Në Shqipëri janë rritur rastet me stade të avancuara të sëmundjeve tumorale, pasi diagnostikimi i hershëm u pengua nga frika e pacientëve për infektimin me COVID-19. Në vitin 2020, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shtrimet në spitale ranë 29% krahasuar me një vit më parë, nga kufizimet e ndërhyrjeve që nuk ishin urgjente. Mjekët paralajmërojnë përkeqësim të gjendjes klinike dhe rritje të fataliteteve edhe pas pandemisë për personat me tumor, probleme në zemër, veshkat dhe hipertension.
Pandemia gjeti të papërgatitura vendet me sisteme shëndetësore solide e moderne në mbarë botën. Në Shqipëri, frika nga infektimet me COVID-19 dhe sistemi shëndetësor i nënfinancuar, me mangësi të theksuara në staf e pajisje, ndikoi te shtrimet e pacientëve në spitalet publike. Meqenëse vëmendja u fokusua te sëmundja e re, për shkak të panikut që solli përhapja e shpejtë globale, u kufizuan trajtimet për të sëmurët kronikë, konsultat periodike, si dhe operacionet e planifikuara.
Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19, spitalet publike që në fillim të pandemisë nisën të shtynin operacionet e planifikuara apo rastet jo urgjente që mund të prisnin. Pas një valë të parë nga qershori deri në nëntor, kur fatalitetet u rritën, vala e dytë e nëntorit i gjeti spitalet shtetërore me rënie të fluksit të të shtruarve dhe salla kirurgjie që kryenin ndërhyrje vetëm për rastet urgjente. Shumë pacientë me sëmundje tumorale, nga frika e infektimit nuk arritën diagnostikimet e hershme.
A do të rriten fatalitetet
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, shtrimet në spital për 2020-n ranë 29% krahasuar me një vit më parë. Në kardiologji dhe kardiokirurgji, trajtimet e të sëmurëve u ulën 26%, për transplantet e veshkës 63%, për kataraktet 21% (perdja e syve e cila mund të hiqet vetëm me intervenim kirurgjik), depistimi i kancerit të gjirit 26% dhe ata të trajtuar me radioterapi, 8%. Çfarë ndikimesh patën dhe do të kenë këto në shëndetin e njerëzve?
Për mjekun Ilir Allkja, mosndjekja e trajtimeve dhe konsultave jo vetëm përkeqësoi gjendjen klinike te të sëmurët kronikë, por rriti edhe rastet e humbjes së jetës. Z. Allkja, ish-mjek i urgjencës së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) paralajmëron se edhe pas pandemisë, gjendja klinike rrezikon të përkeqësohet, sidomos te pacientët me sëmundje tumorale dhe ata me probleme renale, gjë që mund të sjellë edhe rritjen e fataliteteve.
“Ne spektrin afatshkurtër, disa të sëmurë humbën jetën, pasi nuk ndoqën dot konsultat onkologjike, trajtimin me citostatikë, të tjerë nuk arritën të kryenin koronarografitë e planifikuara, iu përkeqësuan simptomat e zemrës, ose pësuan infarkte. Në spektrin afatgjatë, shumë të sëmurëve iu vështirësua sëmundja, pasi jo vetëm konsultat në spitalet universitare nuk funksionuan plotësisht, por edhe vizitat te mjeku i familjes ishin të vështira, por edhe të pamundura për shkak të frikës së infektimit. Shumë të sëmurë do të kenë pasoja të papërfillshme, por edhe serioze në shëndetin e tyre.
Rëndimi i gjendjes së hipertensionit mund të korrigjohet plotësisht, por mund të çojë edhe në aksidente vaskulare dhe i sëmuri mbetet invalid ose humb jetën. Rëndimi i situatës së insuficiencës renale mund ta çojë veshkën në faliment. Grupi i të sëmurëve që u penalizuan më shumë ishte ai i të sëmurëve me probleme onkologjike, të cilët nuk mundën të merrnin trajtimin sipas grafikëve. Për fat të keq, ka pasur raste fatale”.
Onkologët pohojnë se ka një rritje të stadeve të avancuara të sëmundjeve tumorale, pasi dallimi i hershëm u pengua nga frika e pacientëve për infektimet me COVID-19. Diagnostikimi i hershëm, gjithashtu ul koston e trajtimit të kancerit. Shpenzimet për njerëzit që diagnostikohen herët janë dy deri në katër herë më të pakta sesa ato për personat e diagnostikuar në një fazë të mëvonshme.
Sipas prof. dr. Arben Beqiri, kirurg-gastrohepatolog në QSUT, përkeqësimi i shëndetit të pacientit, për rastet e shtyrjes së trajtimit mjekësor, do të ndodhë pas pandemisë. “Mjekët duhet të bëjnë të pamundurën që për vështirësi rrethanash të mos degradohet apo të shtyhet trajtimi, qoftë edhe i një pacienti të vetëm. Në fuqi janë ende masat për shmangien e trajtimeve dhe ndërhyrjeve jo urgjente, për këtë arsye duhet të bëhet shumë kujdes, për të mos na shpëtuar nga vëmendja ata pacientë që kanë nevojë imediate për shërbim. A mund të gabohet në këto rrethana? Mund të gabohet sigurisht mjaft më lehtë se në kushte normale, por puna e çdo mjeku, pavarësisht kushteve, është të bëjë maksimumin për jetën e pacientit”, pohon z. Beqiri.
Në vitin 2020, sipas të dhënave të INSTAT, u raportuan gjithsej 27,605 humbje jete, me një rritje të ndjeshme prej 25.8%. Në total, 5,668 persona më shumë ndërruan jetë në 2020-n, në krahasim me vitin e mëparshëm. Viti 2020 shënoi nivelin rekord të jetëve të humbura në vend, që prej 1990-s, kur INSTAT publikon të dhënat. Shtesa e vdekjeve është gati 5 herë më e lartë (4.8) se raportimet zyrtare nga spitalet COVID (1181 persona), duke treguar indirekt se pasojat e pandemisë në vend kanë qenë shumë më të mëdha.
Situata me pandeminë ka qenë e rënduar në tremujorin e tretë dhe sidomos në atë të fundit. Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë u regjistruan rreth 1600 vdekje më shumë (nga +1300 që ishte raportimi i mëparshëm), me rritje prej 32% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në të katërtin, pasojat e pandemisë kanë qenë fatale. Gjithsej u regjistruan 9,397 vdekje, me një rritje prej 73%, ose gati 4 mijë jetë të humbura më shumë se tetor-dhjetorin e vitit 2019.
Rastet e reja të kancerit po diagnostikohen me vonesë
Në fillimet e pandemisë, shumica e njerëzve ishin të shqetësuar për të shkuar në institucionet shtetërore shëndetësore nga frika e infektimit me COVID-19. Silvana Çeliku, shefe e shërbimit të Onkologjisë në QSUT, thotë për “Monitor” se për këtë arsye janë rritur rastet e reja të kancerit të diagnostikuara me vonesë. Problemi më i madh, sipas kirurges onko-gjinekologe, është stadi i sëmundjes në momentin që paraqiten pacientët në spital. Të gjithë njerëzit që janë paraqitur me vonesë në spital, të pyetur nga reparti i shërbimit onkologjik, janë shprehur se arsyeja e vonesës ka qenë frika e infektimit nga virusi. Në 2020-n, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i grave të depistuara me kancerin e gjirit ra 26% krahasuar me 2019-n.
“Ky është një problem që po e hasin edhe vendet e zhvilluara. Në vendin tonë ka një rritje të stadeve të treta (të avancuara) të kancerit të vezoreve, krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo ka ndodhur pasi shumë gra janë paraqitur në spital, në momentin që sëmundja ka shfaqur shenja klinike, por në këtë fazë, fatkeqësisht sëmundja është përhapur.
Shumë pacientë, nga frika e infektimeve, kanë lënë veten pas dore dhe janë paraqitur me vonesë te mjeku. Të gjitha patologjitë malinje kanë rritje të ardhjes të pacientëve në spitale me stad të avancuar, duke neglizhuar ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet para pandemisë. Kjo dukuri u vu re edhe në tetor, që është muaji i sensibilizimit të kontrollit të gjirit. Numri i grave që erdhën në spital për të kryer monografinë ishte shumë i ulët”.
Pandemia ka ndikuar te të gjitha patologjitë tumorale, pasojat e së cilës do të reflektohen edhe në të ardhmen. Për këtë vit, parashikimet e drejtueses së repartit të onkologjisë janë për shtim të rasteve tumorale, pasi depistimi i sëmundjes nuk është kapur që në fazën e hershme.
“Listë-pritja e pacientëve për kryerje të operacioneve, trajtimeve me kimioterapi dhe radioterapi është e lartë. Për 2021 do të vazhdojnë të vijnë pacientë në stade të avancuara të sëmundjes, pasi vihet re që frika nga infektimi ende ekziston. Do të kemi rritje të të sëmurëve dhe të stadit të sëmundjes të tyre. Edhe trajtimi për këta të sëmurë do të jetë më i vështirë, pasi agravimi i sëmundjes do të kërkojë më shumë seanca kimioterapie dhe radioterapie, por edhe më tepër shpenzime. Vetëm vaksinimi do të ndikojë te kthimi i normalitetit, edhe pse imunizimi i popullatës do të ndodhë gradualisht”, nënvizon znj. Çeliku.
Në periudhën e karantinës, në repartin onkologjik janë shtyrë disa operacione, për shkak të frikës që patën shumë pacientë nga infektimet me COVID-19. Për të ulur fluksin e vizitorëve në QSUT, në periudhën e karantinës për shumë pacientë u përcaktua që seancat e kimioterapisë të kryheshin në rrethe. Sipas statistikave zyrtare, deri në fund të 2020-s, fluksi i pacientëve për seanca radioterapie ka qenë 8% më pak se në 2019. Vitin e kaluar janë trajtuar me kimioterapi 15 mijë pacientë.
Dhurata Tarifa, mjeke kimioterapeute në QSUT, shton se trajtimet e domosdoshme për pacientët me sëmundje tumorale vazhdojnë të bëhen dhe COVID-19 nuk e ndërpreu asnjëherë zinxhirin për diagnostikimin e kancerit për pacientët që u paraqitën në spitale.
“Janë të paktë pacientët të cilët kanë shtyrë mjekimin. Shtyrja e kimioterapisë ka kosto për ata që janë në fazën e përkeqësuar të sëmundjes dhe duhet të bëhet, për aq sa të mos ketë agresim të thellë të sëmundjes. Për pacientët që janë në gjendje të qëndrueshme nuk ka kosto. Shumica e të dignostikuarve me kancer në këtë periudhë pandemie nuk janë frenuar për vazhdimin e kimioterapisë edhe gjatë karantinës.”
Situata e krijuar nga pandemia ndryshoi treguesit e shërbimeve spitalore publike të planifikuara për vitin e kaluar, ndërsa janë rritur rastet e trajtuara nga njësitë e urgjencës mjekësore. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, disa nga ndërhyrjet e planifikuara në spitalet publike nuk u realizuan, kështu që realizimi i paketave në vitin 2020 nuk është në nivelin e pritshëm.
Në raportin e monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se rënia e të shtruarve është ndikuar nga kufizimi i shërbimeve jourgjente për shkak të pandemisë. Janë trajtuar normalisht pacientët për shërbimin e dializës. Janë realizuar gjithsej 195,384 seanca me dializë, në spitalet publike, jopublike, si dhe sipas kontratës koncesionare në pesë spitale rajonale të vendit. Janë realizuar gjithashtu 6,197 raste të paketave të kardiologjisë e kardiokirurgjisë, 10 raste të paketës së transplantit të veshkës, 2,089 raste të paketës së kataraktes, si dhe 19,168 seanca të radioterapisë.
Prof. dr. Arben Beqiri, kirurg-gastrohepatolog, pohon se në QSUT vazhdojnë të mos kryhen ndërhyrjet urgjente kirurgjikale dhe shërbimi po realizohet pranë Spitalit të Traumës. “Janë kufizuar operacionet për rastet e pacientëve që presin, siç janë planifikimet e kirurgjisë së hernies, tiroides dhe gurit në tëmth të pakomplikuara. Për rastet e shfaqura me komplikacione, ndërhyrjet janë kryer, duke përfshirë edhe ato me kancer”.
Sipas mjekut Beqiri, një ndër arsyet e rënies së shtrimit është se të gjitha strukturat janë përpjekur të kursejnë burimet e tyre dhe t’i orientojnë drejt të infektuarve me COVID-19. “Më tepër resurse dhe vende në reanimacion kërkohen për rastet komplekse të kardiologjisë vaskulare dhe kirurgjisë ortopedike. Pas operacionit, shumica e këtyre pacientëve u nevojiten shtretër të terapisë intensive, të cilat kanë qenë më të domosdoshmit në pandemi. Nevoja për të ruajtur sa më shumë shtretër të terapisë intensive është bërë që të shtyhen sa më gjatë ato ndërhyrje që presin.
Kjo nuk ka prekur kirurgjinë e traumave, kancerit që nuk toleron shtyrje shumë të gjatë. Në shumë vende të Europës, SHBA-së dhe Kanada, janë bërë protokolle të qarta se cilat ndërhyrje do të kërkojnë trajtim në këtë periudhë të pandemisë dhe cilat nuk do t’i nënshtrohen terapisë. Nuk ka ndryshim të frekuencës së patologjive, por me këtë zgjidhje janë përdorur më mirë ato burime që janë, të mira apo të këqija”.
Ulet numri i shërbimit check up
Nga gjysma e dytë e muajit mars 2020, shërbimi check up i koncesionarit është ndërprerë përkohësisht, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Buxheti vjetor është pakësuar me 450 milionë lekë deri në ndërprerjen e shërbimit. Gjatë periudhës në funksionim, janë realizuar 100,243 check up, ndërkohë që janë likuiduar detyrimet për periudhën nëntor-dhjetor 2019, si dhe po likuidohen në vazhdimësi detyrimet e krijuara për vitin 2020, deri në ndërprerjen e shërbimit. Në total, në 2020, përfituan shërbimin 20% e pacientëve të planifikuar. Krahasuar me një vit më parë, numri i personave që kryejnë check up ra 79%. /Monitor