Në Bruklin të Nju Jorkut, një burrë i bardhë ngacmoi një grua aziatiko-amerikane dhe e ndoqi atë në mënyrë agresive përmes lagjes, duke i thërritur me fjalë denigruese raciste dhe seksuale.
Në Uashington D.C., një burrë goditi me grusht në kurriz një grua aziatike në një stacion të metrosë, duke bërtitur në mënyrë të përsëritur me sharje raciste dhe duke i kërcënuar fizikisht atë dhe të dashurin e saj.
Në Las Vegas, një shofer taksie i tha pasagjerit aziatik: “Dreqi ta hajë, një tjetër aziatik në makinë me mua sot. Shpresoj mos të kesh ndonjë COVID”.
Këto tre incidente janë ndër gati 3800 rrëfime okulare të urrejtjes dhe abuzimit kundër aziatikëve, të regjistruara nga një koalicion aktivizmi që nga fillimi i pandemisë së COVID-it një vit më parë. Sëmundja e pati origjinën në Kinë.
Në një raport të publikuar të martën, organizata Stop AAPI Hate tha se ka regjistruar 3795 incidente kundër aziatikëve nga 19 marsi 2020, pak pasi COVID-19 u shpall pandemi, dhe deri në 28 shkurt 2021. Mbi 500 incidente u regjistruan gjatë vitit 2021.
“Numri i incidenteve të urrejtjes që raportohen tek qendra jonë përfaqësojnë vetëm një pjesë të numrit të incidenteve të urrejtjes që ndodhin realisht. Megjithatë, kjo tregon se sa të ekspozuar janë azitiako-amerikanët ndaj diskriminimit”, tha organizata në një deklaratë.
Sulmet verbale dhe distancimi përbënin 68.1% dhe 20.5% të incidenteve. Sulmet fizike ishin 11.1% të të gjithë incidenteve.
Fushata Stop AAPI Hate u fillua një vit më parë nga një koalicion i dy grupeve aktiviste aziatiko-amerikane dhe një departamenti universitar për t’i ndihmuar aziatiko-amerikanët të raportojnë incidentet e urrejtjes gjatë pandemisë.
Aziatiko-amerikanët filluan të raportojnë rritje të diskriminimit që në janar 2020. Por shifrat u rritën ndërsa ish-Presidenti Donald Trump filloi të përdorë gjuhë ksenofobike, si “kung flu” për t’iu referuar koronavirusit dhe duke fajësuar Kinën për pandeminë, thotë Cynthia Choi, bashkëthemeluese e fushatës Stop AAPI Hate.
Shumica e incidenteve të regjistruara nga Stop AAPI Hate nuk janë krime urrejtjeje, të cilat FBI-ja i përkufizon si shkelje penale të motivuara nga raca, feja, orientimi seksual dhe faktorë të tjerë, tha zonja Choi.
Megjithatë, siç ka raportuar më parë Zëri i Amerikës, krimet e urrejtjes kundër aziatikëve u rritën vitin e kaluar me 150% në qytetet kryesore amerikane, dhe dhuna ka vazhduar edhe gjatë këtij viti.
Në janar, Vichar Ratanapakdee, një emigrant 84-vjeçar nga Tajlanda, vdiq pasi u shty në tokë në lagjen e tij në qytetin San Francisko. Një i dyshuar më vonë u arrestua dhe u akuzua për vrasje.
Administrata e Presidentit Joe Biden ka marrë një qëndrim kundër epidemisë së urrejtjes. Presidenti Biden publikoi një memorandum në janar për të dënuar rritjen e krimeve të urrejtjes ndaj aziatikëve.
Zonja Choi tha se ndërsa organizatat aziatiko-amerikane për të drejtat e njeriut mirëpritën gjestin kryesisht simbolik, ata duan ta shohin atë të shoqërohet me veprime.
Ndërsa incidentet e raportuara në Stop AAPI Hate ndodhën në të 50 shtetet dhe në Distriktin e Kolumbias, Kalifornia – shteti me popullsinë më të madhe aziatiko-amerikane – pati 45% të këtyre incidenteve. Në Nju Jork, shtetin me komunitetin e dytë më të madh aziatik, ndodhën 14% e incidenteve.
Kinezo-amerikanët ishin grupi i sulmuar më shpesh. Ata raportuan 42.2% të incidenteve, të ndjekur nga koreanët, me 14.8%; vietnamezët, me 8.5%; dhe filipinasit, me 7.9%, sipas të dhënave të raportit. Gratë kishin mbi dy herë më shumë gjasa se burrat që të raportonin incidente.
Gruaja e sulmuar në stacionin e metrosë të Uashingtonit i tha organizatës Stop AAPI Hate se incidenti ndodhi në shkallët lëvizëse në një stacion.
“Disa ditë më vonë, pamë në lajme se si pronari i Valley Brook Tea në Uashington u ngacmua dhe u spërkat me lëndë djegëse nga i njëjti burrë, duke e quajtur atë ‘COVID-19’ në mënyrë të përsëritur”, raportoi gruaja.
Asnjë arrestim nuk u bë në këtë rast. Departamenti i Policisë Metropolitane e mbylli çështjen pasi prokuroria nuk pranoi të ngrejë akuza, tha një zëdhënës i policisë.
Në përgjigje të rritjes së dhunës kundër aziatikëve, Departamenti i Drejtësisë tha muajin e kaluar se që nga fillimi i administratës së Presidentit Biden, janë trajnuar qindra prokurorë federalë dhe oficerë të organeve të zbatimit të ligjit për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e urrejtjes dhe krime të tjera të të drejtave civile .
“Unë dua të jem i qartë këtu: Askush në Amerikë nuk duhet të ketë frikë nga dhuna për shkak të asaj që janë ose të asaj që besojnë”, tha Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm John Carlin gjatë një bisede me gazetarët muajin e kaluar./VOA/