Detaje të reja kanë dalë në dritë për sa i përket vrasjes së shtetasit Behar Sofia, ngjarje e cila ndodhi pranë Piramidës së Tiranës në datë 25 shkurt .
Vrasësit e 66 vjeçarit janë arrestuar ditën e djeshme dhe të përfshirë në këtë vrasje janë 4 persona: Ernejt Shyti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë, Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentativë, si dhe shtetasin Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
Ekzekutori dyshohet të jetë Ernejt Shyti, dëshmia e të cilit është zbardhur së fundmi, shkruan Faxweb.
“Me Xhuliano Vishën njihem prej shumë vitesh sepse jemi nga e njëjta zonë dhe ne jemi miq të ngushtë. Një muaj para se të ndodhte ngjarja Xhuliano Visha më kërkoi të takoheshim dhe më premtoi afro 50 mijë euro me qëllim që unë të vrisja një person. Ai më solli pistoletën dhe foton e personit që duhet të vrisja të cilit unë nuk ia dija emrin, por më thanë se duhet ta thërrisja me një nofkë që ata më dhanë. Duke qenë se nuk kisha prekur asnjëherë armë me dorë, bashkë me Xhuliano Vishën shkuam në zonën e Kërrabës, prej nga jemi me origjinë dhe bëmë disa herë qitje”.
Kështu e nis dëshminë e tij Ernejt Shyti, i dyshuar si ekzekutori i 66-vjeçarit Behar Sofia, mëngjesin e 25 shkurtit pranë Piramidës në kryeqytet. Në dëshminë e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, ai jep detaje për njerëzit që kishin organizuar krimin dhe e kishin rekrutuar për të kryer vrasjen, madje thekson se Skënder Vathi fillimisht ia kishte kërkuar që krimin ta kryente Xhuliano Visha, por ai nuk kishte pranuar sepse e kishte vëzhguar për një kohë të gjatë viktimën dhe kishte dyshime se 66-vjeçari Behar Sofia mund ta njihte dhe identifikonte atë dhe mund t’i shmangej e kështu të mos realizohej plani.
“E kemi ruajtur për afro 1 muaj viktimën dhe të gjitha lëvizjet e tij. Leonard Xhixha, të cilin unë e kam njohur përmes Xhuliano Vishës, ishte caktuar që të ruante lëvizjet e viktimës dhe do duhej që të më njoftonte mua në momentin që ai të dilte nga shtëpia. Unë kam lëvizur për ditë të tëra me radhë me pistoletën në xhep me qëllim që ta ekzekutoja 66-vjeçarin. Me ta komunikoja me një celular që më dha Skënder Vathi dhe në këtë celular unë kisha kontaktet e këtyre tre personave, Skënderit, Leonarit dhe Xhulianos.
Ditën e ngjarjes unë dola nga banesa ime që ndodhet midis rrugës “Bardhyl” dhe zonës së “Brrylit” me bicikletën që kisha vjedhur dhe u nisa drejt vendit ku ishte vendosur të ekzekutohej Behar Sofia. Jam afruar aty dhe në momentin kur Leonari më dërgoi mesazh se personi që duhej të vrisja sapo kishte dalë nga banesa, unë iu afrova dhe e qëllova. Plumbi i parë nuk shkrepi, më pas unë kam qëlluar dhe dy herë të tjera dhe me nxitim jam larguar. Me bicikletën që kisha vjedhur kam shkuar afër kodrave të liqenit, kamë lënë aty rrobat dhe më pas jam larguar në drejtim të Kërrabës, ku edhe kam qëndruar. Atje kam marrë një taksi dhe jam nisur në drejtim të Malit të Zi, të nesërmen pas ngjarjes. Në Mal të Zi unë punoj si punëtor krahu dhe në momentin që u arrestova isha duke shtruar pllaka në aeroport”.
Kështu deklaron Ernejt Shyti përpara hetuesve. Ai jep detaje për njerëzit që kishin organizuar krimin dhe e kishin rekrutuar për të kryer vrasjen, madje thekson se Skënder Vathi fillimisht ia kishte kërkuar që krimin ta kryente Xhuliano Visha, por ai nuk kishte pranuar sepse e kishte vëzhguar për një kohë të gjatë viktimën dhe kishte dyshime se 66-vjeçari Behar Sofia mund ta njihte dhe identifikonte atë dhe mund t’i shmangej e kështu të mos realizohej plani.
Sa kohë u vëzhgua viktima përpara se të ekzekutohej dhe si u zbuluan të dyshuarit?
Ka qenë një hetim mjaft profesional i prokurorisë së Tiranës, nën drejtimin e prokurorit prokurori Bledar Maksuti dhe sigurisht i ndihmuar nga ekspertët më të mirë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Sipas dëshmisë që ka dhënë personi i cili dyshohet si persekutor Ernejt Shyti, rezulton se të paktën një muaj është vëzhguar me detaje dhe të gjitha lëvizjet e Behar Sofisë, Skënder Vathi i cili konsiderohet si organizator i këtij krimi të rëndë e kishte shoqëruar disa herë Ernejt Shytin me qëllim që ta njihte nga afër viktimën.
Policia dhe prokuroria thonë se logohen të gjithë telefonat që mbanin personat e dyshuar në të njëjtin vend. Ndërkohë që përpos faktit që Skënder Vathi dhe Leonar Xhixha e kishin shoqëruar me automjetin e tyre të dyshuarin Ernejt Shyti që ta njihte viktimën. Edhe vetë ata kanë vëzhguar lëvizjet e viktimës. Një ditë përpara se Behar Sofia të ekzekutohej në një kamera sigurie shfaqet organizatori Skënder Vathi i cili qëndron në një tavolinë larg disa metra nga Behar Sofia, i cili sapo kishte kaluar COVID-19 dhe kishte filluar të lëvizte.
Kur Ernejt Shyti është larguar në drejtim të kodrave të liqenit pas vrasjes, ka lënë atje veshjen dhe celularin që ia kishte vënë në dispozicion Skënder Vathi, në këtë celular janë gjetur dy mesazhe që Leonar Xhixha ia dërgonte personit të dyshuar Ernejt Shytit. Përmes këtij celulari është loguar vendi ku banonte Ernejt Shyti. Ky i fundit ka dhe një vëllai binjakë me të cilin është thuajse identik. Për këtë arsye në momentet e para Policia e Tiranës ka shoqëruar vëllain e tij binjak sepse ADN e përftuar nga rrobat e gjetura tek kodrat e liqenit përkonte e përputhshme dhe me vëllain e tij binjak.
Por çfarë ka ndodhur?
Vëllai binjak
Vëllai binjak ndodhej në zonën e Krrabës dhe ka pranuar përpara hetuesve se përgjatë ditëve të fundit ai ndodhej tek babai i tij, sepse prindërit ishin të divorcuar dhe njëri qëndronte me nënën dhe tjetri me babain. Por ai ka deklaruar përpara hetuesve se ishte Xhuliano Visha një person me rekorde kriminale që kishte njohje miqësore me të vëllain. Më pas ai ka treguar dhe banesën ku vëllai i tij qëndronte me nënën dhe është marrë dëshmia e nënës së Ernejt Shytit, e cila ka deklaruar se ka dy djem binjakë, njërin prej të cilëve e ka në Mal të Zi ku punon si punëtor krahu dhe që rezultoi që ishte larguar në ditën pasi kishte kryer krimin. Më pas policia ka marrë ADN-në e nënës së Ernejt Shytit dhe e ka krahasuar me ADN-në e gjetur në rrobat e Ernejt Shytit. Duke qenë se ADN-ja ka rezultuar e përputhshme, vëllai binjak i Ernejt Shytit është liruar dhe përmes autoriteteve në Malin e Zi, në kohë rekord është bërë dhe ndalimi i tij dhe deportimi në Shqipëri, ku ai ka pranuar ngjarjen dhe ka dhënë detaje lidhur me personat që dyshohet se kanë urdhëruar këtë krim të rëndë. Sepse të gjithë personat e arrestuar janë vetëm organizatorë dhe kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal me pagesë dhe janë kontraktuar nga një tjetër grup i fuqishëm për të cilin është duke u hetuar për identifikimin.
Çfarë provash ka në dorë prokuroria?
Është një ndër dosjet e hetuara mirë. Në informacionet që Neës24 disponon përveç ADN-së që është një provë e pakundërshtueshme, rrëfimin e ekzekutorit, ka dhjetëra pamje filmike të kamerave të sigurisë ku shfaqen personat e dyshuar duke kontaktuar me njeri-tjetrin dhe duke bërë plane për ekzekutimin e Behar Sofisë. Ka pamje filmike të Skënder Vathit, ka lëvizje të automjetit të tij që është vëzhguar pas ngjarjes nga policia, ka deklarime nga vëllai binjak i Ernejt Shytit, të nënës së tij, deklarime të një pjesëtari të komunitetit rom, i cili është shoqëruar si i dyshuar dhe liruar më pas, i cili ka dhënë detaje rreth identitetit të autorit. Ka qeliza telefonike që provojnë faktin që personat e arrestuar janë takuar gjatë një muaj para se të kryhej vrasja, në disa vende të ndryshme. Po kështu ka pamje filmike të lëvizjeve të Xhuliano Vishës dhe Ernejt Shytit nga Tirana në drejtim të Krrabës dhe ndërkohë ka dhe lëvizje të tyre me autobusë të linjës. Janë të gjitha provat që në harmoni me njëra-tjetrën pohojnë katërcipërisht faktin se Ernejt Shyti është autori i ngjarjes, por dhe ai vetë e ka pranuar. Ka të gjitha provat se ky grup i strukturuar kriminal, nën organizimin e Skënder Vathit dhe bashkëpunim të Xhuliano Vishës që ka rekrutuar Ernejt Shytin por dhe të Leonar Xhixhës kanë ekzekutuar Behar Sofinë.
Përse u vra 66-vjeçari?
Sipas hetimeve të deritanishme, Behar Sofia që konsiderohet nga Policia e Shtetit si “baron i drogës” është vrarë për shkak të konflikteve të hershme për trafikun e heroinës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë dhe më pas në vendet e BE. Policia dhe Prokuroria është vënie në ndjekje të një grupi shumë të fuqishëm kriminal me të cilin Beha Sofia edhe pse ishte tërhequr nga aktiviteti kriminal dhe mbante një profil të ulët publik kishte hesape të pambyllura.