Analiza e Durrësit, 136 vota ia hoqën mandatin LSI-së dhe ia dhanë PS-së

Pjesëmarrja në zgjedhjet e 25 prillit në qarkun Durrës ishte relativisht e lartë, gjë që favorizoi opozitën, por Lëvizja Socialiste për Integrim e humbi mandatin e fundit me 137 vota, gjë që i dha avantazh socialistëve.

Partia Socialiste arriti të fitojë zgjedhjet në qarkun e Durrësit duke marrë tetë mandate dhe duke lënë pas Partinë Demokratike në opozitë me gjashtë mandate pasi arriti të përmirësojë edhe më tutje rezultatin e saj të katër viteve më parë, ndërkohë që Partia Demokratike pësoi rritje të fortë ndërsa LSI humbi mandatin për një grusht votash.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, në qarkun Durrës u hodhën gati 11 mijë vota më shumë se sa katër vjet më parë, nga të cilat, rreth 7 mijë iu dhanë partive të opozitës dhe 4 mijë PS-së. Rezultati 8 me 6 në mandate për socialistët reflekton humbjen e mandatit nga LSI dhe jo fitoren e thellë për PS. LSI mori 9480 vota në këtë qark ku mandati i fundit iu dha Partisë Socialiste me 9616 vota.

Kjo është arsyeja se pse LSI ka kërkuar në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve rinumërim dhe rivlerësim të votave të Qarkut Durrës.

Qarku i Durrësit konsiderohet zakonisht si fushëbetejë për zgjedhjet në Shqipëri për shkak të luhatjeve të konsiderueshme në historinë e shkurtër zgjedhore të vendit. Ai është edhe një nga të paktat qarqe me rritje të popullsisë. Në vitin 2009, të 13 deputetët e qarkut u ndanë shtatë për Partinë Demokratike, 5 për PS-në dhe 1 për LSI-në. PD realizoi një fitore të konsiderueshme duke marrë 60 mijë vota ose 46%, një rezultat që nuk e pa më deri në vitin 2021. Por Partia Socialiste e ka përmirësuar në vijimësi rezultatin e saj në qark me metoda kontroverse, përfshirë ndihmë nga struktura të krimit të organizuar. Ajo pati marrë 49 mijë vota më 2009 ndërsa arriti të marrë gati 78 mijë ose 50% në vitin 2021. Votat pëlqyese sugjerojnë se socialistët ia dedikojnë suksesin e tyre në veçanti kryeministrit Edi Rama, i cili garoi në këtë qark dhe mori gati 16 mijë vota, por edhe Lefter Kokës, Rrahman Rrajës e Jurgis Çyrbes.

Koka, ish-ministër i LSI-së, mori 9,600 vota personale, duke u renditur menjëherë pas Ramës ndërsa Rrahman Rraja, një deputet që u bë i njohur për publikun për shkak të problemeve të të birit dhe disa të afërmve të tjerë me drejtësinë, mori gati 7800 vota pëlqyese.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike duket se u kthye me forcë në Durrës duke marrë 63 mijë vota ose 20 mijë më shumë se sa në vitin 2017 ndërsa LSI humbi 12 mijë vota. Për nga numri i votave, ky ishte rezultati më i lartë i arritur nga PD që nga viti 2009, ndonëse në përqindje të votave të vlefshme ajo mbetet nëntë pikë larg socialistëve. PD dhe LSI së bashku morën 73 mijë vota, rreth 4 mijë më pak se sa socialistët.

Qarku i Durrësit u nda 8 mandate për PS, 6 për PD dhe 2 për LSI në zgjedhjet e vitit 2017 ndërsa rritja e opozitës mund ta kishte ndarë rezultatin në mandate barabartë në shtatë me shtatë, në rast se LSI do të kishte marrë vetëm 137 vota më shumë nga sa mori.

Formula e D’Hondt e mesatareve më të larta, e cila përdoret për të ndarë mandatet e deputetëve në Shqipëri, bën që një numër i vogël votash të bëjnë diferencën mes fitores dhe humbjes. LSI ka humbur mandat për pak vota në Berat dhe në Durrës ndërsa PD duket se ka humbur mandat në favor të Partisë Socialdemokrate në Shkodër.

Rreth 83% e votuesve të demokratëve dhe socialistëve dhanë një votë pëlqyese për një kandidat të caktuar në këto zgjedhje. Mes socialistëve, vetëm 16% e votave iu dhanë kandidateve gra ndërsa mes demokratëve, 31% e votave u fituan nga kandidatet, një nga kuotat më të larta në vend.

Farmacistja Manjola Luku, 44 vjeç, me banim në Manëz, ishte kandidatja grua më e votuar në qark me mbi 6100 vota pëlqyese. Ajo gjendet në vend të nëntë në listën e Partisë Demokratike kështu që nuk do të jetë deputete në parlamentin e ardhshëm pavarësisht se ka marrë më shumë vota pëlqyese se edhe vetë Edi Paloka, i cili drejtonte listën e demokratëve në këtë qark. Andia Ulliri, një menaxhere në firmë private nga Kruja, u rendit e dyta kandidate grua me gati 5,600 vota pëlqyese.

Ish-deputeti Igli Cara ishte kandidati më i votuar i demokratëve me 6,900 vota pëlqyese por ai nuk do të jetë deputet sepse është përcaktuar i shtati në listën e PD-së. /BIRN/