Vijon të jetë e mbuluar nga misteri ngjarja e rëndë që ndodhi mesditën e datës 18 maj në Tiranë, në lagjen “Ali Demi”, ku një 23-vjeçare u gjet e pajetë në banesën ku jetonte me qira. Viktima ishte studente dhe jetonte e vetme.
Kur ngjarja u bë publike, u aludua se viktima Evgjeni Baxho kishte ndërruar jetë si pasojë e një infeksioni në dhëmballë, por në dokumentin e Policisë Gjyqësore janë zbardhur detaje të frikshme. Dje dolën në dritë detaje të tjera rreth vdekjes misterioze të studentes Evgjeni Baxho. Megjithëse në fillim u raportua se 23-vjeçarja mund të kishte vdekur si pasojë e heqjes së një dhëmballe, ngjarja është më e komplikuar se kaq. E duket se provë për këtë janë disa simbole misterioze që janë gjetur të shkruara në trupin e saj, në bark dhe në shpinë.
NGJARJA
Ngjarja ka ndodhur mesditën e datës 18 maj në Tiranë, në rrugën “Teodor Muzaka” në lagjen “Ali Demi” në Tiranë. Ajo çfarë e mbush me më shumë mister ngjarjen është se në trupin e saj janë gjetur dy simbole të panjohura të bëra me lapostil të kuq, nga të cilat një nga simbolet e shkruar në kurrizin e viktimës ka tri shkronja shpjegon oficerja B.K. në dosjen që disponon “Top Channel” dhe në pjesën e parme të trupit të viktimës ka të vizatuar një tjetër simbol. Mjekësia Ligjore ende nuk dalë më një rezultat për shkakun e vdekjes, ndonëse jo zyrtarisht thotë se shkaku mund të ketë qenë tromboza.
DOSJA HETIMORE
Grupi i hetimit shton për ngjarjen në fjalë se gjeti pranë vajzës një recetë, një raport të marrë nga instituti shëndetësor të firmosur në datën 12 maj, një fletë e bardhë e shkruar me shkrim dore me stilolaps blu, që fillon me fjalët: “Vetë nga fjala virtualizëm dhe përfundon me shkronja shtypi DISK DEFRAGMENT”. Burimet thonë se letra ka 16 rreshta ku pas numrit 4 shkruhet “borë metal”. Ndërkohë, për ngjarjen në fjalë është marrë në pyetje një 26-vjeçar me inicialet S.S. “E kam njohur Evgjeni Baxho, pasi punonte te ‘V…’ dhe e kam njohur pasi i çoja kafen te dyqani. Ditën e diel, duke qenë se ajo kishte 10 ditë që nuk kishte ardhur në punë, i shkrova në ‘Instagram’ dhe e pyeta nëse do dilte për kafe. Pranoi dhe dolëm për kafe në Farkë. E kam pyetur për shëndetin dhe më tha që i dhembnin pak bajamet dhe kam vënë re që ishte pak e ënjtur tek buza. Nuk kemi qëndruar shumë pasi bënte freskët dhe ndërkohë e mori edhe tezja në telefon, së cilës ia mbylli telefonin dhe Evgjenia tha ‘hajde çohemi se do vete pak te tezja’”, është shprehur ndër të tjera dëshmitari.
VENDI I NGJARJES
“Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është vënë re në trupin e kufomës, në pjesën e barkut një shkrim i panjohur, i bërë me lapostil me ngjyrë të kuqe nga kërthiza deri në pjesën e ezofagut. Po ashtu, gjatë autopsisë në pjesën e shpinës së kufomës janë vërë re tri shkrime të tjera të panjohura, të bëra po ashtu me lapostil të kuq”, thuhet në dokument. Më tej thuhet se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy telefonat tip “Samsung” në pronësi të viktimës, një laptop i saj, një tampon steril me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut dhe një fletë format A4 e shkruar me stilolaps blu. Po ashtu, edhe disa fletë të tjera me simbole dhe figura të panjohura të shkruara me ngjyrë të kuqe dhe jeshile. “Gjatë këqyrjes së banesës në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy telefonat tip ‘Samsung’ në pronësi të kufomës dhe një laptop i saj. Po ashtu janë sekuestruar një tampon steril me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut, për të cilën është bërë vendimi biologjik”.
/Top Channel/