Kategoria Superiore/ Luftë për mbijetesë dhe detyrim për fitore, sot luhen 3 ndeshjet e fundit të javës së 26

Kategoria Superiore mbyll sot javën e 26 të saj me tre ndeshjet e mbetura. Ditën e sotme e hap një duel i pjesës së poshtme të renditjes mes Bylisit dhe Kastriotit në Ballsh, duke nisur nga ora 13:00.

Ballshiotët kanë bërë shumë mirë gjatë javëve të fundit dhe kanë arritur të shkëputen nga dy të fundit (Apolonia, Skënderbeu) dhe të futen në garë për të shmangur Play-Out.

Për ta bërë këtë duhet të parakalojnë Kastriotin, që ka 4 pikë më shumë. Një fitore e Bylisit sot do e bënte shumë të ethshme garën për vendin e 7, që të jep mundësinë të mosh shkosh në Play-Out.

LEXO EDHE  Derbi i Londrës shkon për Arsenalin, Tottenham në krizë të thellë

Në orën 16:00 në “Air Albania” Tirana kthehet në stadiumin “fatndjellës” për të sfiduar Apoloninë. Bardheblutë shkojnë në këtë sfidë pa Najdovskin dhe Vangjelin, por as kjo nuk ia heq petkun e favoritit.

Në të njëjtën orë luhet edhe në “Elbasan Arena”, aty ku Kukësi pret Skënderbeun. Verilindorët janë favoritë, por luhatjet që ka treguar skuadra e Josës herë pas here i jep motiv korçarëve të provojnë të bëjë mirë.