Këshilltari për Çështjet Ligjore në Presidencë, Bledar Dervishaj, ka dalë sot me një deklaratë për mediat pasi Kuvendi rrëzoi 10 dekretet e Presidentit Ilir Meta për reformën në drejtësi.
Dervisha tha seKuvendi nuk e argumentoi vendimin e tij për rrëzimin e dekreteve në baza ligjore, por sipas tij u pa një “retorikë politike dhe gjuhë përbaltëse”.
“Sot fatkeqësisht dëshmuam si seanca e plenare e Kuvendit që po i përfundon mandati rrëzoi 10 dekrete të Presidentit që rikthyen 10 ligje që prekin themelin e reformës në sistemin e drejtësisë.
Ndërkohë që prisnim të dëgjonim në diskutime përpjekje për të argumentuar ligjërisht, dëgjuam retorikë politike fjalë boshe pa asnjë vlerë për shoqërinë, gjuhë përbaltëse e aspak të denjë për një shtet të së drejtës.
10 ligje Kuvendi arrin t’i shqyrtojë brenda një ditë, këtë ritëm do e kishte zili cdo vend evropian për deputetët e tij.
Kuvendi në një ditë, më 23 mars të këtij viti miratoi 10 ligje të hartuara nga qeveria që ndryshojnë rrënjësisht reformën e që u kthen në muajin prill me dekrete nga Presidenti, ndërkohë që u ndryshuan brenda një dite, janë hartuar miratuar e konsultuar pas një analize 2 vjeçare të gjithë sistemit të drejtësisë në vitet 2015-2017.
Reforma në drejtësisë në këto vite iu besua një grupi ekspertësh të nivelit të lattë e iu hoq qeverisë e drejta për të ndërhyrë. Roli i Kuvendit në këto vite ishte rol certifikues i produktit të ekspertëve të nivelit të lartë të huaj e vendas pa pasur të drejtën qeveria për të ndërhyrë në thelbin e tyre”, deklaroi Dervishaj.
Mazhoranca nuk është mjaftuar sot vetëm me ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Në seancën e së premtes, u rrëzuan edhe dekretet e kreut të shtetit, i cili kishte kthyer për rishtyqrtim në Kuvend ndryshimet në 10 ligje të paketës së reformës në drejtësi.
DEKLARATA E PLOTË
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të organizmave të shoqërisë civile dhe të huaj në Shqipëri,
Sot, fatkeqësisht dëshmuam se si Seanca Plenare e Kuvendit në ikje, rrëzoi 10 Dekrete të Presidentit të Republikës, që kishin kthyer për rishqyrtim në Kuvend 10 ligje që prekin themelin e Reformës në Drejtësi.
Ndërsa prisnim që të paktën të dëgjonim në diskutimet e deputetëve, përpjekje për të argumentuar ligjërisht rrëzimin e Dekreteve, fatkeqësisht, dëgjuam vetëm retorikë politike, fjalë boshe pa asnjë vlerë për shoqërinë dhe Sistemin e Drejtësisë, dhe gjuhë përbaltëse e aspak të denjë për një shtet të së drejtës.
10 Ligje, që prekin zemrën e Reformës në Drejtësi, Kuvendi arrin t`i shqyrtojë për herë të dytë, brenda 1 dite!!! Këtë ritëm dhe aftësi juridike e profesionale do ta kishte zili çdo vend europian për deputetët e tij!
Kuvendi në një ditë në datën 23 mars 2021, miratoi 10-ligje të hartuar nga Qeveria që ndryshojnë thelbësisht reformën në drejtësi. Këto ligje ndryshuese janë kthyer për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës, një e nga një në muajin prill.
Ndërkohë që ligjet e reformës në drejtësi, të cilat u ndryshuan sot brenda 1 dite nga ky Kuvend ilegjitim, janë hartuar, konsultuar, dhe miratuar pas një analize 2-vjeçare të të gjithë sistemit të drejtësisë dhe pas një procesi të gjerë të konsultimit publik në vitet 2015 -2017.
Reforma në Drejtësi iu besua një grupi ekspertësh të nivelit të lartë, dhe iu hoq Qeverisë.
Roli i Kuvendit të Shqipërisë në vitet 2016-2017 në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë ishte rol certifikues/miratues i produktit të grupit të ekspertëve të nivelit të lartë të huaj dhe vendas, pa patur të drejtën të prekte thelbin. Në të gjitha hapat, reforma në drejtësi u çertifikua para se të shkonte për miratim në Kuvend, nga Komisioni i Venecias.
Ndaj pyetjet që shtrohen janë këto:
– Pse Qeveria rrëmbeu Reformën në Drejtësi?
– Pse nuk u konsultuan këto ndryshime me Komisionin e Venecias për të siguruar një Opinion?
– Pse u hodh poshtë puna e eksprtëve të pavarur të Nivelit të Lartë, ashtu siç u ndërtua dhe miratua kjo Reformë?
Kushdo kupton që ky është një veprim që Qeveria të rrëmbejë drejtësinë, si dhe të mbulojë gjithë paligjshmërinë në implementimin e saj, duke shkelur çdo parim dhe duke e kthyer atë në Drejtësi të Qeverisë, dhe jo Drejtësi për qytetarët.
Gjatë kësaj periudhe që përkonte me fushatën zgjedhore, Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është marrë publikisht me mënyrën antikushtetuese se si Qeveria dhe Kuvendi ndryshuan reformën në drejtësi, por përmes Dekreteve të arsyetuara këto ligje antikushtetuese i janë kthyer Kuvendit për rishqyrtim me kërkesën që Kuvendi të merrte kohën e nevojshme për reflektim.
Kjo edhe për të mos shmangur vëmendjen nga procesi zgjedhor.
Por meqë Kuvendi, në mënyrë të përsëritur përcjell informacion të pavërtetë, jemi të detyruar të sqarojmë opinionin publik. Ftoj gjithësecilin, të aksesoni faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës, dhe të njiheni me arsyet e vërteta, pse u kthyen këto 10-ligje nga Presidenti i Republikës.
Nëse do lexoni arsyet kushtetuese dhe ligjore, të cilat deputetët tanë kanë për detyrë t`i lexojnë, por që më shumë preferojnë të lexojnë ëhatsup-et dhe sms-të urdhëruese nga lart e të veprojnë sipas tyre, do kuptoni se si pak e nga pak, çdo tullë e ngrehinës së Reformës për Drejtësinë që duam, jo po dëmtohet, por mënyrë të shëmtuar dhe të fshehtë, po shkulet.
Këto 10 ligje të hartuara nga qeveria dhe të miratuara nga Kuvendi në datën 23 mars 2021:
– Janë shqyrtuar përmes një procedure të përshpejtuar (brenda 5-ditëve) në datat 18-23 mars 2021! Kjo bie në kundërshtim flagrant me kërkesat e nenit 81, 83 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Mos të përpiqet më kot ndonjë prej deputetëve, të sqaroj se kur nis shqyrtimi në Komision, e kur duhet të përfundojë, se dimë të gjithë të numërojmë ditët kalendarike.
– Kjo shpejtësi shqyrtimi, ka bërë që ndryshimet ligjore të jenë realizuar në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën, por dhe procedurën e përcaktuar nga Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë (nenet 26-28).
– Këtë shkelje Kuvendi e ka përsëritur 10 herë për të gjitha ligjet ndryshuese.
– Ndryshimet ligjore janë miratuar në mungesë të një procesi konsultimi gjithëpërfshirës me shoqërinë civile, apo me të gjitha organet përgjegjëse të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
Këtë e dëshmojnë fare qartë dhe Raportet përkatëse të Komisionit për Çështjet Ligjore, që një herë citojnë se aktet janë bërë në grup pune të përbashkët me institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, një herë thonë që u janë çuar atyre për mendim!!
Nëse janë hartuar bashkë me organet e drejtësisë, atëherë përse do u çoheshin për mendim kur kanë qënë pjesë e grupit të punës?! Dhe pse disa komente nga një pjesë e këtyre institucioneve janë dhënë pikërisht gjatë shqyrtimit në komision?!
– Ndryshimet janë realizuar nga qeveria në mungesë të plotë të transparencës me publikun. Askush nuk u informua se çfarë po ndryshohej dhe përse po ndryshohej! As shoqëria civile, as aktorët realë që japin drejtësi përditë.
– Procedura e ndjekur për këto ndryshime ligjore është kundërshtuar njëzëri nga 71 organizata të shoqërinë civile, (Komiteti Shqiptar i Helsinki, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Instituti i Studimeve Politike, etj.) dhe aktorë të sistemit të drejtësisë, të cilët evidentojnë shkeljet kushtetuese dhe mungesën e konsultimit të këtyre nismave.
– Ndryshimet ligjore të bëra nga ky Kuvend sot në vitin 2021, cenojnë rëndë klimën e besimit tek reforma në drejtësi e miratuar me unanimitet të plotë me 140 vota në vitin 2016, si dhe tek implementimi i Reformës në Sistemin e Drejtësisë.
– Propozimet e të 10 projektligjeve janë hartuar nga qeveria sipas vullnetit të saj, ndërkohë që sipas procedurës parlamentare kamuflohet sikur këto të jenë propozime të deputetëve të Kuvendit, duke dhunuar kështu parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve përcaktuar në nenin 7 të Kushtetutës, me veprime që arrijnë deri në falsifikimin e procesit legjislativ.
– Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare rezulton se ndryshimet në ligjet e reformës nuk i ka hartuar Kuvendi, por Qeveria, ndërkohë që vetëm për të shmangur procesin e konsultimit publik dhe transparencën, këto projektligje në të njëjtën datë janë propozuara sikur të jenë nisma e disa deputetëve.
– Si mundet të citohet në relacione se ligjet janë hartuar nga një grup pune nën drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe më pas të nënshkruhen si propozime deputetësh?!?!
– Ky është rasti flagrant që tregon ku ka arritur arroganca e këtyre deputetëve që nuk pyesin as të mbulojnë apo fshehin pazaret që bëjnë, të paktën nga ana proceduriale, të paktën sa “për sy e faqe”!
– Mjafton vetëm fakti që të 10 ligjet, janë propozuar, shqyrtuar dhe miratuar përmes një procedure tërësisht antikushtetues dhe pa konsultim të gjerë publik, gjë që bën të detyrueshme sipas nenit 85 pika 1 të Kushtetutës, kthimin e tyre për rishqyrtim dhe plotësim të mangësive të konstatuara.
– Disa prej këtyre ligjeve, prekin thelbësisht pëërbërjen e trupave gjyqësore kolegjiale. Tanimë do të kemi trupa gjyqësore me përbërje të cunguar. Ndryshimi i trupave gjykuese në shkallët e gjyqësorit, përmes reduktimit të numrit të gjyqtarëve në përbërje të tyre, rrezikon të cenojë pikërisht interesin publik për një drejtësi profesionale, efektive, të paanshme, të pakundërshtueshme për nga cilësia e vendimmarrjes.
– Nga ana tjetër, ndryshimet ligjore, të miratuara në fund të këtij sesioni parlamentar, janë përpjekje për të mbuluar mangësitë, shkeljet, dhe mosveprimin e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, kryesisht të KLGJ-së, KED, por jo vetëm, përgjatë fazës së implementimit të reformës, të cilat me veprime apo mosveprimet e tyre, apo shkeljet që kanë kryer kanë tejkaluar, çdo afat të arsyeshëm për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese duke e tejzgjatur këtë proces duke mos iu përgjigjur në kohë nevojës jetike që ka vendi për një Gjykatë të Lartë dhe një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale.
– Nga vështrimi kronologjik i të gjitha fakteve rezulton se Këshilli i Lartë Gjyqësor, një organ ky i mbledhur për herë të parë në 20 dhjetor 2018, ka paraqitur vonesa të pajustifikuara në shpalljen, verifikimin, vlerësimin e kandidatëve për plotësimin e të gjitha vendeve vakante në Gjykatën e Lartë.
– Ndaj ishte e papranueshme që përmes këtyre ndryshimeve ligjore, të krijohet një terren absurd, duke legjitimuar ritmin e ngadaltë dhe të papranueshëm i KLGJ-së, në plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, i cili sipas këtyre dispozitave të miratuara është parashikuar të zgjasë deri në 31 dhjetor 2023.
– Ndryshimet ligjore nga ana tjetër përpiqen që të mbulojnë përgjegjësinë e Kryeministrit, dhe përfaqësuesve të mazhorancës në Kuvend apo qeveri, që me deklarimet, apo me veprimet e tyre aktive, në adresë apo në bashkëpunim me ish-anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sollën bllokimin e veprimtarisë së këtij organi (KED) për vitet 2017-2018, duke bërë që vendet bosh të krijuara në Gjykatën Kushtetuese të mos plotësoheshin në kohë. Këto veprime nxorën jashtë funksionit Gjykatën Kushtetuese për gati 3 vjet (33 muaj) e për pasojë nxjerrjen jashtë kontrollit kushtetues veprimtarinë dhe vendimmarjen e Kuvendit dhe të qeverisë për 3 vite radhazi.
– Kuvendi i Shqipërisë, përpara se të kalonte në pranimin a priori të projektligjeve të qeverisë, duhej të merrte informacion nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, mbi këtë pyetje:
– Kur do të përfundojnë procedurat e ngritjes në detyrë për 8 vendet vakante në Gjykatën e Lartë të shpallura prej këtij organi (KLGJ), që prej muajit shtator 2019, shkurt 2020, dhe një në korrik 2020?
Faktet tregojnë se, nëse Këshilli i Lartë Gjyqësor do të kishte treguar efektivitet, vendosshmëri, përgjegjshmëri në punën e tij, edhe procedurat për plotësimin e këtyre 8 vendeve vakante në Gjykatën e Lartë të shpallura prej më shumë se 1-viti, do të kishin përfunduar, dhe Gjykata e Lartë sot do të kishte në përbërje të saj 15 anëtarë.
Në këtë mënyrë edhe ndryshimi i bërë përmes nenit 4 të ligjit nr. 45/2021, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, do të ishte i panevojshëm.
Kuvendi i Shqipërisë, nuk ka patur dhe nuk ka vullnet për të evidentuar problematikën reale, por përmes këtyre ndryshimeve ligjore, kërkon të mbulojë shkeljet që janë konsumuar në këtë proces deri më tani, duke pranuar kështu bashkëfajësinë me KLGJ-në.
Kjo situatë është e papranueshme për Presidentin e Republikës dhe për këto arsye, nuk ka dekretuar me shpallje nr. 45/2021 që ndryshon ligjin për organizimin dhe funskionimin e Gjykatës Kushtetuese.
– Ndërkohë që edhe më e rëndë paraqitet situata në ligjin nr. 50/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”
– Përmes këtyre ndryshimeve, veç të tjerave synohet që në sistemin e drejtësisë KLGJ dhe KLP të emërojnë si magjistratë, Ish-Gjyqtar apo ish-Prokuror, pa kaluar më parë procesin e rivlerësimit kalimtar (pra procesin vetting), në kundërshtim me urdhërimet e nenit 179/b të Kushtetutës.
Kushtetuta kërkon që nëse ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët duan të rikthehen në sistem ata duhet të kalojnë me suskses procesin e rivlerësimit kalimtar përmes organeve të vettingut.
– Ndërkohë që ky Kuvend, e anashkalon këtë detyrim kushtetues, duke krijuar një deriçkë që verifikimin ta kryejë KLGJ dhe KLP.
Atëherë lind pyetja:
Kë duhet të zbatojmë?
Kushtetutën e miratuar në korrik 2016 me 140 vota, apo ligjin që ka miratuan ky Kuvend që po i përfundon mandati ???? !!!!!!
– Presidenti i Republikës, dikur në pozitën e Kryetarit të Kuvendit që bëri të mundur votimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota, e do më shumë se askush procesin gjithëpërfshirës, të rregullt procedurial në miratimin e çdo ndryshimi që prek sadopak ligjet e miratuara në konsultim të plotë.
Sot, Kuvendi në ikje, humbi mundësinë të tregonte jo vetëm integritet moral, por edhe juridik, përballë funksionit që nuk e ka ushtruar prej kohësh siç duhet, atë të ligjbërjes cilësore, transparente, të pa kapur, në funksion të vetëm të interesit publik.