesja e EPPO-s, Laura Kövesi nuk do të shprehet, se pse disa vende nuk bashkëpunojnë me prokurorinë europiane. Ajo mënjanon deklaratat politike për të mbrojtur institucionin e saj. /DW/