Nga Pietro Paganini
Çfarë na premton e ardhmja? Të bërit më mirë sesa vitin e kaluar nuk do të jetë e vështirë. Por sfidat që na presin janë të ndërlikuara, dhe ne rrezikojmë të mos dimë si t’i përballojmë ato. E tashmja është e komplikuar nga pandemia Covid-19, e cila për herë të parë në një shekull ka qenë globale.
Ne e kemi përballuar atë më mirë sesa pandemitë e dikurshme, por sërish u kapëm të papërgatitur. E megjithatë, ne i kishim mjetet dhe njohuritë për ta parashikuar atë. Kemi përpara dy dekada mjaft të ndërlikuara, të cilat duhet të jemi në gjendje që t’i përballojmë duke ulur kostot ekonomike dhe sociale dhe duke rritur përfitimet.
Shumë gjëra do të varen nga mënyra se si do të jemi në gjendje të përdorim teknologjitë,pra nëse do ta përmirësojmë praninë tonë në planet apo do ta përkeqësojmë atë. Disa raporte, përfshirë ato më të fundit nga qeveria amerikane (Këshilli Kombëtar i Inteligjencës) identifikojnë disa dukuri me rreziqe shumë të mëdha:
Sfidat e përbashkëta globale – Rritja e temperaturës së planetit tonë, dhe ndikimi i njerëzimit në mjedis, pandemitë, krizat financiare dhe teknologjitë përçarëse, do të jenë gjithnjë e më të shpeshta. Ato do të kenë një ndikim të madh në të gjitha rajonet e botës. Askush nuk është më imun.
Përplasjet gjeopolitike – Sfidat globale do ta radikalizojnë konfrontimin e vazhdueshëm gjeopolitik. Përkundër asaj që u mendua gjatë euforisë fillestare që e shoqëroi globalizimin, ekziston rreziku i copëzimit dhe brishtësisë më të madhe të marrëdhënieve shoqërore dhe politike.
Kina dhe SHBA, garojnë për epërsinë globale, Evropa është në një fazë reflektimi apo konfuzioni (çfarëdo qoftë), ndërsa qytetarët e rajoneve të tjera po shfaqin pakënaqësi me sistemet e tyre apolitike-ekonomike. Ndërkohë, kompanitë që ofrojnë produkte dhe shërbime globale po ndikojnë gjithnjë e më shumë në sjelljen tonë, dhe madje kanë filluar të veprojnë si autokraci të vërteta.
Popullsia-Linja demografike është e qartë. Gjatë 20 viteve të ardhshme, jetëgjatësia do të rritet shumë në vendet më të pasura, ku gjithsesi do të lindin gjithnjë e më pak fëmijë. Nga ana tjetër, popullsia do të vazhdojë të rritet në mënyrë eksponenciale në Azinë Jugore dhe Afrikë, të paktën deri në vitin 2050.
A do të jetë në gjendje tregu i punës dhe mirëqenia e rajoneve perëndimore t’i rezistojnë këtij ndryshimi rrënjësor, me një fuqi punëtore gjithnjë e më në tkurrje? A do të arrijnë ata të administrojnë territoret, siç janë qytetet, me një popullsi gjithnjë e më të plakur?
Në rajonet më të varfra ekonomikisht, të rinjtë do të migrojnë ose domosdoshmërisht do të duhet të përdorin burimet mjedisore, gjë që do të ketë pasoja mbi biodiversitetin dhe shpejtësinë e ndryshimeve klimatike. Në të kaluarën, njerëzimi ka treguar se mund të përshtatet për të mbijetuar duke përpunuar, shpërndarë dhe përdorur njohuritë për të zhvilluar teknologji të reja.
Veprimet individuale të shpikësve, inovatorëve dhe sipërmarrësve kishte një bazë të ngushtë, dhe për këtë arsye, edhe nëse në fillim ngjallte shqetësime, arritën në një kohë të shkurtër që të pranoheshin dhe më pas të ngjallin një pritshmëri të madhe brenda një konteksti social të një besimi të thellë.
Por në këtë fazë historike dhe për një të ardhme të parashikueshme, njerëzimi e ka harruar vështirësinë dhe pasigurinë e të bërit kërkime, dhe ka marrë përsipër, i nxitur nga pritshmëritë e mëdha të shkencës dhe sigurisë, një pritshmëri jorealiste sipas së cilës gjithçka që është arritur ka qenë e lehtë.
Zbulimi se në fakt nuk është kështu, ka sjellë mungesën e besimit. Një pjesë e mirë e jona nuk parashikon përmirësimin e kushteve tona socio-ekonomike. Ne duhet të shqetësohemi seriozisht se zhvillimi shoqëror dhe ekonomik që e ka shoqëruar njerëzimin nga revolucioni industrial në globalizim duke ulur varfërinë dhe përmirësuar kushtet e jetesës mund të ngadalësohet apo të bëjë hapa pas.
Në vitin 2020, 150 milionë qytetarë janë varfëruar, dhe ata ndiejnë sot një rënie të qartë të standardit të jetesës, ndonjëherë edhe nën atë që është e durueshme. Pritshmëritë janë shpesh një burim pesimizmi. Rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe një rritje e përgjithshme e inflacionit si një shenjë pozitive e rikthimit tek rritja, rrezikon të na çojë drejt humnerës së një konfliktit social të acaruar, mungesës së besimit në mjedisin e vet apo edhe në bashkëjetesat e llojeve të tjera.
Këta faktorë, dhe shumë variabla të tjerë që nuk merren parasysh këtu, do të na ndihmojnë të imagjinojmë skenarë të ndryshëm, pak a shumë optimistë ose pesimistë. Gjithsesi, rezultati i këtyre sfidave varet nga ne:nga mënyra se si do të jemi në gjendje të përdorim njohuritë e marra deri më tani.
Teknologjia kuantike, inteligjenca artificiale dhe automatizimi, mund të përdoren për t’i zgjidhur këto konflikte të domosdoshme sociale përmes politikave që promovojnë bashkëjetesën dhe prosperitetin e secilit individ:mundësi të barabarta fillestare, paga më të drejta, dhe një ekuilibër më të mirë midis nevojave njerëzore dhe mjedisit.
Për këtë është e nevojshme të zhvillohen skenarë të mundshëm duke mbledhur të dhëna dhe fakte, të shmanget një qasje ideologjike dhe fetare që ndjek zgjidhje përfundimtare, dhe të kemi durimin për t’u përballur me njëri-tjetrin për të gjetur zgjidhje që kënaqin diversitetet më të gjera.
Durimi nënkupton pikërisht aftësinë njerëzore për të kuptuar se asgjë nuk është përfundimtare, dhe se zgjidhjet nuk janë të pagabueshme dhe ndërtohen hap pas hapi. Derisa të përdorim këtë kriter, që është baza e metodës eksperimentale, do të kemi të vështirë të përballojmë sfidat që na presin, të parashikojmë shfaqjen e tyre dhe të shijojmë rezultatet. / “Formiche.net”