Pas një periudhe të vështirë, që zgjati më shumë se 14 muaj, pranvera është kthyer sërish. Të dhënat e para flasin për rigjallërim të ndjeshëm të ekonomisë në vend.
Eksportet kanë rikuperuar me shpejtësi humbjet e muajve të karantinës, kur kufizimet e vendosura, pothuajse në të gjithë Europën, dëmtuan rëndë shitjet jashtë vendit, me përjashtim të grupit të ushqimeve. Për 4-mujorin, eksportet u rritën me 35% me bazë vjetore.
Edhe në raport me 4-mujorin 2019, tendenca është sërish në zgjerim, me +10%. Përmirësimi i ecurisë ekonomike, në pjesën e parë të këtij viti, ka ndikuar pozitivisht edhe në ecurinë e të ardhurave buxhetore. Sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, për periudhën janar-prill 2021, të ardhurat buxhetore shënuan rritje prej 14% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 2% në raport me janar-prillin e 2019-s.
Me këto ritme dhe me ecurinë e turizmit, që këtë sezon parashikohet nga operatorët turistikë të jetë shumë më pozitive sesa vitin e kaluar, ekonomia pritet të kapë që këtë vit nivelin e parakrizës, ndryshe nga vlerësimet fillestare për vitin 2022.
Edhe rënia në 2020-n, prej rreth -3.3%, ishte shumë më e ulët sesa pritshmëritëqë varionin deri në -9%, të dytët me ecurinë më të mirë pas Serbisë (-1%) dhe në nivele shumë më të kënaqshme se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe sidomos Mali i Zi (-9%), me të cilin krahasoheshim në fillim, për shkak të varësisë së lartë të dy vendeve nga turizmi. Këtu, në fakt, dha ndikim pozitiv edhe fenomeni i pastrimit të parave, që nxiti sektorët e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, siç është konstatuar edhe nga raportet ndërkombëtare.
Që nga mesi i prillit, situata epidemiologjike është e përmirësuar ndjeshëm. Numri i të shtruarve në spitale ka rënë, infektimet e reja ditore janë në nivele minimale, teksa vendi duket se e ka arritur imunitetin e tufës.
Është e dukshme tashmë se më të keqen e kemi lënë pas, si nga ana ekonomike, ashtu dhe ajo e shëndetit. Por, me çfarë kosto erdhi kjo?! Fatkeqësisht, vendi duket se po shkon drejt imunitetit të tufës, jo me ndihmën e vaksinave (janë bërë dozat vetëm për 10% të popullsisë, shumë më poshtë se mesatarja europiane dhe që pas zgjedhjeve ka ngecur), por për shkak të intensitetit me të cilin e kaloi popullata sëmundjen gjatë periudhës nga nëntori 2020 deri në mars 2021.
Ndonëse me një sistem shëndetësor të dobët dhe numrin e mjekëve për banorë më tëulëtin në Europë, qeveria zgjodhi hapur ekonominë para shëndetit, e ndodhur nën presionin e sipërmarrjeve dhe duke pasur frikë për humbjen e popullaritetit para zgjedhjeve. Ndryshe nga vendet e tjera të zhvilluara, pas karantinës së parë të mars-maj 2020, kufizimet ishin minimale edhe në periudhën e fund 2020-s dhe në fillim të 2021-shit, kur shpërtheu pandemia me të gjithë fuqinë e saj.
Mbingarkesa në spitale dhe frika për mungesë të kujdesit shëndetësor bëri që shumë individë të zgjidhnin të kuroheshin në shtëpi, spitale private apo jashtë vendit (kryesisht në Turqi), me shpenzimet që vlerësohet nga 3 mijë deri në 50 mijë euro për kurimin jashtë vendit.
Treguesi direkt i keqmenaxhimit të situatës së pandemisëështë rritja e lartë e vdekshmërisë shtesë. “Health Data”,institut amerikan për vlerësimin e shëndetit, e renditi së fundmi Shqipërinë të katërtën në botë për nivelin e vdekjeve reale nga Covid-19 në raport me popullsinë, pas Azerbajxhanit, Bosnjë-Hercegovinës dhe Bullgarisë. Shqipëria kishte në total 529 vdekje për 100 mijë banorë, për periudhën mars 2020 deri në maj 2021, duke u renditur e katërta ndër 20 vendet me vdekjet reale më të larta nga Covid-19.
Edhe më herët, të dhënat kombëtare dhe ato të Eurostat për shtetet e Europës treguan se Shqipëria kishte rritjen më të lartë të vdekjeve në periudhën e pandemisë dhe ndër të parat në Europëpër shtesën e fataliteteve në raport me popullsinë, përveç atyre shteteve që edhe në vite normale kishin një normë të lartë vdekshmërie, si p.sh. Bullgaria. Sipas INSTAT, nga prilli 2020 deri në mars 2021, u shënuan rreth 9,300 vdekje shtesë në krahasim me periudhat përkatëse të vitit të mëparshëm, kur virusi nuk ishte i pranishëm.
Ndryshe nga vendet e zhvilluara të botës, që zgjodhën jetët e njerëzve mbi gjithçka, në Shqipëri, ekonomia fitoi mbi shëndetin dhe pasojat – ndryshe nga ato të karantinës- janë të parikuperueshme. Por, më e patolerueshmja, është se tashmë që ekonomia e vendit po rikuperon me shpejtësi, dështimi po na shitet si sukses! /Monitor/