Nga BoldNews.al
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka shtyrë “për një moment të dytë” një seri seancash për shpalljen e vendimeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të caktuar, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë dhe efikasitetin e trupave të rivlerësimit kalimtar.
Vetëm në Mars 2021, trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kanë shtyrë nën argumentin e “arsyeve objektive” 5 seanca për katër gjyqtarë dhe një prokuror.
Në çdo rast, justifikimi qëndron në faktin e shqyrtimit të “indicjeve të reja” ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, kryesisht denoncime nga publiku, të cilat janë dorëzuar sidomos pas seancave dëgjimore të subjekteve.
Ky argumentim i trupave të Vetingut duket se çalon shumë, duke mbajtur në konsideratë se KPK ka marrë të gjithë kohën e nevojshme për verifikimin e subjekteve, ka akses të plotë në të gjithë regjistrat publikë e ato sekretë të shtetit shqiptar, si edhe të paktën 3 institucione ndihmëse që përgatisin raportet paraprake për pasurinë, integritetin personal dhe aftësitë profesionale.
Megjithatë, e shndërruar në një sjellje “normale”, shtyrja e seancave dëgjimore, por sidomos e atyre për shpalljen e vendimit, ka ngritur pikëpyetje në radhët e juristëve dhe ekspertëve që monitorojnë Vetingun, mbi integritetin dhe profesionalizmin e trupave të rivlerësimit.
Një ndër pikëpyetjet më të mëdha qëndron sidomos mbi trupën që po kryen rivlerësimin e prokurorit të Tiranës, Kolë Hysenaj. Atij iu ndërpre seanca në Shtator 2020 dhe prej më shumë se 7 muajsh KPK nuk po shpall ende vendimin.
“Boldnews.al” po rendit disa nga rastet e fundit të “shtyrjeve” të seancave nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Rastet
– Alma Hicka, gjyqtare në shkallën e parë në Tiranë dhe kandidate për anëtare të Gjykatës së Lartë, u shortua për t’u përfshirë në rivlerësim në 12 Maj 2020. Trupa që po kryen rivlerësimin e saj është e përbërë nga Etleda Çiftja, Firdes Shuli dhe Xhensila Pine.
Hicka u përball me gjetjet e verifikimit në seancën dëgjimore të datës 8 Mars 2021. KPK konstatoi problematika të shumta në pasurinë e saj dhe të bashkëshortit të saj, Envi Hicka, një ish-kandidat për në Gjykatën Kushtetuese dhe që u dorëhoq një ditë pasi “Boldnews.al” publikoi raportin negativ të ILDKPKI ndaj tij.
KPK caktoi datën 12 mars 2021 për të shpallur vendimin për subjektin Alma Hicka. Por, në një njoftim paraprak, trupa e vetingut njoftoi se “për arsye objektive, seanca për shpalljen e vendimit nuk do të zhvillohet. Seanca e radhës do të njoftohet sërish në faqen zyrtare të Komisionit”.
– Genci Qana, prokuror në Tiranë, është shortuar për të nisur vetingun në 18 mars 2019. Pas dy vjetësh verifikim, ai paraqiten në seancë dëgjimore përballë trupës së përbërë nga Etleda Çiftja, Valbona Sanxhaktari dhe Xhensila Pine.
Gjatë seancës dëgjimore, të zhvilluar në 8 Mars 2021, trupa e KPK raportoi mbi disa të dhëna penalizuese për subjektin Qana, sa i përket kriterit të pasurisë. Seanca për shpalljen e vendimit ndaj tij u përcaktua për në datën 12 mars.
Por, në një njoftim të mëvonshëm, KPK informoi se seanca për shpalljen e vendimit për prokurorin Genc Qana do të shtyhej për në një kohë tjetër, duke dëshmuar se dy vjet hetime nuk i kanë mjaftuar për të arritur në një konkluzion të plotë.
– Olsi Xhavella, gjyqtar në Apelin e Korçës. Ai ishte pjesë e trupës në procesin gjyqësor, në të cilën u mor një vendim që i kushtoi lirinë koleges së tij, Mimoza Margjeka. SPAK nuk ka raportuar për ndonjë shkelje të mundshme penale të kryer nga ana e Xhavellës.
Gjyqtari i Apelit të Korçës u shortua për të nisur Vetingun në 18 Mars 2019. Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e përbërë nga Pamela Qirko, Brunilda Bekteshi e Roland Ilia hetuan plot dy vjet mbi Xhavellën dhe e thirrën në seancë dëgjimore në datën 26 Shkurt 2021.
Megjithëse presupozohet se periudha 2-vjeçare për verifikim është jo vetëm e mjaftueshme, por edhe tejet e gjatë, duket se KPK nuk ka qenë gati.
Trupa e rivlerësimit ka shtyrë dy herë seancën dëgjimore për gjyqtarin Xhavella dhe data e re, nës nuk ndryshon sërish, është 16 Mars 2021.
Gjatë muajit Mars, KPK ka vendosur “shtyrje për arsye objektive” seancën për shpalljen e vendimit edhe për dy subjekte të tjerë, konkretisht për gjyqtaret Dhurata Bilo dhe Marsela Pepi.
Trupa e përbërë nga Olsi Komici, Genta Bungo Tafa dhe Suela Zhegu kishte ftuar gjyqtaren Bilo për seancë dëgjimore për në datën 5 Mars 2021. Por, e shtyu për në datën 17 mars.
Po ashtu, trupa e Vetingut, e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj e Pamela Qirko vendosën që seanca për shpalljen e vendimit për gjyqtaren Marsela Pepi të zhvillohej në datën 3 Mars 2021. Por, sërish “për arsye objektive”, kjo seancë u shty për në datën 16 mars.
Rekordi “negativ” me Kolë Hysenaj
– Prokurori i Tiranës, Kolë Hysenaj, u shortua për t’u përfshirë në Veting në 18 Mars 2019. Ai u ftua në seancë dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Shtator 2020.
Trupa e rivlerësimit, e përbërë nga Pamela Qirko, Olsi Komici dhe Firdes Shuli, konstatuan një seri të gjatë problematikash mbi prokurorin, kryesisht të lidhura me kriterin e pasurisë.
Situatat e referuara nga trupa rivlerësuese krijonin bindjen se gjetjet mbi prokurorin Hysenaj mund të përmbanin elementë të mjaftueshëm që ndaj tij jo vetëm të vendosej shkarkimi, por edhe të niste hetimi penal.
Trupa e Vetingut vendosi paraprakisht që seanca për shpalljen e vendimit ndaj prokurorit Hysenaj të zhvillohej në datën 25 Shtator 2020.
Por, një njoftim paraprak, informoi publikun se kjo seancë do të shtyhej për një moment tjetër.
Kanë kaluar më shumë se 6 muaj dhe trupa e Vetingut nuk e ka vendosur se kur do të rimblidhet sërish për prokurorin Kolë Hysenaj.