Biseda Beketi-Agaçi tregon se çfarë “dashnori” është Rama për Reformën në Drejtësi

Nga BoldNews.al

Një pasazh në vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit në Uashigton, në çështjen “Francesko Beketi kundër Shqipërisë” rrëzon kështjellën prej rëre që kryeministri Edi Rama ka ngritur, nëpërmjet diktatit mediatik, duke e prezantuar veten si “dashnor i Reformës në Drejtësi”.

Gjykata me seli në Uashington, e cila vendosi që Shqipëria të dëmshpërblejë biznesmenin italian me 110 milionë euro për mbylljen e padrejtë të “Agon Channel”, përmend ndërhyrjen e qeverisë “Rama” në sistemin e drejtësisë, kundër Beketit.

Në vendim, një pjesë e të cilit është publikuar nga televizioni “MCN” në Tiranë, gjykata e arbitrazhit të ICSID, citohet: “Sapo dolën vendimet e konfiskimit (të pasurive të Beketit, shën. Red), kryeministri Edi Rama deklaroi se lufta e tij ndaj investitorëve, siç është edhe paditësi (në gjykimin e Arbitrazhit, shën red.) kishte qenë një sukses dhe shkoi më tej duke kërcënuar gjyqësorin se në një mënyrë apo tjetër ishte i implikuar në shkeljet e këtyre investitorëve”.

Pasazhi është një konfirmim që vjen nga jashtë, për atë që shumë ekspertë dhe juristë në Shqipëri e kanë kuptuar tashmë se kryeministri Rama e përdori Reformën në Drejtësi për të pasur nën kontroll sistemin e drejtësisë.

Një akuzë e tillë ndaj Ramës mbërriti së fundmi edhe nga raporti i Transparency International, i publikuar në mesin e muajit mars 2021 dhe që konsiderohet si një ndër më kritikët në dy dekadat e fundit për Shqipërinë.

Kryeministri Edi Rama ka hyrë në fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021 në rolin e “dashnorit” të Reformës në Drejtësi, duke u vetëdeklaruar si mbrojtës i asaj që, sipas tij, kërcënohet nga Iliri (presidenti i vendit) dhe Saliu (ish-kryeministri).

LEXO EDHE  Mbërrijnë edhe 259 afganë, ja sa persona janë në total në Shqipëri

Rama paraqitet si frymëzuesi, ideuesi dhe zbatuesi i një reforme të thellë në sistemin e drejtësisë, e cila në fakt u miratua në vitin 2016 me konsensus absolut të të gjithë forcave parlamentare, si edhe me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Pavarësisht aureolës që i jep vetes, biseda “Beketi-Agaçi” zbuloi më së miri se Rama, më shumë se “dashnor idilik” i Reformës në Drejtësi, është një ndër dhunuesit e pushtetit të tretë.

Biseda, në të cilën Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi, miklon dhe më pas shantazhon pronarin e “Agon Channel”, Franceso Beketi, për të hequr dorë nga linja editoriale kundër qeverisë, dëshmon mënyrën se si kryeministri Edi Rama i ka zgjidhur dhe vijon t’i zgjidhë problemet me ata që nuk i përulen.

Rasti “Beketi” dëshmoi se, ata që nuk i binden kryeministrit, mund të përballen me masa shtrënguese nga gjykatat, të cilat, si rregull, janë një pushtet i pavarur nga kryeministri.

Por, në një vend si Shqipëria dhe me një kryeministër me nuanca autoritariste, pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe ai gjyqësor humbasin nocionet dhe vijat ndarëse.

Kjo dallohet lehtësisht nga fakti që, “drejtësia e re”, e krijuar pas-Reformës në Drejtësi, nuk ka dëshmuar as vullnetin më minimal për të nisur ndjekje penale për skandalet serial të maxhorancës socialiste në koncensione, tendera, ligje e vendime klienteliste, abuzim me pronat publike e private.