Të dypunësuarit mund të paguajnë 25 milionë euro tatim mbi të ardhura shtesë

Janë 88.6 mijë të punësuar, që gjatë vitit 2020 kanë pasur dy punë, të cilët do të duhet të deklarojnë të ardhurat e përfituara në vitin 2020, deri më 30 prill 2021, pavarësisht nivelit të pagave që kanë pasur.

Ky deklarim do t’i ngarkojë ata me tatim mbi të ardhura shtesë, si rrjedhojë e disa ndryshimeve ligjore për tatimin mbi të ardhurat, që kanë hyrë ka hyrë në fuqi në janar 2020 dhe po zbatohen për herë të parë për pagat e përfituara gjatë 2020-s. Deklarimi i të ardhurave bëhet online në faqen e tatimeve dhe të dhënat e detyrimit për t’u paguar dalin të paraplotësuara.

Këto ndryshime parashikojnë që paga, ndonëse është marrë në dy apo më shumë vende pune, do të llogaritet si një e vetme dhe do të tatohet si e tillë dhe individi do të jetë i detyruar që të paguajë diferencën shtesë që del nga rillogaritja.

Kjo do të sjellë automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi do të përjashtohen vetëm njëherë nga TAP zero deri në kufirin e 30 mijë lekëve dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, do të tatohen për diferencën me 23% (duke zbritur tatimin e paguar gjatë vitit).

Shuma minimale që duhet të paguajë një i dypunësuar që ka punuar 12 muaj në dy punë dhe është paguar me pagë minimale prej 26 mijë lekësh është 2,860 lekë në muaj, ose 34320 lekë në vit, ose 280 euro {individi i dypunësuar, i cili ka pasur p.sh., dy paga minimale nga 26 mijë lekë secila do të paguajë minimumi edhe 13% të diferencës prej 22 mijë lekë, (52 mijë lekë-30 mijë lekë)}.

Për të 88.6 mijë të dy apo më shumë punësuarit, shuma shtesë që duhet të derdhet në buxhet (duke llogaritur një pagesë minimale prej 280 eurosh) mund të arrijë në rreth 25 milionë euro.

Ky është një vlerësim i “Monitor” bazuar në shifrën e të dypunësuarve të bërë publike nga tatimet (88,590 të dypunësuar) dhe shumës minimale që duhet paguar nga një i dypunësuar. Por, kjo shifër mund të variojë realisht, pasi një pjesë e të punësuarve kanë paga më të larta sesa ajo minimale dhe një pjesë tjetër mund të mos kenë pasur angazhim në dy punë për të gjithë periudhën vjetore, por vetëm për disa muaj.

Sa më të larta dy apo tre pagat, aq më shumë do të duhet të paguajë tatim shtesë individi. Psh, një individ që ka dy paga mujore prej 50 mijë lekësh secila, duhet të paguajë edhe rreth 47 mijë lekë tatim shtesë. Paga rillogaritet si një e tërë dhe pasi hiqen tatimet e paguara gjatë vitit, del detyrimi shtesë për tu derdhur (shiko tabelën 1).

Nëse shuma e dy pagave i kalon 150 mijë lekë, detyrimi do të jetë edhe më i lartë, pasi diferenca mbi këtë shumë do të ritatohet me 23%. Psh, një individ që ka një pagë mujore 90 mijë lekë dhe një tjetër 80 mijë lekë ka një detyrim shtesë prej gati 71 mijë lekë (shiko tabelën 2).

Sipas ndryshimeve ligjore dhe udhëzimit që e shoqëron atë, individët rezidentë ose jorezidenë, të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës, deklarojnë në deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi, llogarisin shumën totale të detyrimit tatimor mbi pagat, zbresin, kur është rasti, tatimin e mbajtur nga punëdhënësi dhe përcaktojnë shumën e detyrimit tatimor që duhet të paguajnë për buxhetin e shtetit.

Sipas Drejtorisë së Tatimeve, kjo formë e tatimit shmang evazionin dhe sjell një vlerësim më të drejtë për ata persona që marrin të njëjtën shumë parash, por njëri individ e merr në një vend pune dhe tjetri në dy apo më shumë.

Deri në janar të vitit 2020, kategoria e tatimpaguesve të cilët deklaronin të ardhurat e tyre nga dypunësimi, si dhe të ardhura të tjera (DIVA) ishte e atyre individëve që kishin të ardhura deri në 2 milionë lekë në vit.

Sipas tatimeve, në 2020-n bënë deklarimin për të ardhurat 12.3 mijë individë që në 2019-n kishin të ardhura më të larta sesa 2 milionë lekë.

Të dhënat do të dalin të paraplotësuara

Tatimet bëjnë të ditur se të dhënat lidhur me pagat do të dalin të para-plotësuara, ashtu siç u veprua edhe vitin e kaluar. Aplikimi bëhet online.

Individët që e kanë deklarimin për herë të parë duhet të regjistrohen në eFiling. Pas regjistrimit, individi duhet të klikojë te ‘deklaratat’ dhe të zgjedhë ‘tatimin mbi të ardhurat personale’. Në momentin që klikon ‘krijo deklaratë të re’, dalin të dhënat e paraplotësuara për pagën dhe tatimet e paguara dhe diferencës që është detyrimi dhe individi duhet të plotësojë vetëm të dhënat personale. Shuma e detyruar për t’u paguar del në kutinë (35) TATIMI I DETYRUAR PER T’U PAGUAR./monitor/