Grafiku/ Vdekshmëria shtesë u ul ndjeshëm në BE, në Shqipëri arriti rekord

Pasi arriti dy kulme të rëndësishme në pranverë dhe vjeshtë 2020, vdekshmëria e tepërt filloi të binte në dy muajt e parë të 2021 në Bashkimin Europian, raporton Eurostat, në përditësimin e fundit mujor të të dhënave të pasojave që ka dhënë Covid në Europë.

Në janar vdekshmëria u rrit me 16% dhe në shkurt me vetëm 5%, krahasuar me mesataret e së njëjtës periudhë në 2016 – 2019.
Sipas Eurostat, gjatë fazës së hershme të COVID-19, vdekshmëria e tepërt në BE arriti kulmin e saj të parë në Prill 2020, me një rritje prej 25% krahasuar me mesataren e të njëjtit muaj mbi 2016 – 2019.

Nga vala e parë më e goditura ishte fillimisht Italia, me rritje të fataliteteve në gati 50% në muaj mars, ndërsa në prill, virusi ishte më vdekjeprurës në Spanjë, me rritje 79.4%, e ndjekur nga Belgjika (74%) dhe Holanda (54%). Pas marrjes së masave kufizuese në gjithë Europën, Europa mori pak frymë. Midis majit dhe korrikut, u regjistrua një nivel më i ulët i vdekshmërisë së tepërt, ndërsa një tjetër rritje e vdekshmërisë filloi në gusht – shtator me valën e dytë të pandemisë.

Vdekshmëria e tepërt në BE ishte 18% në tetor dhe 41% në nëntor, e ndjekur nga 30% në dhjetor, raporton Eurostat. Në valën e dytë, më e goditura ishte Polonia (+97% në nëntor), Bullgaria (94.4%), Sllovenia (90.6%), po në nëntor. Treguesit mbetën të lartë në dhjetor, ndonëse në ulje.
Në janar dhe shkurt 2021, pas karantinave të rrepta që u ndërmorën në shumë shtete, fatalitetet shtesë ranë ndjeshëm në pjesën më të madhe të vendeve, madje disa prej tyre panë edhe rënie (Suedia -5.2%), Norvegjia (-12.9), Austria (-3), Qipro (-8.3%), Belgjika (-9.3%), Gjermania (-2.7%).

Në shkurt pandemia kulmoi në Sllovaki (65.5%), teksa ky shtet kishte arritur ta mbante virusin në fre deri në tetor, dhe në Çeki (+40%), që gjithashtu i ndjeu pasojat nga tetori, si dhe Portugali (+34%). Për të gjitha shtetet e tjera, rritja ishte më e ulët sesa 15% (shiko grafikun interaktiv në fund).

Strategjia që ndoqën pjesa më e madhe e shteteve, pas valës fillestare të pandemisë, ishte vendosja e kufizimeve, pavarësisht efekteve që kjo dha në ekonomi, me synimin frenimin e vdekshmërisë deri në gjetjen e një vaksine dhe shmangien e mbingarkesës në spitale. Karantinat më të ashpra ishin në mars- maj dhe më pas në dhjetor 2020-janar 2021, pas daljes së variantit të ri britanik. Për të kompensuar pasojat që kjo mbyllje solli në ekonomi, qeveritë ndërmorën masa të jashtëzakonshme nxitëse e kompensuese për bizneset e mbyllura dhe punonjësit që humbën vendet e punës. Tashmë vendet po hapen gradualisht, pasi janë vaksinuar mbi 20% e popullsisë.

LEXO EDHE  Ndryshime në Kodin Rrugor, ja sa rriten gjobat

Shqipëria me pasoja shumë më të rënda në rritjen e fataliteteve

Shqipëria, që zbatoi karantinë vetëm në valën e parë të pandemisë dhe më pas në valët e tjera kishte kufizime minimale, e ka kaluar pandeminë, të paktën deri tani, me pasoja shumë të rëndë në humbjen e jetëve.

Që nga muaji maj, vendi ka shënuar një rritje të vdekshmërisë shtesë shumë më të lartë sesa mesatarja europiane, sidomos në nëntor dhe dhjetor, ku humbjet e jetëve u dyfishuan në krahasim me vitet normale (shiko grafikun: Vdekshmëria mujore shtesë, Shqipëria dhe mesatarja e BE).

Vetëm në janar, rritja e fataliteteve në vend ishte në nivele të njëjtat me mesataren e BE-së (+15.9%). Në shkurt, kur gjithë Europa e vuri nën kontroll virusin, Shqipëria, që u përball me variantin britanik me përhapje më të shpejtë, shënoi një kërcim të fortë me 76.2%, më e larta në raport me vendet e BE-së (të dhënat për rajonin nuk janë ende të disponueshme).- shih grafikun: Vdekshmëria mujore shtesë, shkurt 2021.

Na të dhënat shihet se përgjatë 14 muajve të pandemisë, në 5 prej tyre (korrik- gusht- nëntor- dhjetor 2020 dhe shkurt 2020), Shqipëria ka shënuar rritjen më të fortë të fataliteteve, duke pasur dhe numrin më të lartë të valëve më vdekjeprurëse (shih grafikun: Vdekshmëria mujore shtesë, në 14 muaj pandemi Shqipëria kulmoi në 5).
Edhe në mars, fatalitetet në vend vijuan rritjen e lartë, me rritje 108%, sipas të dhënave paraprake nga Gjendja Civile.

Pas marsit, situata në vend është qetësuar ndjeshëm, si në shtrimet në spitale, ashtu dhe në vdekjet e raportuara ditore, teksa valët e forta dhe vdekjeprurëse që kaloi vendi duket se kanë bërë që të shkohet me shpejtësi drejt të ashtuquajturit imuniteti i tufës. Kjo u ndihmua dhe nga fillimi i vaksinimit masiv nga mesi i marsit, që i kanë kaluar mbi 330 mijë doza, ose 11.5 doza për 100 banorë. /Monitor/