Pasojat e pandemisë kanë qenë më fatale te burrat, vdekshmëria e të cilëve në vend ka shënuar një rritje shumë të lartë, në periudhën korrik-dhjetor 2020, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Eurostat ka përditësuar të dhënat javore për vdekjet në Shqipëri për të gjithë vitin 2020, duke i detajuar dhe në ndarjen sipas gjinisë (një e dhënë e tillë nuk është publikuar ende nga INSTAT). Në total sipas Eurostat, në 2020-n në vend u shënuan rreth 27.7 mijë fatalitete, ose 5,800 më shumë se 2019-a, me një rritje prej 26.6%, shifra të ngjashme ato të publikuara nga instituti statistikor shqiptar.
Rritja e vdekshmërisë në vend ka filluar në javën e 25, që përkon me fillimin e gjysmës së dytë të muajit qershor, për të kulmuar në javën e 46 deri në atë të 49 (9 nëntor deri në javën e parë të dhjetorit).
Dy javët më vdekjeprurëse të pandemisë ishin java e 47 (16-22 nëntor), ku u shënuan 956 humbje jete, 2.4 herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë dhe ajo e 49 (30 nëntor deri në 6 dhjetor), ku u regjistruan 988 fatalitete, me rritje 133%. (shiko grafikun: Vdekjet sipas javëve total).
Pandemia goditi më shumë meshkujt, rritje e frikshme me 69% nga korriku në dhjetor
Në të gjithë botën, pandemia ka rezultuar më vdekshmëri më të lartë te meshkujt. Studimet shkencore kanë treguar se të dy faktorët biologjikë (përgjigjet më të forta imune) dhe faktorët e rrezikut të sjelljes (p.sh. pirja e duhanit dhe zakone të tjera të jetesës) i vënë burrat në një risk më të madh për komplikime shëndetësore dhe vdekje, si pasojë e COVID-19. Burrat e kanë dy herë më të lartë rrezikun e vdekjes nga COVID-19, duke u ndikuar nga sërë hipotezash, nga stilet e jetesës dhe faktit që gratë zakonisht kanë sistem më të fortë imunitar, falë hormoneve femërore, si dhe strukturës së kromozomeve.
E njëjta tendencë është konstatuar dhe në Shqipëri. Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor, vdekjet e meshkujve u rritën me 32.5% në 2020-n, në raport me vitin e mëparshëm, ose rreth 3,800 më shumë. Ndërsa jetët e humbura të femrave u rritën me 19.7% për të njëjtën periudhë (rreth 2 mijë më shumë).
Në korrik-dhjetor 2020, kur filloi dhe kulmoi vala e pandemisë, vdekjet e meshkujve u rritën me 69% (nga 5,546 në korrik dhjetor 2019 në 9,360 në korrik dhjetor 2020). Në dy muajt e fundit të 2020-s, kishte dhe javë kur humbjet e jetëve të meshkujve ishin tre herë më të larta se në të njëjtën periudhë në vite normale. Psh në javën e 49 u regjistruan 611 vdekje te burrat, tre herë më e lartë se e njëjta periudhë e një vit më parë dhe dy herë më shumë se e grave po në javën e 49 të 2020-s (shiko grafikun: Vdekjet sipas javëve, meshkuj).
Për të njëjtën periudhë 5 mujore, fatalitetet te femrat u rritën me 42% (nga 4,733 në 6,719). Edhe te gratë, kurba është e njëjtë si tek meshkujt, me rritjen që ka filluar nga mesi i qershorit për të kulmuar në fund nëntori e fillim dhjetori, por rritja e vdekshmërisë është rreth 40% më e ulët sesa e meshkujve. (shiko grafikun: Vdekjet sipas javëve, femra).
Mesatarisht, në një vit normal, 53% e vdekjeve janë meshkuj, ndërsa për gjithë vitin 2020, kjo peshë është rritur në 57%. Gjatë javëve të pandemisë, rreth 60% e fataliteteve ishin burra (shiko grafikun: Vdekjet sipas javëve 2020, sipas gjinisë). /Monitor.al/