Tentoi të hidhej nga godina e Muzeut Historik, qytetari akuza Ballukut

Admir Jahelezi ishte qytetari që u ngjit te skelat e vendosura te Muzeu Kombëtar dhe kërcënoi se do të hidhej nga lartësia. Pas negociatave të zhvilluara me policinë ai ka zbritur dhe ka denoncuar ministren Belinda Balluku.

“Kam marrë në telefon tek ministria e Transportit. Belinda Balluku ma ka mbyllur telefonin. Nuk është marrë asnjë masë. Të takoj edhe ministren Belinda Balluku, unë se kuptoj pse nuk marrin masa.

Ajo është përgjegjëse për dhënien e liçensave të transportit, po bëhet një tregti e pandershme. Kjo më ka detyruar të zhytem në borxhe”, ka deklaruar Jahelezi, duke zbardhur edhe shkakun që e detyroi të kërcënonte me hedhjen nga lartësia.

Lidhur me aktin e ndërmarrë nga biznesmeni nga Kosova, Admir Jahelezi, i cili tentoi të hidhej nga godina e ‘Muzeut Historik Kombëtar’, ka folur edhe vëllai i tij, Ismet Jahelezi.

Ai tha se situata kishte arritur deri në këtë pikë sepse nuk kishte marrë asnjë përgjigjie nga ministria e Transportit në Shqipëri. Ndërsa tha se në Kosovë, ishte takuar edhe me kryeministrin ndërsa këtu sipas tij, çdo gjë është hermetike, e mbyllur.

Ai gjithashtu zbuloi se ishin kërcënuar me jetë nga kompania e transportit ‘Rilindja SHPK’, të cilët donin të ndërprisnin konkurrencën dhe të operonin të vetëm në treg.

“Kemi bërë kallëzim në prokurorinë e qarkut të Tropojës. Na kanë kërcënuar me jetë. Ministria na ka bllokuar liçencën që mos të operonim më. Na ka dalë dhe na kërcënuar pronari i agjensisë së transportit ‘Rilindja SHPK’. Në Kosovë kemi taku edhe kryeministrin. Ndërsa këtu është hermetike çdo gjë, e mbyllur.

Arsyeja e këtyre kërcënimeve, është fakti që ata nuk duan të kenë konkurrencë, duan të krijojnë monopol”- është shprehur vëllai i biznesmenit që tentoi të hidhej nga godina e Muzeut Historik, raporton Faxnews.