Kreu demokrat Lulzim Basha do të nisë turin e takimeve në të gjitha qarqet e vendit, në atë qe e konsideron si nisjen e betejës kundër Edi Ramës.
Ndalesa e parë e kreut demokrat do të jetë Lezha, ku pritet që pasditen e së martës të zhvillojë takimin me qytetarë dhe strukturat e PD-së.
Nga raportimet mësohet se takimi do të nisë në orën 17:00, ndërsa të pranishëm do të jenë jo vetëm kandidatët që kanë marrë mandatin në Qarkun e Lezhës, por edhe ata që nuk arritën të shpallen si fitues.
Basha ka paralajmëruar se do tëtakohet me qytetarët për të denoncuar manipulimin zgjedhor, ndërsa demokratët kanë paraqitur kërkesat në KQZ për ripërsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në 10 qarqe, me përjashtim të Kukësit dhe Dibrës.
Më herët kreu demokrat ka kërkuar nga kandidatët për deputet në zgjedhjet e 25 prillit që të zbresin në bazë, të takohen me strukturat dhe qytetarët, të denoncojnë manipulimin e votave, ndërsa rezultati zgjedhor i shpallur nga KQZ nuk njihet nga PD dhe partitë e tjera aleate.