Harxhi: Basha do të ketë surpriza shumë interesante më 22 korrik

Edith Harxhi, nga “Grupimi për PD”, ishte e ftuar në studion e “Dita jonë”, nga ku përsëriti synimin e këtij grupimi për reformimin e Partisë Demokratike.

“Ne kemi dalë si grupim që në vitin 2017, por pa emërtime. Kemi pasur edhe mjaft anëtarë të tjerë në grup që u shpërndanë në lëvizje të reja politike. Unë qëndrova brenda partisë dhe mendova se rruga më e mirë për të kundërshtuar autoritarizmin në parti, është të punosh brenda në parti. Ne synojmë reformimin e thellë të Partisë Demokratike. Ajo është ngritur mbi disa shtylla, por pas 30 vitesh duheshin rishikuar këto shtylla, sado mirë të kishin shkuar gjërat. Partia duhet të përmbledhë interesat e të gjithë brezave. PD-ja nuk e ka arritur këtë dhe prandaj ka një rezultat të tillë. Shqiptarët kanë humbur shpresën dhe ajo që sjell shpresën është opozita. PD-ja nuk arriti të ngjallë shpresë”, deklaroi Harxhi.

Sipas saj, “reformimi vjen nëpërmjet hapjes, bashkimit të të gjithë atyre që kanë ikur, por edhe shqiptarëve të diasporës. Ka shumë shqiptarë në Evropë dhe Amerikë që duan të bashkohen, por duhet të kesh listat e hapura që këta njerëz të vijnë”.

Në lidhje me ankimimet e PD-së, Harxhi u shpreh skeptike: “Jam e sigurt që juristët e PD-së kanë mbledhur prova, por komisionerët e PD-së dhe LSI-së nuk kanë vendosur asnjë ankim në procesverbale. Është e sigurt që vota është blerë, por gjithçka është bërë përpara procesit të votimit. PD-ja duhet të bënte ankimimin që te komisionerët, por ata ishin të papërgatitur sepse Basha doli menjëherë duke thënë se kishte fituar. Edhe vetë kupola e PD-së ishte fatkeqësisht i papërgatitur për këtë humbje”.

Kur u pyet nëse ka pasur reagim nga zoti Basha pas daljes publike të grupimit, Harxhi u përgjigj: “Basha është i heshtur, nuk ka pasur reagime fare. Ai mendon se nëpërmjet heshtjes do të marrë kohën e duhur për t’u rizgjedhur në parti me një ngrirje-shkrirje tjetër. Por, këtë radhë Basha do të ketë surpriza shumë interesante në 22 korrik”.