Partisë Socialiste iu deshën katër ditë për të kaluar nga injorimi i lajmit të ekzistencës së databazës si “diçka normale” te mohimi i plotë i asaj që ngjan se është një databazë ku çdo votues shënjohet në veçanti si një objekt gjurmimi, përgjimi dhe sulmi.
Ekzistenca e databazës duket se minon premisat për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Republikën e Shqipërisë.
Kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla e injoroi lajmin e rrjedhjes së një databaze me 910 mijë votues të publikuar nga Lapsi.al si një shpifje, duke pranuar se databaza ekziston, por duke hedhur poshtë sugjerimin se ajo përbëhet nga të dhëna të vjedhura. Në fillim Balla tha se të dhënat janë grumbulluar ‘derë më derë’ dhe janë dhënë vullnetarisht nga vetë qytetarët.
Taulant Ballës iu deshën disa ditë për të kuptuar përmasat e skandalit dhe për të mbërritur të mërkurën te statusi i mohimit të vërtetësisë së databazës. Ai madje deklaroi edhe se ekzistenca e databazës mund të përbëjë një alibi për opozitën për të justifikuar një humbje në zgjedhjet e 25 prillit. Kjo mund të jetë apo mund të mos jetë e vërtetë, por ajo që dallohet është se të drejtat që socialistët i japin vetes për të shënjestruar çdo votues individualisht, duke e markuar atë me një “patronazher” e bën një fitore të tyre të mundshme minimalisht të pandershme.
Databaza, e cila tashmë përbën një sekret që e dinë të gjithë, tregon shumë për mënyrën me të cilën socialistët menaxhojnë zgjedhjet. Ajo që kemi parë në mënyrë fragmentare nga dosjet 184 dhe 339, ku zyrtarët socialistë shënjestrojnë dhe shantazhojnë votuesit një më një, duket se është shtrirë në të gjithë vendin.
Votuesit shënjestrohen një nga një nga zyrtarët e partisë, të armatosur me të dhënat e tyre personale dhe me një profil të gjithësecilit prej tyre, si votues potencialisht të një partie tjetër.
Ajo dukshëm është një databazë ku përfshihen të dhënat që qytetarët kanë dorëzuar në institucione të tjera publike. Në një kolonë gjenden vendet e punës, një e dhënë që qytetarët e depozitojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. A punon votuesi në një kompani publike apo private? Me një kërkim që zgjat më pak se dy sekonda, mund ta gjesh se ku punon gjithësecili. Historia ka treguar se punësimi në Shqipëri është një mekanizëm shantazhi dhe presioni që përdoret nga partitë politike për të detyruar qytetarët të votojnë pavarësisht bindjes së tyre politike. Dhe fakti që një e dhënë e tillë gjendet në databazën e Partisë Socialiste vështirë se sugjeron se socialistët po përpiqen të bindin qytetarët se programi i tyre është më i mirë se sa ai i kundërshtarëve.
Dhe krahas emrave të të të punësuarve në shtet, të ashtuquajturit “patronazhistë” duket se janë kryesisht të punësuar shteti që kanë një jetë të dytë si përgjues të qytetarëve për llogari të Partisë Socialiste.
Në njërën prej kolonave të databazës të emërtuar “koment”, patronazhistët kanë lënë shënime të ndryshme: njëri shkruan se ka kontaktuar një votues dhe ai i ka kushtëzuar votën me një vend pune për gruan (një vepër penale kjo e dyfishtë: nga ana e qytetarit dhe nga ana e patronazherit që nuk e ka denoncuar krimin).
Një tjetër se i ka kërkuar legalizimin e pallatit. Në një tjetër është shënuar: Punon për xxx, eksponent i LSI. Apo akoma më tutje, “përfituese në legalizim”. Dhe akoma më tutje: “nuk ka votuar. As faleminderit nuk tha që mori hipotekën e shtëpisë”. Apo: “babai, anëtar organizate PD”.
Në një rast tjetër, një socialist pyet një punonjës të bashkisë Tiranë për votën dhe shënon në databazë se punonjësi i është përgjigjur se ‘vota është sekrete’. Në një tjetër shkruhet: “Nul votojn jehovaj”, apo “myslimane ekstremist, nuk vijnë te votojnë, nuk ua lejon feja.” Ose: “të pakënaqur”.
Të gjitha të dhënat personale që shkelin sekretin e votës gjenden aty. Njerëzit janë identifikuar nëse kanë votuar këtë apo atë parti më 2013 dhe nëse kanë marrë apo jo pjesë në votime më 2019. Pjesëmarrja ose jo në votimet e vitit 2019, dukshëm shërben si referencë për të vlerësuar qytetarin si votues ose jo të PS. Edhe vëzhgimi i rrjeteve sociale nuk është lënë pas dore, Në një rast, një patronazhist shkruan: “nga hetimi në Facebook, mund të jetë votues i PS.” Ose në një tjetër: “referuar fillimisht si PDIU. Të mbahet në monitorim”.
Patronazherët kanë hyrë deri në të dhënat më private të mundshme të qytetarëve duke u informuar edhe për sherret brenda familjes. Në një votues është shënuar: “djali i xhajës së xxx, por nuk flasin”. Në një tjetër: “mamaja e xxx, punësuar në bashki”. Patronazherët kanë krijuar profil votuesi edhe për të punësuar të tillë sensitivë si ushtarakët apo policët.
Databaza tregon gjithashtu se Partia Socialiste ka marrë nën kontroll segmente të tjera të shtetit dhe se shumë nga institucionet e pavarura janë të kapur nga militantë socialistë. Një drejtor në INSTAT rezulton referues të dhënash personale për partinë.
Në një rast tjetër, një votues i identifikuar si pronar biznesi mban shënimin: “Do kontaktohet për punonjësit”.
Ky mund të jetë përdhunimi më i madh i të dhënave personale në historinë e Shqipërisë, një i tillë që ka gjasa do ta damkosë Partinë Socialiste si një parti që përdori metodat e Sigurimit të Shtetit për të ndikuar vullnetin e votuesve.
Shqiptarët zbuluan nga ky skandal edhe një terminologji të re, të krijuar për përdorim të brendshëm nga Partia Socialiste: Patronazhist/e, një zyrtar partie që përgjon qytetarët dhe di se ku banojnë, ku punojnë dhe nëse janë të sëmurë apo të shëndetshëm.
Standardet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë përshkruar në dokumentin e Kopenhagës. Ekzistenca e databazës dukshëm dhunon standardet në shumë dimensione. Parimi i fshehtësisë së votës, i cili duhet të garantojë vetë ekzistencën e zgjedhjes me ndërgjegje, është dhunuar nga përpilimi i profileve të secilit prej votuesve duke përdorur të dhëna mbi prejardhjen, punësimin e votuesit apo familjarëve të tij, nëse ka marrë pjesë apo jo në votimet e shkuara dhe se si është deklaruar në të shkuarën. Parimi i ndarjes së shtetit nga partia është cënuar rëndë nga fakti që të dhënat në databazë dukshëm janë rrëmbyer nga institucione të tjera. Dhe parimi i barazisë në garë elektorale është dhunuar nga keqpërdorimi i burimeve publike nga ana e partisë në pushtet.
Kuptohet që ky BIG Brother i madh në variantin shqiptar ka edhe një dozë banaliteti. Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, rezulton si një votues që punon te Këshilli i Ministrave dhe ka për patronazhist Ervis Hushën. Husha vetë ka gjithashtu një patronazhist, i cili nga ana e tij, ka një patronazhist tjetër./BIRN