Gjyqtari Genti Dokollari përballet me Vetting, ja çfarë rezultoi nga seanca

Gjyqtari i Korçës, Genti Dokollari u pyet gjatë seancës për blerjen me çmim preferencial të një automjeti nga një mik i tij, ndërkohë që ai mori vlerësime pozitive për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Gjyqtari Genti Dokollari u përball të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan gjetjet për tre kriteret e rivlerësimit, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Trupi gjykues që po kryen rivlerësimin për gjyqtarin Genti Dokollari kryesohet nga Brunilda Bekteshi, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Cardi.

Genti Dokollari u diplomua në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe stazhin e kreu në vitin 2014 në Gjykatën e Tiranës. Në këtë gjykatë ai është caktuar provizorisht deri në vitin 2017, ndërsa më vonë u emërua si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë.

Prej vitit 2018, Dokollari e kryen funksionin si i caktuar provizorisht në Gjykatën e Kavajës. Dokollari ka aplikuar gjithashtu për t’u promovuar si gjyqtar Apeli në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Paralelisht me funksionin si gjyqtar, ai është angazhuar edhe në mësimdhënie.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të enjten nuk u evidentuan probleme për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, ndërkohë që gjyqtari Dokollari dha shpjegime për çmimin e blerjes së një automjeti “Benz” dhe dhurimet e kryera nga prindërit. Dokollari theksoi se ai dhe prindërit kishin pasur burime të ligjshme për të gjitha shpenzimet dhe investimet që kishin kryer.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në përdorimin e dy apartamenteve pa kundërshpërblim, një në qytetin e Korçës dhe tjetri në Tiranë. Apartamenti në Tiranë ka rezultuar se është blerë nga prindërit në vitin 2008 për çmimin 55 mijë euro, kur subjekti ishte student.

Gjyqtari Dokollari u pyet më së shumti lidhur me blerjen e një automjeti tip “Benz” në vitin 2014 kundrejt shumës 840 mijë lekë – ndërkohë shitësi e kishte blerë atë në vitin 2010 për 21 400 euro.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti e ka shitur këtë pasuri për shumën 8 mijë euro. Hamitaj pohoi se gjyqtari Dokollari kishe sqaruar se çmimi i blerjes kishte qenë preferencial, pasi me shitësin kishte miqësi të hershme dhe se makina kishte pasur nevojë për kryerjen e disa shërbimeve.

Komisioni konstaton se subjekti nuk e ka deklaruar këtë trajtim preferencial. Ndërkohë, është hetuar nëse gjyqtari Dokollari ka shqyrtuar ndonjë çështje me palë shitësin e makinës, por nuk ka rezultuar diçka e tillë, duke u përjashtuar mundësia e konfliktit të interesit.

Komisioni konstatoi se Dokollari ka pasur burime për blerjen e kësaj makine, por Hamitaj evidentoi se ai nuk ka deklaruar se si e ka përdorur një pjesë të kredisë që kishte marrë për shlyerjen e çmimit të automjetit.

Hamitaj tha se Dokollari ka shpjeguar se një pjesë të shumës së mbetur ua kishte dhënë prindërve për mobilimin e apartamentit.

Gjyqtari Genti Dokollari këmbënguli që shpjegimet t’i jepte duke qëndruar në këmbë. Ai u shpreh dakord me gjetjet dhe theksoi se kishte dorëzuar prova dhe shpjegime të sinqerta për të gjitha veprimet e tij.

“Kam shpjeguar se me shitësin e automjetit tip Benz kam miqësi të ngushtë, njihemi prej 12 vitesh, që nga viti 2009. Si prova për miqësinë tonë kam dorëzuar fotot që kemi bërë së bashku, të cilat kanë qenë në facebook që prej vitit 2011,” pohoi Dokollari. Ai sqaroi se në kohën e kryerjes së transaksionit, miku i tij kishte pasur tre makina dhe se njëra i përkiste të njëjtit model të Benz-it që i kishte shitur.

“Për çmimin keni të drejtë. Por në kohën kur e kam blerë, vlera nuk ka qenë më shumë se 1.1 milion lekë,” sqaroi Dokollari dhe vijoi se kishte depozituar një kontratë për shitjen e një makine të njëjtë në atë periudhë në shumën 990 mijë lekë.

Ai deklaroi se nuk i kishte kushtuar vëmendjen e duhur trajtimit preferencial, pasi në atë kohë nuk e kishte konsideruar si të tillë. Dokollari shtoi se kishte kryer shpenzime për ndërrimin e gomave dhe disa shërbime të tjera për makinën, por se nuk kishte arritur të gjente të gjithë faturat për pagesat e kryera.

LEXO EDHE  “Po gjobitem duke qëndruar në shtëpi”, Olta Gixhari e revoltuar: O lali Eri... (VIDEO)

Komisioni konstaton pamundësi të prindërve për dhurimin e një shume 969 mijë lekë. Sipas KPK-së, prindërit kanë rezultuar me pamundësi në shumën 480 mijë lekë për dhurimin e shumës së transferuar në llogarinë bankare të subjektit.

Gjyqtari Dokollari shpjegoi se prindërit i kishin transferuar gjithmonë para në llogarinë bankare, që kur ai kishte nisur studimet. Ai tha se e ëma kishte pasur aktivitet privat që prej vitit 1994 dhe se në vitin 2001, kishin pasur kursime në shumën 5.5 milionë lekë.

“Unë jam fëmijë i vetëm dhe prindërit jetojnë ende në Leskovik. Kam sjellë dokumenta për transfertat prej 10 vitesh. Nuk është se janë bërë transferta vetëm në atë periudhë,” pohoi Dokollari. Ai vijoi se pasi kishte blerë automjetin tip “Benz”, u kishte dërguar prindërve 1 milion lekë nga pjesa e mbetur e kredisë, si një lloj kompesimi.

“Mendoj se e keni konsideruar shpenzim vlerën 1 milion lekë që ua kam dhënë prindërve dhe kanë dalë me minus,” tha Dokollari.

Nga hetimi ka rezultuar pamundësi financiare edhe për krijimin e një gjendje cash në shumën 100 mijë lekë në vitin 2017 nga ana e subjektit, pasi ka rezultuar balancë negative në shumën 38 mijë lekë.

Dokollari tha se kishte deklaruar në vitin 2016 gjendje cash në shumën 50 mijë lekë dhe se nuk gjendej në pamundësi financiare.

Komisioni e ka shtrirë hetimin administrativ edhe pas periudhës së rivlerësimit, prej nga ka rezultuar se gjyqtari Genti Dokollari ka blerë dy automjete tip BMW, një në vitin 2017 dhe tjetrën në 2019-ën.

Si burim krijimi për blerjen e automjetit tip BMW në vitin 2017 për çmimin 10 mijë euro, Dokollari ka deklaruar të ardhurat nga shitja e Benz-it në shumën 8000 euro; kursime dhe 1000 euro të dhuruara nga prindërit.

Në vitin 2017, ai ka deklaruar lidhjen e kontratës me rezerva dhe pagimin e kaparit në shumën 1000 euro që i kanë dhënë prindërit. Komisioni ka konstatuar balancë negative në shumë 211 mijë lekë në vitin 2018, për të cilat Dokollari ka dhënë shpjegime.

Për blerjen e automjetit tip BMW X5 në shumën 25 mijë e 500 USD në vitin 2019, Dokollari ka deklaruar se kanë shërbyer të ardhurat e përfituara nga shitja e makinës së mëparshme në shumën 9000 euro; kredi në shumën 1.5 milionë lekë dhe 185 mijë lekë të kursyera nga pagat.

Hamitaj tha se Dokollari ka pasur burime të ligjshme për blerjen e këtij mjeti.

Sipas relatorit Hamitaj, nga analiza financiare e përgjithshme, gjyqtari Genti Dokollari dhe personat e lidhur kanë rezultuar me balancë pozitive për çdo vit. Ai shtoi se balancat negative janë konstatuar vetëm në momentet e kryerjes së disa prej investimeve apo transaksioneve të tjera.

Gjyqtari Dokollari deklaroi se kishte pasur burime të ligjshme për kryerjen e investimeve dhe shpenzimeve gjatë gjithë periudhës. “Çdo vit sipas jush kam pasur mundësi të kursej 500 mijë lekë, por i kam shpenzuar,” pohoi ai.

Në fund të seancës, gjyqtari Dokollari u pyet nga relatori Lulzim Hamitaj dhe anëtarja Etleda Çiftja se përse prindërit vazhdonin ta ndihmonin dhe përse ai dukej si një njeri me “fat” që e ndihmonin të gjithë.

“Ju ose jeni me shumë fat, ose jeni i aftë në marrëdhënie ndërpersonale,” hamendësoi Hamitaj.

Gjyqtari Dokollari tha se kjo perceptohej për shkak se ai kishte deklaruar çdo gjë që kishte pasur detyrim. Subjekti theksoi se ishte fëmijë i vetëm dhe se nëna dhe babai kujdeseshin përherë për të.

“Mua më penalizon fakti se kam qenë korrekt dhe i vërtetë në deklarime. Kam deklaruar atë që ka ndodhur,” pohoi ai dhe theksoi se çdo marrëdhënie kishte qenë me njerëz të një rrethi të ngushtë. I pyetur nga Çiftja se si do të vepronte kur të gjykonte ndonjë çështje ku miqtë e tij do të kishin interes, Dokollari iu përgjigj se “do të respektonte ligjin”.

Në fund të fjalës së tij, gjyqtari Genti Dokollari kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se do të shpallë vendimin të premten më 30 prill, në orën 12:30. /BIRN/