Fatura e 25 prillit dhe aksionet e Bashës

Nga Gjergj Koja

Tre javë pas zgjedhjeve të 25 prillit duket se vëmendja kryesore është te zhvillimet në Partinë Demokratike, të lidhura këto me humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit, ku Edi Rama arriti të rrëmbejë mandatin e 3-të si Kryeministër.

Një proces me shumë anë të errëta, një fushatë ndryshe për shkak edhe të kushteve të krijuara nga pandemia, por me skema të ngjashme manipulimesh me ato që aplikohen së paku që nga 2001.

Përtej çdo debati lidhur me zgjedhjet, akuzat dhe kundërakuzat, presionet dhe shantazhet, përdorimi i të fortëve dhe parave të zeza, makineria e PD dështoi përballë makinerisë shtetërore të Rilindjes. Dhe dështimi nuk lidhet vetëm me humbjen, por me atë se asnjë prej masave, qofshin ligjore apo organizative, nuk garantoi një proces të ndershëm dhe të lirë.

Muaj përpara zgjedhjeve, PD u angazhua në atë që u quajt si Komiteti Politik lidhur me reformën zgjedhore, duke propozuar një seri amendamentesh ligjore, që me 25 prill, referuar edhe akuzave të vetë selisë blu, rezultuan një hiç ose një zero. Kjo për vetë faktin se proceset zgjedhore më shumë kanë lidhje me vullnetin e mirë për të shmangur lojën e pandershme, se sa me propozime që hidhen në copa letrash, më pas miratohen si ligje dhe në tërësinë e tyre konsiderohen si reforma zgjedhore.  Kjo përbën edhe fillesën e problemit të zgjedhjeve shqiptare.

Sot është shumë e thjeshtë të gjesh deklarimet publike të bëra muaj më pare në emër të partive opozitare, ku shprehej optimizmi se me masat e reja të propozuara, votat nuk do të mund të prekeshin, vullneti i shqiptarëve do të lexohej ashtu sikundër ishte dhe garantoheshin zgjedhjet më të mira. Pas 25 prillit, po nga aktorët opozitare u tha se rezultati zgjedhor nuk njihej, se manipulimet kishin tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve dhe se votat ishin blerë nga makineria shtetërore.

Pra, me pak fjalë, skemat e propozuara nga opozita, dështuan në garantimin e procesit zgjedhor, gjë që për këdo që është angazhuar qoftë edhe në një proces elektoral është e qartë se garantimi nuk vjen as nga makineritë e identifikimit biometrik, as nga ashpërsimi i ndonjë ligji për dënime komisionerësh apo numëruesish.

Kjo për vetë faktin se manipulimi nuk ndodh më me kutitë apo te kutitë në momentin kur hapen për numërim, por të paktën 48 orë përpara datës së zgjedhjeve.

Sot situata është kjo; Edi Rama do të ketë në Parlamentin e ri 74 mandatet e sigurta të PS-së, ndërkohë që 3 të tjera i ka si dhuratë nga PSD e Tom Doshit dhe ndoshta gjatë rrugës mund t´I bashkohet edhe ndonjë ligjvënës opozitar.  PD e Lulzim Bashës ka 59 mandate dhe 4 të tjera i përkasin LSI-së.

Tre javë pas zgjedhjeve, ajo që po ndodh është gjykimi i fituesit, ndërkohë që zëra sporadikë brenda PD-së artikulojnë kërkesën për dorëheqjen e Lulzim Bashës. Shkaku është humbja e zgjedhjeve, të cilat vetë Basha i konsideron si të manipuluara dhe që nuk njeh rezultatin, që do të thotë se nuk pranon marrjen e përgjegjësive.

Përtej këtij fakti, çështja më e rëndësishme është se çfarë do të bëjë PD, do të zgjedhë rrugën e ringritjes apo vazhdimësisë?

Kjo e dyta ka treguar se nuk është efikase, jo vetëm sot që PD e drejton Lulzim Basha, por edhe në opozitën e 1997-2005 kur drejtohej nga Sali Berisha. Janë dy periudha shumë të ngjashme përsa i takon sjelljeve, zhvillimeve të brendshme apo edhe përplasjeve.

Sali Berisha e drejtoi PD në 8 vitet e opozitarizmit të tij me dorë të hekurt, duke mos njohur rezultatet zgjedhore në të paktën dy palë zgjedhje 2001 dhe 2003, por të paktën për zgjedhjet e 20 viteve më parë arriti të rrëzonte poshtë mazhorancën e frikshme të 84 votave të dyshes Nano-Meta, duke e detyruar kreun socialist të asaj kohe, Fatos Nano të ulej dhe të bënte marrëveshjen me kreun e PD-së për zgjedhjen e drejtuesve të disa institucioneve, përfshi edhe Presidentin.

Basha në krye të PD prej 2013-ës ka humbur çdo proces zgjedhor me Edi Ramën. Ka humbur zgjedhjet e 2015, 2017, bojkotoi 2019 dhe humbi 2021. Të katërt proceset u kontestuan, por asnjë prej tyre nuk u rrëzua për të detyruar Ramën të ulej në bisedime, jo për ndarje pushteti, por për ti deligjituar atij mandatet shtesë të fituara padrejtësisht.

Sa i takon zhvillimeve të brendshme, duket se Basha kopjoi Berishën në shumë aspekte, ndoshta me metoda më pak të ashpra në largimin e disa prej figurave, por që në fund rezultati ishte i njëllojtë, “pastrimi” i atyre që mendojnë ndryshe, apo rivalëve, pavarësisht potencialit të brendshëm.

Berisha e aplikoi si skemë deri në fillimin e vitit 2005, kohë kur kuptoi se pa një hapje të partisë, nuk mund të krijonte besueshmërinë dhe të bindte elektoratin ta votonte. Në atë kohë ai bëri ndoshta lëvizjen më brilante në gjithë karrierën e tij politike kur ofroi me marrëveshje të shkruar ose të pashkruar, cilindo prej kundërshtarëve që e kishte sulmuar për vite me rradhë më shumë se çdo socialist. Nuk nguroi që të ofronte madje edhe figura që ishin shumë larg qendrës apo së djathtës, duke bërë një gërshetim me shumë prej emrave të rinj, që për kohën i dhanë një tjetër imazh PD-së.  Ky ishte çelësi që Berishës në atë kohë i dha fitoren, ndoshta shumë më të thellë se sa ajo që kishte menduar.

Basha eci pothuajse në të njëjtat gjurmë, por pa mundur që në përfundimin 8-vjeçarit si kryeopozitar të hapë partinë, të krijojë frymën dhe të bashkojë edhe ata që i konsideron si kundërshtarë apo kritikë. Tolerimin e vetëm që bëri mes shumë zërave kritikë ishte ai ndaj Genc Rulit, që e angazhoi në një komision për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, dhe që mbahet mend për këshillat që i jepte Sali Berishës që të mos kandidonte dhe të tërhiqej tërësisht nga politika.

Në deklaratat publike pak ditë para zgjedhjeve dhe veçanërisht pas 25 prillit, Lulzim Basha po i mëshon idesë se PD e sotme është njësoj si në 1991, kur ajo nuk kishte asnjë pushtet, për faktin se 30 vite më parë sapo ishte krijuar. Por dallimi i madh mes PD së 1991 dhe PD të 2021 është fryma, që rrëzon çdo makineri manipulimi, çdo pushtet dhe çdo mur, pavarësisht se kush qëndron në anën tjetër.  Nëse 30 vite më parë PD nuk kishte asnjë pushtet, sepse ishte një forcë e re e krijuar dhe që kishte si armën e vetme “zemrën e qytetarëve”, PD e viteve të fundit e dorëzoi pushtetin, braktisi betejat, la në mes dhjetra e dhjetra revolta popullore, që duket se janë edhe fatura e rezultatit të 25 prillit.

Në kohën kur diskutohej reforma territoriale, ishte po kjo PD që nuk u bë pjesë e procesit, duke lënë fushën e lirë dhe rrjedhimisht kjo u shfrytëzua nga Edi Rama për një ndarje jo thjesht administrative, por në thelb elektorale.

Në 2017 ishte po kjo PD që kishte si kusht mbajtjen e zgjedhjeve pa Edi Ramën Kryeministër dhe në fund ky kusht u katandis në bashkëqevrisjen disa mujore, me të njëjtin Kryetar Qeverie, për të cilin 3 muaj me rradhë demokratët ngryseshin dhe gdhiheshin në çadër, poshtë zyrave të Ramës.

Në 2019, PD e drejtuar nga Basha dorëzoi mandatet e deputetëve me shpresën se Qeveria do të rrëzohej, Parlamenti do të konsiderohej jo-Kushtetues, dhe vendi mund të shkonte drejt zgjedhjeve të parakohshme. Pak muaj më pas, bojkotoi edhe zgjedhjet vendore, fillimisht me premtimin se do të bllokonte procesin dhe më pas zgjedhjet nuk do të njiheshin. Në fund asgjë nuk ndodhi, Rama vijoi gallatën si Kryeministër, kryetarët e bashkive morën mandatet që i kanë edhe sot, ndërsa PD u rikthye në sistem, përmes një tryeze për reformën zgjedhore, me ndërhyrje ndërkombëtare.

Çudia e fundit e partisë së drejtuar nga Basha ishte koha kur negociatat për reformën zgjedhore u zhvendosën në rezidencën e Ambasadores së SHBA dhe pas orë të tëra diskutimesh, përfaqësuesi i saj, u largua nga tryeza për një pushim për të mos u kthyer më në firmosjen e draftit. Çfarë ndodhi? I njëjti draft u firmos në atë kohë nga përfaqësuesit e Lulzim Bashës, pas ndërhyrjes së ambasadorit gjerman.

Të gjitha këto luatje do të kishin një faturë, e cila duket se është ajo e 25 prillit.

Po çfarë do të ndodhë më tej?

Kush e njeh mënyrën e funksionimit të Partisë Demokratike nuk e ka të vështirë të parashikojë se çfarë do të ndodhë. Koha ka treguar se rebelimet e brendshme nuk japin rezultat, aq më tepër kur kryetari ka ngritur një mekanizëm të tërë, që nis nga rrjetet sociale dhe përfundon në agresivitetin e shprehjes, ndaj atyre që mund të konsiderohen si zërat kundër apo kundërshtarë.

Secili prej tyre do të sulmohet, do ti bëhet biografia njëlloj sikundër ka ndodhur gjithmonë, do të fyen dhe në fund do të përjashtohen, apo do të lihen mënjanë, të papërfillur, si shembuj për të tjerë që mund të guxojnë të kritikojnë. Të gjithë ata që sot janë të rreshtuar në atë që quhet grupimi “Për PD” e kanë të qartë këtë, sepse më parë, një pjesë e tyre, ishin pjesë e vendimmarrjeve të mëparshme, kur me të njëjtat forma largoheshin ata që kritikonin.

Por sa mund t´i shërbejë PD-së kjo situatë?

Koha ka treguar se ringritja nuk bëhet duke sulmuar mendimin ndryshe, as kritikët, as ata që kërkojnë marrjen e përgjegjësive, madje as ata që kërkojnë largimin e një kryetari. PD është shumë më e madhe se një kryetar, pavarësisht emrit që ka ai, karakterit që shfaq apo formës së drejtimit që aplikon.

Në 2013-ën, kur Berisha njoftoi dorëheqjen, me dhjetra militantë të kësaj partie u përlotën, ndoshta menduan edhe shkrirjen e kësaj partie, por në fakt PD vijoi ekzistencën e saj, me një format të ri,  herë duke u tkurrur dhe herë më vitale.

Basha tentoi ti japë të njëjtës parti një fytyrë të re, por duke aplikuar të njëjtat forma përjashtimesh dhe mënjanimesh, si PD e para 2005-ës, me gara fiktive për pozicionet drejtuese, duke krijuar një terren të rehatshëm për veten si Kryetar, por që rrezikon ta kthejë në një garnizon të shthurrur.