Protestat pro palestineze në Tiranë dhe Prishtinë dhe fryma erdoganizëm

Nga Boldnews.al

Prishtina dhe Tirana i janë bashkuar disa prej kryeqyteteve, përfshi këtu edhe Beogradin, me protesta, sporadike, në mbështetje të Palestinës, ndërkohë që konflikti mes Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në ditën e 6.

Në Beograd apo në disa nga vendet ku janë mbajtur protesta gjithçka mund të lidhet me faktin se Palestina është një nga vendet që nuk njeh Kosovën, madje edhe pankartat që janë përdorur nga protestuesit janë pikërisht në këtë frymë.

Por çfarë ndodh në Prishtinë dhe Tiranë, ku pavarësisht se nuk ka masivitet në mbrojtje të Palestinës, edhe pse konflikti në Lindjen e Mesme është mes Izraelit dhe Hamasit, janë organizuar tubime. Pyetja që lind është kush qëndron pas këtyre tubimeve?

Në Kosovë, Qeveria përmes Ministrisë së Jashtme, u pozicionua në krah të Izraelit, duke u shprehur se mbështet të drejtën e këtij shteti për t´u mbrojtur.

Qeveria e Tiranës është mjaftuar me një reagim neutral, të paktën publikisht, ku palëve u bëhej thirrje që të ndalnin konfliktin. Një nga ato reagimet që në gjuhë popullore quhet “m´ka çu nëna me la gojën”, duke e pozicionuar linjën zyrtare të Qeverisë Rama me asnjë nga vendet, edhe pse Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, e rendit Shqipërinë ndër vendet që mbështet të drejtën e Izraelit për t´u mbrojtur nga sulmet e Hamas.

Dhe kjo nuk vjen sepse pozicionimi i Shqipërisë në konflikt mund të kishte ndonjë peshë, por për faktin se politika në tërësi duket e kapur nga fryma erdoganiste.

Kjo u pa edhe kur Presidenti Trump vendosi të njohë Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, ndërsa kërkoi zhvendosjen e përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e ri, ndërsa Tirana zyrtare e dyzuar, ende nuk ka një vendim dhe fshihet pas BE-së. Jo se Qeveria Rama i druhet BE-së apo se ndjek një politikë me të njëjtën gjatësi vale me Unionin, por se gjithçka këtu funksionon sipas linjës Erdogan.

Nëse Tirana zyrtare do të shqetësohej për standardet e BE-së, minimalisht do të respektonte këto standarde në proceset zgjedhore, pra do të lejonte një votim të lirë, pa ndërhyrje dhe presione, pa blerje e shantazhe, pa kërcënim me bukën e gojës të atyre fatkeqëve që i duhet të ulin kokën se fëmijët i mbeten të uritur.

E ndërsa Rama nuk e fsheh erdoganizmin e tij dhe e pranon që e ka mik Presidentin turk, duket se edhe opozita ka rënë në këtë kurth.

Një heshtje e pakuptimtë, jo për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, por për çdo çështje ku Erdogan shfaq një qëndrim, që mund të mos jetë aspak në përputhje me ata që konsiderohen si aleatë strategjikë. Dhe duket se mospozicioni i qartë i shkon për shtat pikërisht qëndrimeve as “mish as peshk” të Qeverisë, jo vetëm për këtë konfliktin e fundit, por edhe për atë se çfarë mendon për zhvendosjen e ambasadës shqiptare nga Tel Avivi në Izrael.

Ky i fundit, me ndikimin amerikan, njohu Kosovën si shtet të pavarur, por edhe i kthehu një “borxh” të vjetër shqiptarëve për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. E ndërsa Prishtina zyrtare, muaj më parë, zhvendosi selinë e saj diplomatike, në Tiranë heshtet dhe duket se gjithçka ka lidhje me shtrirjen e frymës erdoganiste në kupolën politike.

Në Tiranë u mbajt një protestë, ku u shfaq edhe flamuri kombëtar i Turqisë, ndërsa Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, e ka cilësuar “Izraelin një shtet terrorist”, një nga qëndrimet më të ashpra të shfaqura deri më tani nga momenti i nisjes së konfliktit të fundit në Lindjen e Mesme.

Si në Prishtinë, ku çuditërisht protesta u mbajt pothuajse në të njëjtën kohë me atë në Beograd, ashtu edhe në Tiranë, pjesëmarrësit në protestë, më shumë se sa të prekur nga konflikti, duket se janë përdorur pikërisht nga fryma erdoganiste që po fiton terren, veçanërisht në klasën politike.

Është pak e vështirë të besosh se protestuesit, pavarësisht numrit të paktë, kanë njohur mbi konfliktin, apo janë aq të informuar rreth zhvillimeve në Lindjen e Mesme.

Ndaj dhe duket se ato thjesht po përdoren, për një çështje për të cilën as Qeveria dhe as opozita nuk ka një qëndrim pro apo kundër njërës apo tjetrës palë.

Si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë 1 mijë probleme që lidhen me varfërinë, korrupsionin, keqqeverisjen, krimin, pronat, dhe gjithçka tjetër që ka lidhje me jetën e përditshme, për të cilat mund të protestohet dhe çdo protestë e tillë do të kishte sens, do të kishte kuptim dhe do të ishte e legjitimuar.

Por jo, shqiptarët andej dhe këtej kufirit, janë të shqetësuar për konfliktin në Lindjen e Mesme, marrin përsipër të analizojnë Netanjahun, ndërkohë 3 javë më parë, kur mbaheshin zgjedhjet, me indiferencën apo shitjen, i dhanë mandatin e 3-të Edi Ramës, pavarësisht se Tiranën e mbyti me gaz dhe për muaj me rradhë e ktheu në një “Rrip Gaze”.
Në fakt Tirana nuk e meritonte të trajtohej si e tillë nga ai që ka frikë të marrë një vendim apo një qëndrim se mos mërzitet Erdogani.