Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vazhduar turin e tij të takimeve me anëtarësinë në Kurbin dhe në Tropojë, ku ka kërkuar votën për të vazhduar drejtimin e partisë. Ashtu sikundër edhe në takime të tjera, Basha është shprehur se rrugën drejt ndryshimit duhet ta bëjnë së bashku.
Basha në fjalën e tij shtoi se nuk duhet të dorëzohet përballë atyre që e konsiderojnë 25 prillin fitoren e Ramës, duke aluduar kështu për kundërshtarët e tij në garën për kreun e PD-së. Në të njëjtën kohë ai tha: “Dorëzimi përballë atyre që e konsiderojnë 25 prillin fitore të Ramës dhe jo masakër zgjedhore, mund të çojë në një përçarje. Ju kërkoj të gjithëve që të vendosin PD mbi veten e tyre dhe mos ti lëmë asnjë shans kundërshtarit”.
Nga Kurbini Basha deklaroi:
“Edhe në momentin kur u firmos 5 qershori akoma pa e shkelur, prapëseprapë ju e dinit, unë j’ua thash drejtëpërdrejtë, jua thash permes medias që të firmosësh një marrëveshje me Edi Ramen apo të ndryshosh një ligj me Edi Ramën, s’ka pikë vlere se ai edhe ligjin e vetë e shkel, edhe ligjin e rënë dakord me ne do ta shkel dhe ashtu ndodhi. E ndryshoi edhe atë që ndryshoi, prapë e shkeli. Por ajo që Shqipëria përjetoi me 25 prill, është arrest kardiak i demokracisë sepse tjetërsimi i vullnetit të shqiptarëve nuk ndodhi në 1, 2, 3 apo 10 forma, por ndodhi në të gjithë format e mundshme. Dhe cdo ditë që kalon, në çdo qark që vizitoj, në çdo ekspozim që i bëhet fakteve del katalogu i plotë, i gjatë, i vjedhjes, blerjes, shantazhit, intimidimit, presionit të tre faktorëve. Një partie të korruptuar deri në palcë dhe qeveris që ajo ka, shkrirjes se strukturave shtetërore me atë parti dhe faktorit të krimit të organizuar dhe të oligarkisë që u bën njish për të tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve. Nga ana tjetër Partia Demokratike doli në këtë betejë, siç e dinë themeluesit dhe qëndrestarët mes jush, njësoj si në 91. Pa asnjë pushtet por me pushtetin me të madh që zoti mund t’i falë njeriut, me pushtetin moral, me pushtetin e zemrave, me pasionin dhe fuqinë për të ndihmuar njerëzit në aspiratën e tyre për ndryshim. Me shpresën e tyre se 25 prilli do t’i jepte fund jo thjesht lëngatës 8 vjeçare, por shume prej pikëpyetjeve dhe dilemave që i mbanin akoma peng. 25 prilli solli në fakt një ndryshim, e solli këtë ndryshim anembanë Shqipërisë, falë kësaj fuqie që ne projektuam, u rritëm, u bëmë më të mëdhenj por edhe pse beteja u luftua me energjinë më të madhe prapëseprapë regjimi me një ngushticë më të vogël se gjysma e votave të pavlefshme, për shkak të heqjes së emrave pasi shkurtoi listat, të tjetersoi vullnetin e zgjedhësve. Megjithatë kurbinasit dhe jo vetëm, demokratët anembanë vendit e kanë sot kokën lart për një arsye: se në këtë betejë ne hymë me një kauz morale dhe me këtë kauz morale dhe vetëm me atë kauz morale arritem të tërheqim një numër të madh shqiptarësh të cilët shperfillën blerjen e votës, shantazhi kriminal, shantazhin për bukën e gojës, shantazhin për vendin e punës, dhunën barbare që i trajton jo si të jenë kundërshtarë politik por si armiq, njësoj si në 45. Arritëm pra, përkundër të gjithave jo vetëm të ngrihemi në këmbë, por arritem diçka që pak forca politike e kanë arritur në këto kushte. Ftesa ime për ju, kërkesa ime ndaj jush vëllezër dhe motra kurbinas është një dhe vetëm një, pa dorashka, pa zbukurime: Betejën ta çojmë deri në fund deri në rrëzimin e këtij regjimi. Kërkesa ime është të jemi në këmbë, ta mbajmë ndezur zjarrin që ndezëm, zjarrin e shpresës në zemrat e shqiptarëve që na ndoqën, në zemrat e kurbinasve që na ndoqën. Ta mbajmë ndezur këtë zjarr, ta vazhdojmë deri në fund këtë betejë. Dhe kërkoj besimin tuaj, të vazhdojmë t’i primë kësaj beteje bashkë me ju e në krahun tuaj deri në fund. Jam thellësisht i prekur nga reagimi juaj, se vetëm në Kurbin mund çohen njerëzit në këmbë kur vjen e në platformë për t’u rizgjedhur, e ofertë për t’u rizgjedhur, ke vetëm t’u ofrosh më shumë betejë, më shumë përpjekje, kjo tregon se jam në mesin e njerëzve më fisnik, gardianëve të vërtet të demokracisë e të lirisë për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Ndaj, e kam konsideruar dhe e konsideroj një privilegj të rallë.
Të njëjtën gjë bëri edhe në Tropojë. Pasi falënderoi ata që e votuan në 25 prill, u kërkoivotën për të vazhduar më tej betejën edhe pas 13 qershorit.
“Siç e dini fare mirë nën drejtimin tim dhe me vendimet e mia, janë ndërmarrë disa prej akteve më të paprecedentë në 30 viteve pluralizëm. Por nuk janë ndërmarrë as për veten time dhe as për fatin tuaj, janë ndërmarrë për ta çliruar Shqipërinë nga ky regjim. Djegia e mandateve kishte një dhe vetëm një objektiv: zgjedhje të parakohshme dhe shembjen një orë e më parë të një parlamenti të dalë nga një tjetër palë zgjedhjesh ilegjitime siç ishin ato të 2017-ës. Sot është e lehtë të rishkruash historinë sepse siç e thotë populli “të mençur pas Kuvendit e trima pas lufte ka boll”, por ne duhet të kujtojmë e duhet të jemi të vetëdijshëm se pa këto beteja do të shkonim duke u zvarritur drejt 25 prillit si bashkëfajtorë dhe si fasadave të regjimit dhe jo ballë për ballë regjimit dhe njësoj e bërë njësh me qytetarët, të cilëve ua kthyem bashkë me mandatet edhe besimin. Se edhe betejat ne do të luftojmë e do t’i çojmë deri në fund për ta dhe familjet e tyre. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër sepse njësoj si në 91-shin njerëzit na ndoqën e na besuan.
Unë kam një ftesë ndaj jush: mos t’i lemë shqiptarët në mes të rrugës, mos t’i lëmë pikëpyetejet e tyre para 25 prillit, që pas 25 prillit janë bërë e më të mëdha, edhe më të dhimbshme, sepse nuk kanë marrë përgjigje nga ato të blektorëve në bjeshkët më të thella, tek ato të sipërmarrjes në qendrat urbane. Nga pikëpyetjet për ekonominë, tek ato për sigurinë e deri tek ato për integrimin europian mos t’i lëmë pa përgjigje, sepse të vetmit që mund t’i japim përgjigje jemi ne. Ka një dhe vetëm një rrugë përpara, që kjo është rruga e betejës me të keqen. Kështu jemi ringritur sa herë jemi goditur nga pabesitë e fatit apo të kundërshtarëve.
Të gjitha arritjet e mëdha të këtij vendi kanë vulën tonë, kanë vulën tuaj, gjithçka, që nga rrëzimi i komunizmit dhe demokracia, që nga futja në Këshillin e Europës, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, statusi kandidat, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturorë kanë vulën e demokratëve, kanë vulën e Partisë Demokratike, kanë padiskutim vulën me nënshkrim e Sali Berishës. Ndaj, le ta zhvillojmë këtë proces statutorë që na e diktojnë rregullat e brendshme duke e konsideruar një vlerë të shtuar dhe një oportunitet, një mundësi, por po kështu të mos harrojmë se beteja e vërtet është me kundërshtarin, me armikun më të egër të demokracisë dhe të shqiptarëve, me regjimin e Edi Ramës, Tom Doshit dhe kriminelëve me të cilët ka ndaluar përkohësisht aspiratën e Tropojës dhe të Shipërisë për ndryshim.”, tha Basha në Tropojë