Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot një takimin me gratë në Fier, ndërsa nuk i ka kursyer sulmet për kryeministrin Edi Rama.
Ajo reagoi në lidhje me deklaratën e kreut të qeverisë për marrjen e punëtorëve nga jashtë.
“Unë e di shumë mirë që të gjitha ne së bashku do ta arrijmë dhe do ta realizojmë objektivin tonë. Objektivi ynë nuk është thjesht një flamur, por është mirëqenie për familjet shqiptare. Objektivi ynë është punë për gratë dhe vajzat shqiptare për djemtë dhe burrat shqiptarë. Dhe jo vetëm punë që të tallemi me ta, por punë të mirëpaguar.
Të gjithë dëgjuat batutat qesharake të kryeministrit që bënte në Shkodër për punëtorët që do të vijnë nga Bangladeshi dhe të gjithë gazetarët dhe rrjetet sociale u morën me meme, sesi mund të ndodhte po të vinin punëtorët nga Bangladeshi, por asnjëri nga ne nuk foli sesi ata që kanë fasonët e dinë shumë mirë dhe e kanë të pamundur për të paguar rrogën e një punëtori në fason me 400 mijë lekë. Por përkundrazi, mezi e realizojnë që t’u japin pagën punëtorëve. Sepse me rënien e ekonomisë, çdo fabrikë fasonistësh humbet të paktën me qindra mijëra euro për shkak të kodit doganor, të ligjeve absurde të Edi Ramës, për shkak të çdo abuzimi dhe shkatërrimi të ekonomisë shqiptare.
E pra para se të marri dhe të bëjë rrogat e punëtorëve nga Bangladeshi, nga Pakistani e nga të dojë ai me 400 mijë lekë, të bëjë rrogat e punëtorëve shqiptarë dhe t’u japë shansin dhe mundësinë bizneseve shqiptare që të bëjnë rrogat minimale me 400 mijë lekë. Me mashtrime të tilla shqiptarët janë lodhur, kanë 8 vite që e dëgjojnë atë që gënjen. 4 vjet me kusi e timon, i vetëm fare dhe ja ku jemi sot. Taksa më të larta, çmime më të larta, biznese të mbyllura, fëmijë të larguar nga Shqipëria, shkolla të shkatërruara, spitale të rrënuara, shërbim shëndetësor skandaloz, faturat e ilaçeve më të larta se kudo tjetër. E pra kjo është ai që ai kërkonte, të pasuronte veten dhe oligarkët e tij dhe të varfëronte qytetarët.”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi e cilësoi takimin e sotëm madhështor, duke shtuar se fitorja e LSI është e padiskutueshme.
“Tani e kuptoj pse Kejdi më thotë që ne do të dalim forcë e parë në Fier dhe shumë veta mund të jenë skeptikë, jo pa qëllim ne vendosëm një target, që sot takimin do ta bëjmë vetëm me gratë dhe vajzat e 4 rajoneve të qytetit të Fierit. Asnjëri nuk e kupton, por ne që merremi prej vitesh me politikë, e dimë shumë mirë që po nxore gruan nga shtëpia, po binde nënën, po binde bashkëshorten, po binde vajzën, po binde nusen, që të dalë nga shtëpia për të kërkuar të drejtat e saj, ta dini që ajo sfidë është e mbaruar. Është e mbaruar dhe e realizuar, sepse vetëm një grua di si i realizon qëllimet e saj, vetëm një grua di si të mos tërhiqet nga objektivat e saj për të mbrojtur fëmijët, për të mbrojtur familjen, për të mbrojtur shtëpinë.
Nuk thonë kot “kush ka vajza botën ka”. Unë jam e bindur që fitorja e LSI-së në qarkun e Fierit, jo vetëm është e padiskutueshme, por është e konsoliduar, është e qëndrueshme, është e fortë dhe mbi të gjitha një fitore e cila buron nga shtëpitë e fierakëve dhe fierakeve, buron nga zemrat e fierakeve, buron nga shpirti i të rinjve dhe të rejave fierakë, edhe për ata që nuk jetojnë sot në Fier, që jetojnë në Tiranë apo kanë ikur jashtë Shqipërisë për shkak të emigracionit dhe pamundësisë ekonomike. Jam e bindur që 25 prilli jo vetëm do t’i kthejë në Fier, jo vetëm për të votuar dhe ndëshkuar çdo padrejtësi që u është bërë fierakëve, çdo padrejtësi që u është bërë familjeve fierake dhe familjeve shqiptare, për të ndëshkuar me votë çdo padrejtësi që u bëhet bizneseve fierake, shkollave dhe sistemit arsimor në Fier e kudo.
Sepse forca e gruas është një forcë që buron për të vetmen gjë që jetojmë ne gratë, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ashtu siç Zoti ma dha shansin mua që të isha nëna e 3 fëmijëve, jam e bindur që do të më japi forcë për të punuar çdo ditë, pafund, deri në momentin e fundit të jetës sime për të ardhmen e fëmijëve. Sepse ashtu si çdo nënë jep shpirtin për fëmijët e saj, ashtu si me qindra gra dhe nëna në Shqipëri japin gjak për të ushqyer fëmijët e tyre në pamundësi për të pasur një punë, në pamundësi për t’i dalë zot shteti siç duhet t’i dali, ashtu është dhe sfida jonë, e imja, e Lusidës, e Blertës, e Migenës, e të gjitha grave dhe nënave. Është bekim nga Zoti të kesh shansin dhe mundësinë që të jesh nënë, të rrisësh fëmijë t’i duash ata dhe të luftosh për ta.”, pohoi ajo.