Nga Erl Kodra
“Ju mund të lëkundni më shpejt mendjet e një mijë burrave vetëm duke iu drejtuar paragjykimeve të tyre, sesa të bindni një njeri me logjikë.”
Robert Anson Heinlein, 7 korrik 1907 – 8 maj 1988, shkrimtar amerikan.
Rënia e sistemit
“Gabimi që bëni, dhe nuk e shihni, është në të menduarit se dikush mund të jetojë në një shoqëri të korruptuar pa u korruptuar vetë. Tek e fundit, çfarë arrini duke refuzuar të bëni para? Ju vetëm po përpiqeni të silleni si dikush që mund të qëndrojë jashtë sistemit ekonomik. Por kjo nuk është e mundur. Prandaj duhet ndryshuar sistemi, përndryshe nuk mund të ndryshoni asgjë. Askush nuk mund t’i rregullojë gjërat siç duhet duke luajtur vrimave dhe qosheve.”
George Orwell
E fillova këtë shkrim me dy citate të dy shkrimtarëve të famshëm, që ngjajnë si të shkruara për ne shqiptarët. Në të vërtetë, kur shkruan tekste të tilla ekziston një rrezik që të përsërisësh në mënyrë lineare atë që është thënë shumë herë nga të tjerët, dhe kështu të biesh në një lloj rutine që nuk ka më asnjë efekt tek lexuesit. Prandaj është shumë e rëndësishme jo vetëm mënyra se si i parashtron faktet, por mbi të gjitha qëndron forca për t’i thënë gjërat pa mëdyshje, dhe me emrin e tyre të vërtetë.
Ajo çfarë ndodhi më 25 prill nuk është thjeshtë humbja e Partisë Demokratike, as fitorja e mandatit të tretë nga Edi Rama, por atë ditë u konsumua pa sukses edhe përpjekja e fundit për të bërë sistemin të funksionojë. Në të vërtetë unë kam patur dyshimet e mia, tashmë të konfirmuara, se në këto kushte opozita nuk ka asnjë mjet efektiv, ligjor ose politik që të mbrojë sistemin, prandaj përpjekjet e saj përmes mjeteve të zakonshme politike nuk do të mund të ndryshonin asgjë.
Kapja e shtetit nuk është një akt që ndodhë me tanke, as me vendime parlamenti, ose ndryshe me dekret presidencial. Në fakt kapja është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, që ndodhë përditë e nga pak, që kërkon vite e vite të tëra kalkulimesh komplekse, planesh të mirëmenduara dhe burime njerëzore të individëve të korruptuar. Vet shteti është një lloj mekanizmi i ndërlikuar ligjesh që refuzon kapjen, njëlloj organizmi me anti-trupa që e mbrojnë atë nga viruset. Prandaj procesi është i gjatë dhe i vështirë – por jo i pamundur – sidomos në kushtet e varfërisë ekstreme dhe të një shoqërie të kriminalizuar.
Në një shoqëri të tillë, ashtu siç thotë George Orwell, nuk është e vështirë të gjenden individë të gatshëm për t’u korruptuar, sepse askush nuk dëshiron të mos bëjë para, të jetojë në varfëri, ose ta përjashtojë veten nga sistemi ekonomik. Ne jemi një shoqëri e vogël dhe e varfër, ku gjithkush njeh çdokënd, që bubrrojmë për mbijetesë përmes ryshfetit, dhe të paaftë ose të pamësuar të kuptojmë të drejtat tona, përfshirë edhe të drejtat bazë. Në këtë kuptim ne jemi një shoqëri që ka legalizuar veset më të zeza të qenieve humane, por të aftë të mbijetojmë bash në këtë llum njerëzor, mes dhunës, krimit, korrupsionit dhe mafias.
Edi Rama ishte një individ plotë ambicie dhe ego personale për pasuri, pushtet dhe karrierë politike. Një artist mesatar por inteligjent, ai kishte shfaqur hapur këto ambicie që në vitet 1990, por rasti i erdhi vetëm në vitin 1998, kur braktisi jetën prej emigranti në Paris, për të marrë postin e Ministrit të Kulturës në qeverinë e Kryeministrit Fatos Nano. Vetëm dy vite më vonë ai zgjidhet Kryetar i Bashkisë Tiranë, post të cilin e mban deri në vitin 2011. Që prej asaj dite, Edi Rama filloi të kthehet në një qendër graviteti për të zhvillimet e mëvonshme politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Ai ishte personi i duhur, në vendin dhe kohën e duhur, prej ku do të kishte zanafillën kapja e njërës prej shtyllave më të rëndësishme për një shoqëri – shtypin e lirë. Rastësisht apo jo, mediat më të rëndësishme në vend e kanë zanafillën në ato vite, ndërkohë që edhe sot ato vazhdojnë të jenë nën shërbim. I vetmi televizion i pakapur, u mbyllë prej tij – pavarësisht çmimit të lartë prej 140 milion eurosh që vendi duhet t’i paguaj biznesmenit Francesco Becchetti.
Liria jep rezultate, ashtu siç jep edhe kapja. Mercenarët e Ramës gjenden gjithandej, në çdo pikë të komunikimit publik, në institucione dhe shoqëri civile, në agjensitë e zbatimit të ligjit dhe gjykata. Sot as fija e barit nuk lëvizë jashtë vullnetit të tij, ndërsa vet shteti dhe Kushtetuta ngjajnë si shtojca të pavlera dhe telashe të mërzitshme, që thjeshtë injorohen pa teklif. Shteti ka pushuar së qeni shtet në kuptimin që i jep fjalori i Oxfordit – një vend i konsideruar si një bashkësi e organizuar politike e kontrolluar nga një qeveri – sepse shteti i Ramës nuk ka asnjë vijë që ndanë shtetin me mafian dhe krimin e organizuar. Tashmë shteti dhe mafia janë një.
Opozita e vendit prej disa vitesh endet në zgrip të legjitimitetit, e frustuar nga sulmet dhe padrejtësitë, por e paaftë të rebelohet kundër Shtetit Ramist. Përpjekja e fundit për të mposhtur Ramën përmes mjeteve legale brenda shtetit të kapur, dështuan me sukses. Kështu Edi Rama mund të fitojë sa herë të dojë, deri ditën që t’i mërzitet zyra me flutura. Arsyeja – sistemi ka rënë plotësisht. Në vendin tonë të dashur asgjë nuk levizë – as gjethet në pemë – pa izën e tij. Si një fitimtarë i pamëshirshëm, ai po shijon plaçkën e fituar, duke bërë plane për vitet 2030.
Asnjë shenjë se diçka mund të sjellë ndryshimin, nuk ka. Partia Demokratike është futur në një fazë interesante vet-fajësimi, duke e vuajtur deri në dhimbje humbjen e pamerituar, ndërsa kuleçët e Ramës brenda saj kanë filluar të lëvizin. Në një sinkron të çuditshëm, të gjithë kërkojnë demokratizimin e opozitës, ngjashëm me ujkun që akuzon qingjin e butë për rrëkenë e ujit të turbulluar. Dhe qingjat e shkretë bëjnë saktësisht atë që ujku u kërkon – blegërijnë plotë trishtim për fatin që i ka goditur padrejtësisht.
Pikëpyetja e stërmadhe harkon mbi horizont, ndërsa poshtë enden njerëzia – edhe ata të frustuar me Partinë Demokratike për pafuqinë e saj – plotë dyshime, të lëkundur nga paragjykimet e tyre, ashtu siç thotë Robert Heinlein në krye të këtij teksti. Sistemi nuk funksionon ndërsa shteti ramist sapo ka gjunjëzuar një shoqëri të tërë.
***
Gjendja është e rëndë. Sistemi sapo refuzoi fitoren e opozitës shqiptare, jo se ajo nuk ishte një alternativë e mirë, jo se ajo nuk kishte një program, jo se ajo nuk ishte e gatshme për të qeverisur vendin. Sistemi nuk funksionoi sepse ai është kompromentuar plotësisht, njësoj si një organizëm i kontaminuar me helm. Asnjë kurë nuk mund të shpëtojë sistemin – asgjë përveç operacionit radikal. Prandaj ky sistem duhet shembur, me çdo kusht, me çdo çmim.
Loja me fatet e vendit nuk është një shaka me “procese domokratike brenda opozitës”. Vet opozita duket si viktima më e madhe, e paaftë të reagojë në kohën e duhur dhe energjikisht. Prandaj kjo çështje nuk është më vetëm punë opozitës, por e vet qytetarëve të vendit.
Dikush duhet të hedhë hapin e parë. Të tjerë do të pasojnë – me siguri.