VIDEO/ Basha: Krimi zgjedhor i 25 prillit më i madhi në histori, beteja vazhdon

Kreu demokrat, Lulzim Basha, ka vijuar turin e takimeve në Lezhë, ku ritheksoi se krimi zgjedhor dhe vjedhja më e madhe në historinë tonë nga Edi Rama dhe Tom Doshi, është një krim ndaj gjithë qytetarëve shqiptarë.

Ndërsa shprehu falenderime për strukturat e PD dhe qytetarët që mbështetën opozitën, Basha tha se megjithëse 25 prilli ishte beteja më e pabarabartë, prapë se prapë nuk ja doli ta ndalte vullnetin e mbi 680 mijë votuesve, duke llogaritur dhe ata votat të cilat u pavleftësuan nga marifeti i Edi Ramës, të koalicionit tonë, të cilët sfiduan frikën, shantazhin, shit-blerjen e votës, kërcënimet me largimet nga puna, joshjen, bandat kriminale dhe votuan për ndryshimin.

“Asgjë nuk ndodhi rastësisht. Ne e dimë fare mirë si e nisëm këtë betejë. Sikundër e dinim prej momentit të parë se kë kishim përballë. Shumëkush vuri bast se shpresa kishte vdekur, se njerëzit nuk do të çoheshin. E kundërta ndodhi”, tha Basha.

Sipas tij, marifeti i ndryshimeve anti-kushtetuese të 5 tetorit dhe ndryshimi i njëanshëm i kushtetutës në 30 korrik i hoqi mandatin e pestë koalicionit tonë në Lezhë.

“5 me 2 ja bënë lezhjanët, mirditorët dhe kurbinasit një regjimi që nuk la gjë pa përdor kundër tyre. Nga blerja masive e votave me bandat kriminale, tek shkelja e ditë përditshme e kodit zgjedhor me punësimet e paligjshme, tek shkëmbimi i votës për legalizime, tek vjedhja dhe përdorimi i të dhënave personale, tek shantazhet e drejtpërdrejta për largimin nga puna dhe natyrisht tek përdorimi i kontingjentit kriminal”, tha ai.

Në vijim kreu demokrat u shpreh se pa asnjë pushtet, me bashkinë e vjedhur nga procesi kriminal i 30 qershorit, me drejtësinë në gjunjë që i lëpihet Arben Ndokës, që jo më kot e lëshuan një javë para zgjedhjeve, njësoj si Altin Hajrit, ja hoqi sekuestron OFL-ja, që në fakt është Operacion Kriminal Negocimi i Edi Ramës me krimin.

“Ne u futëm në këtë betejë sepse ne e dinim që shqiptarët donin dhe duan ndryshimin. Që shqiptarët donin dhe duan një të ardhme më të mirë për veten e tyre, për familjet e tyre. Ndaj, përballë çdo familjeje, përball çdo fermeri, çdo sipërmarrësi të vogël apo të madh, çdo punonjësi në sektorin privat apo publik, përball mjekëve dhe infermierëve, pacientëve dhe familjeve të tyre, arsimtarëve dhe edukatorëve, përball të gjithë operatorëve të ekonomisë shqiptare, studentëve dhe pedagogëve, intelektualëve dhe arsimtarëve, ne dolëm me një program europian me zgjidhje të realizueshme për ta nxjerrë vendin nga 8 vite krizë.

Përballë patëm një kundërshtarë i cili njësoj si në zgjedhjet e kaluara nuk belbëzoi dot një fjalinë të vetme për krizën që ka shkaktuar. Asnjë zgjidhje! Asnjë ndjesë!”, tha Basha.

Kreu demokrat u shpreh se më 25 prill, demokratët dhe koalicioni i drejtuar prej tyre, patën përballë, njëlloj si në 1991, strukturat e sigurimit, duke krahasuar në këtë mënyrë rolin e patronazhistëve.

“Me të gjitha mashtrimet, me të gjitha deformimet, me vjedhjen e votës, me milionat e paguara për të blerë varfërinë e shqiptarëve, me kërcënimet dhe shantazhet për largim nga puna të administratës publike, me të gjitha truket dhe pisllëqet, prapë se prapë diferenca midis nesh është një grusht votash që mblodhi një familje e vetme kriminale.

Djali dhe dhëndri i Aqif Rakipit, po pse këta do ta ndalin Shqipërinë të ndryshojë?! Këta do t’i lëmë ne të na bllokojnë rrugën e ndryshimit që kemi nisur bashkë me shqiptarët? Këta do t’ja thyejnë kokën shqiptarëve? T’i marrin nderin, të ardhmen fëmijëve tanë, prindërve tanë.

E tyre është Shqipëria? E tyre është Lezha? I kam bërë llogaritë gabim edhe Pjerin Nderu, edhe Ndrec Deda, edhe Arben Ndoka, edhe Ardian Nikulaj, edhe ushtarët e tyre. Regjimi Rama-Doshi nuk do të ketë paqe asnjë çast derisa vala e ndryshimit që kemi ngritur së bashku ta përmbysë.

Me të vërtetë ndeshja ndalon kur bëhet një faull, meqë i pëlqen shumë futbolli hajdutit të zgjedhjeve të 25 prillit, siç e dinë të gjithë tifozët e sportit këtu ndonëse unë nuk shquhem, ka kohë që nuk e ndjek dot aq sa dua, por e dimë që kur bëhet një faull nuk mbaron ndeshja.

Jepet karton i kuq dhe gjuhet faulli apo penalltia. Me 25 prill nuk ka mbaruar ndeshja.

Shqiptarët po e ngrenë dhe do i ngrenë kartonët e kuq. Detyra jonë nuk ka mbaruar. Vala e shpresës për ndryshim nuk mund dhe nuk do të bjerë. As Edi Rama, as Tom Doshi, as Aqif Rakipi dhe as bandat e Durrësit, të Shijakut e të Krujës, të Fushë-Krujës, të Kurbinit e të Lezhës, të Shkodrës, askush tjetër nuk mund ta marrë peng këtë vend. Ne treguam se pa asnjë pushtet, të bërë njësh me qytetarët mund ta ngrinim valën e ndryshimit. Ata po bëjnë çdo përpjekje të na ulin kokën, të na dëshpërojnë, të na përçajnë. Po bëjnë gjithçka të çoroditin opinion publik për ta shitur vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në histori, si një fitore të tyre dhe si një humbje të Partisë Demokratike dhe të opozitës”, tha Basha.