Ish-Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kreun e qeverisë Edi Rama se ka kryer një krim shtetëror duke fshehur dokumentin zyrtar të qeverisë së Republikës Kineze lidhur me vaksinën Sinovac.
Duke e cilësuar një veprim flagrant, ish-Kryeministri Berisha sqaron se nga ana e qeverisë nuk ka aspak transparencë mbi procesin e vaksinimit të popullatës dhe fton familjarët e personave që kanë humbur jetën pasi u vaksinuan me Sinovac që të ngrenë padi në Gjykatën e Strasburgut.
Në një intervistë për Klan, Berisha sqaron se dokumenti që ai ka bërë publik pak ditë më parë e që i është vënë në dispozicion edhe qeverisë shqiptare, përcakton qartë nga testet klinike se kjo vaksinë nuk mund të përdoret tek grupmoshat nën 18 vjeç dhe mbi 60 vjeç.
Zoti Berisha, cili është qëndrimi juaj për vaksinimin e popullsisë?
Vaksinimi është mjeti i vetëm efikas për të luftuar Covid-19, por vaksinimi i popullsisë duhet të jetë një proces transparent, i bazuar në kritere shkencore dhe jo një proces obskur, ku fshihet çdo gjë, ku veprohet në kundërshtim flagrant me indikacionet shkencore dhe ligjore të vaksinës. Ku nuk tregohet dhe mbahet sekret data e skadencës së vaksinave, në të cilin grupet që nuk duhet të marrin vaksinën u jepet pikërisht atyre për qëllime elektorale. Një proces i tillë nuk i shërben shoqërisë dhe luftës serioze kundër Covid-19, por i shërben karriges së Xhahilit të Surrelit.
Ju thoni se vaksina kineze Sinovac po përdoret pa protokoll, për arsye elektorale dhe kjo sipas jush ka çuar dhe në humbjen e jetës së një gruaje nga Berati. Ku e bazoni në këtë denoncim që keni bërë?
Së pari unë me datën 30 Mars, në statusin të cilin njerëzisht do ju kërkoj t’ia paraqisni publikut, kam paraqitur dokumentin zyrtar, të cilin Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinë, ia ka shpërndarë të gjitha organizatave ndërkombëtare, dhe ambasadave të akredituara në Pekin, lidhur me përdorimin e vaksinës Sinovac dhe procesin e vaksinimit.
Ky dokument i publikuar sapo më ka rënë në dorë dhe është verifikuar nga unë, ka të qartë si kristal se kjo vaksinë ka kundraindikacion të parë, moshën nën 18 dhe 60 vjeç e sipër, sepse prodhuesi i vaksinës nuk ka arritur të bëjë provat e kësaj vaksine në këto grupmosha. Ato prova, Sinovac po i bën pikërisht në këtë periudhë, ndaj me përgjegjësi të plotë ka informuar se vaksina është thellësisht e kondraindikuar në këtë moshë.
Çfarë bëri Shqipëria? Edi Rama targetoi atë që nuk duhet të targetonte, moshën mbi 60 vje,ç madje tha dhe mbi 75 vjeç. Ju dini një vdekje, por janë një seri vdekjesh pas përdorimit të saj. Përveç kësaj, pasi unë publikova dokumentin zyrtar të cilin e ka edhe qeveria shqiptare, sepse unë besoj që autoritetet kineze nuk kanë përjashtuar Ambasadën e Republikës popullore të Shqipërisë nga ky informacion.
Edi Rama ka fshehur dokumentin dhe pasi u publikua në Facebook-un tim, ai ndërpreu procesi i vaksinimit tek të moshuarit. Ndoqi një taktikë tjetër, akuzoi opozitën se po bën thirrje kundër vaksinimit, ndërkohë që unë po bëja thirrje, kundër përdorimit të vaksinës mbi moshën 60 vjeçare e sipër, me përputhje me pasaportën e vaksinës. Përdorimi i saj në këtë moshë e sipër përbën vepër penale. Ai dokument është dokument ligjor dhe ai i cili vepron, mjek, kryeministër, ministër, cilido qoftë, vepron në kundërshtim me atë udhëzim, ka kryer një krim shtetëror të mirëfilltë. Ndaj edhe unë ftoj të gjithë ata që u kanë vdekur njerëzit e tyre të dashur pas vaksinimit, të ngrenë padi në të gjitha instancat, gjer në Strasburg, për vrasje të mirëfilltë shtetërore. Pas këtij denoncimi ndoqi dy rrugë, së pari ndërpreu vaksinimin sigurisht dhe së dyti filloi akuzat ndaj opozitës dhe stisi në media një fushatë të turpshme duke përdorur, më fal për shprehjen, profilaktik qeveritar për të mashtruar qytetarët.
Angela Merkel kurrë nuk ka miratuar vaksinën kineze, as Sputnik, natyrisht ka deklaruar se do t’i shqyrtojmë. OBSH ka marrë para tre ditësh dosjen e Sinovac dhe Sinopharma, por nuk ka dhënë konkluzionet. Po ashtu, Food Drug Administration e SHBA nuk ka dhënë asnjë mendim pozitiv për përdorimin e tyre. Në këto rrethana kemi të bëjmë me një fushatë e cila pavarësisht se kushton jetë njerëzish, duhet të bëhet për llogari të një njeriu se beson se do të mund t’ua shesë shqiptarëve si një sukses personal. Jolldiz, a mund të mendohet në botë një kryeministër që shkon pa asnjë lloj formimi mjekësor, futet në çdo dhomë ku bëhen vaksinat, në një kohë kur është kategorikisht e ndaluar futja në mjedise ku bëhen procedura mjekësore nga ana që nuk janë mjekë. Ekziston ai që quhet punëtor, por ai është i pacipë dhe nuk njeh asnjë princip.
A do t’i drejtoheni ju zyrtarisht organeve shtetërore për të hetuar këtë rast?
Dokumentin para se ta marrë Sali Berisha, jam i sigurt që e kanë marrë organet shtetërore, të cilat e kanë fshehur. Por nëse duan organet shtetërore, që nuk duan kurrë, kanë të publikuar në Facebook-un tim, pikërisht dokumentin i cili ka shoqëruar notën verbale, 28 të ministrisë së Jashtme të Kinës, dhe ata mund të nisin hetimin e menjëhershëm, për shkeljen flagrante të udhëzimit të përdorimit të Sinovac në popullatën shqiptare.
Si e shpjegoni faktin se deri tani janë vaksinuar 172 e 400 qytetarë dhe nuk është raportuar asnjë problem prej tyre?
Së pari, nuk e besoj në mënyrë absolute nuk është besoj këtë shifër, sepse nuk mund të besosh asnjë shifër të kësaj qeverie. Ajo që është e sigurt, është se janë vaksinuar dy herë vetëm 650 qytetarë. Kjo po nuk lëviz. Së dyti, për sa u përket ndërlikimeve ka një komitet bluzëzishë që keqpërdoret në mënyrën më të paimagjinueshme. Ju i dëgjuar dje, me gjithë vdekjet e njoftuara nga media, deklaruan pa bërë asnjë autopsi, se nuk kanë lidhje me vaksinën. A mund t’u besohet këtyre bluzëzive të cilët bëjnë çakallin e Edi Ramës dhe shkelmojnë mbi betimin e Hipokratit dhe profesionin e tyre e tyre? Po nga e dinë këta që nuk kanë lidhje me vaksinën, që nuk vdiqën nga tromboza, etj., pa bërë autopsinë?
Ju keni qenë Kryeministër, çfarë do të kishin bërë ndryshe në procesin e vaksinimit?
Transparencë të plotë. Asnjë nga qytetarët shqiptarë nuk e dinë kur skadojnë vaksinat. Po ju rikujtoj një gjë, para një jave në Beograd, kryeministrja Barnabiç deklaroi se ne ftuam qytetarë nga vende të tjera për të bërë vaksina, sepse kishim 30 mijë doza AstraZeneca, që brenda 3 ditësh skadonin. Kurse këtu të jesh e sigurt, që të skaduarat u jepen edhe kohë e kohë prapa, pa marrë vesh njerëzit se çfarë marrin. Unë do të ndiqja udhëzimet e EMA-s, Food & Drug, OBSH-së dhe me transparencë të plotë do të informoja qytetarët shqiptarë për çdo hap.