Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konkludon se gjyqtari i Apelit Tiranë, Shkëlqim Mustafa ka fshehur pasurinë, ka bërë deklarim të rremë dhe ka mungesë burimesh të ligjshme për pasurinë e deklaruar.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 13 janar të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Shkëlqim Mustafa, pasi u ngritën dyshime për veprime fiktive në shitjen e një apartamenti me qëllim justifikimin e pasurive të tjera, si dhe u konstatuan fshehje, deklarim i rremë, mosdeklarime dhe mungesë burimesh financiare për krijimin e pronave që zotëron. Mustafa u vlerësua pozitivisht për figurën dhe me nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.
Shkëlqim Mustafa e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si prokuror në Gjirokastër, pozicion që e ka mbajtur deri në ‘98-ën. Po atë vit është emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, ku e ka ushtruar detyrën deri në vitin 2010. Në vitin 2010, Mustafa u transferua si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa prej vitit 2013 e ushtronte funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Komsioni ngre dyshime se gjyqtari Mustafa ka kryer veprime fiktive në shitjen dhe blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 88.8 m2 në Gjirokastër me qëllim justifikimin e pasurive të krijuara më vonë. Si burim për blerjen e këtij apartamenti në vitin 2006 nga vjehrri, kundrejt shumës 3.7 milionë lekë, Mustafa ka deklaruar të ardhurat e krijuara nga shitja e një trualli dhe kredi në vlerën 3 milionë lekë.
Ai ka sqaruar se këtë apartament e ka shitur në gusht të vitit 2010 në vlerën 60 mijë euro dhe ka paraqitur në Komision një dokument nga ASHK-ja Gjirokastër, ku konfirmohet pagesa e detyrimit financiar në vlerën 441 mijë lekë.
I pyetur nga Komisioni lidhur me shkaqet e rritjes së çmimit të këtij apartamenti nga 3.7 milionë lekë në vitin 2006 në vlerën 60 mijë euro në 2010-ën, ai ka shpjeguar se çmimi i blerjes së apartamentit përfshinte edhe mobilimin, që ishte realizuar nga kunati para se subjekti ta blinte.
Komisioni konstaton se çmimi i blerjes së apartamentit në Gjirokastër nga subjekti në vitin 2006 është pak më i lartë se ai i referencës së zonës – ndërsa çmimi i shitjes në vitin 2010 në vlerën 60 mijë euro ka rezultuar pothuajse dyfish më i lartë nga çmimi i referencës së zonës.
Mustafa ka shpjeguar se çmimi i tjetërsimit nga ana e tij në vitin 2010 është bazuar në parimet e përgjithshme të vlerësimit të tregut që aplikoheshin në zonën përkatëse dhe se prona është tjetërsuar së bashku me mobilimin.
Për të mbështetur shpjegimet e tij, Mustafa ka paraqitur dy vendime gjykate që kanë pasur për objekt pjesëtimin e pasurisë bashkëshortore dhe ekspertët e gjykatës kanë vlerësuar për apartamentet me sipërfaqe të përafërta dhe në zona edhe më të dobëta se pallati i tij, një vlerë të përafërt me çmimin e shitjes.
Komisioni konstaton se çmimi i shitjes së këtij apartamenti në vitin 2010 është 221 % më i lartë se ai i blerjes dhe, njëkohësisht, disa herë më i lartë se çmimi i tregut.
“Në përfundim, lidhur me këtë pasuri, trupi gjykues i Komisionit krijon bindjen se çmimi i shitjes së këtij apartamenti dy herë më i lartë se ai i blerjes së tij dhe për më tepër me sende e orendi të kahershme, të cilat logjikisht duhet të ishin amortizuar dhe pa asnjë investim të kryer ndër vite, është përtej logjikës ekonomike”, konkludon Komisioni dhe ngre dyshime për veprime fiktive të gjyqtarit Mustafa në blerjen dhe shitjen e kësaj prone me qëllim justifikimin e burimit për krijimin e pasurive të tjera.
Sipas trupit gjykues, gjyqtari Mustafa gjendet në kushtet e deklarimit të rremë lidhur me këtë pasuri.
Nga deklarimet e subjektit ka rezultuar se shuma prej 38 mijë euro e mbetur nga çmimi i shitjes së apartamentit në gusht të 2010-ës, pas likuidimit të kredisë dhe blerjes së një automjeti, i është dhënë hua shtetasit B. N.
Në deklaratën noteriale të vitit 2011 të nënshkruar mes subjektit të rivlerësimit dhe huamarrësit përcaktohet se kjo shumë i është dorëzuar B.N. në tetor të vitit 2010 dhe se afati i kthimit të saj është brenda dy vjetësh, jo më larg se marsi i vitit 2013.
Në deklaratë është rënë dakord se kjo vlerë do të kthehet në dy mënyra nga B. N.: cash ose me shitjen e një apartamenti në një pallat që po ndërtohet në Tiranë. Në rastin e dytë përcaktohej se pjesa tjetër e pagesës që detyrohet të paguajë Mustafa për blerjen e apartamentit do të arrihet me një marrëveshje pasi të ketë mbaruar apartamenti.
Sipas deklaratave të B.N., vërehet se ai i ka kthyer Mustafës 10 mijë euro nga huaja 38 mijë euro, vlerë për të cilën subjekti ka deklaruar se një pjesë e ka përdorur dhe se pjesën tjetër e ka derdhur në bankë.
Gjyqtari Mustafa ka shpjeguar në deklaratën veting se ka paguar shumën 28 mijë euro z.B.N për një apartament banimi me sipërfaqe 126 m2, ndodhur në një pallat shumëkatësh në Tiranë. Ndërkohë, ka deklaruar se shuma tjetër do të likuidohet me kredi në momentin e hipotekimit të kësaj pasurie. Ai ka pretenduar gjatë hetimit administrativ se mungesa e hipotekimit të kësaj pasurie ka sjellë vonesën e marrjes së kredisë për mungesë kolaterali.
Mustafa e ka deklaruar për herë të parë këtë pasuri në deklaratën veting dhe ka shpjeguar se banon aty që prej datës 18 nëntor 2012, por nuk e ka pasqyruar këtë fakt në deklaratat periodike. Subjekti ka sqaruar se apartamenti figuron ende në pronësi të shoqërisë së ndërtimit për shkak të një procesi gjyqësor me pronarët e truallit, mes tyre edhe B. N..
Nga verifikimet ka rezultuar se nuk ka asnjë kontratë apo marrëveshje të deklaruar nga subjekti për blerjen apo porositjen e kësaj pasurie dhe KPK vëren se pretendimet e tij gjatë hetimit administrativ nuk rezultojnë të provuara në deklarimet periodike vjetore dhe as në ndonjë dokument të hershëm.
Në vendim thuhet se sipërfaqja e apartamentit që zotëron Mustafa aktualisht është ende në pronësi të shoqërisë ndërtuese, e bllokuar për shkak të konfliktit që ka me B. N.. Ndërkohë, sipas dokumenteve ka rezultuar se apartamenti në fjalë është me sipërfaqe 108 m2 dhe jo 126 m2, sa është deklaruar prej tij. “Duket se subjekti i rivlerësimit zotëron edhe një pasuri tjetër për të cilën nuk dihet origjina e saj”, citohet në vendim
Komisoni konstaton se çmimi prej 28 mijë euro i dhënë hua shtetasit B. N., i pretenduar si paradhënie për blerjen e këtij apartamenti në vitin 2010, është një çmim shumë herë më i ulët, krahasuar me vlerën e tregut për apartamentet në këtë zonë apo referuar çmimit të referencës si në vitin 2011 edhe në vitin 2013. Duke ju referuar çmimeve të EKB-së, Komisioni konkludon se vlera e këtij apartamenti është 16 milionë e 698 mijë lekë.
“Subjekti i rivlerësimit nuk deklaron në deklaratën Vetting dhe as në DPV detyrimin e tij për këtë apartament, që duket se e zotëron prej vitit 2011, përkundrejt një pagese shumë herë më të vogël se kostoja reale e kësaj pasurie”, konstaton trupi gjykues dhe shprehet se Mustafa ka kryer fshehje të kësaj pasurie ndër vite, se ka fshehur çmimin real, si dhe detyrimin real ndaj B. N..
Nga hetimi ka rezultuar se gjatë 7 viteve të fundit Mustafa ka përdorur një autmjet luksoz tip Benz të llojit Foristradë, të blerë në Gjermani në vlerën 38 mijë euro + dogana në shumën 828 mijë lekë, fakt që nuk e ka pasqyruar në deklaratën veting dhe as periodikisht.
Mjeti rezulton në pronësi I.M., djalit të vajzës së xhaxhait të subjektit, i cili ka deklaruar se është pronë e shtetasit B. M., që është djali i xhaxhait, me të cilin ka marrëdhënie të mirëfillta vëllazërore.
Ai ka shtuar se shtetasit Xh. M. dhe B. M. jetojnë familjarisht prej më shumë se 20 vjet në Mbretërinë e Bashkuar dhe meqë janë të pajisur me pasaporta angleze, kanë pengesë për nxjerrjen e targave në emër të tyre në Shqipëri.
Sipas subjektit, B. M., në vitin 2014 ka dëshiruar një automjet fuoristradë që ta linte në Shqipëri dhe ta përdorte për periudhën që vinin familjarisht në vendlindje dhe ka porositur të afërmin I.M. të blinte në Gjermani automjetin në fjalë dhe ta regjistronte në pronësi të vet.
Mustafa ka shtuar se B.M. ja ka dërgur lekët I.M. pjesërisht nëpërmjet bankës dhe pjesën tjetër në cash. Gjithashtu ka pohuar se B.M. nuk ka qenë fizikisht në Gjermani në momentin e blerjes, por se e ka përzgjedhur mjetin paraprakisht online në internet.
Në vendim thuhet se në shtator të vitit 2014, I.M. ka lëshuar autorizim për përdorimin e këtij mjeti brenda dhe jashtë vendit nga gjyqtari Mustafa, për një periudhë të pacaktuar kohe.
Sipas Komisionit, nga verifikimi i sistemit TIMS rezulton se shtetasi I.M. del shpesh jashtë vendit me automjet, por nuk rezulton ta ketë përdorur fuoristradën për të cilin i ka lëshuar autorizim për përdorim Mustafës. Edhe djali i xhaxhait të subjektit B.M., babai i tij Xh.M. apo kunati, nuk rezulton të kenë përdorur ndonjëherë këtë automjet, edhe pse kanë ardhur shpesh në Shqipëri dhe kanë përdorur automjete të tjera.
Ndërkohë, është konstatuar se subjekti i rivlerësimit e ka përdorur rregullisht dhe në mënyrë të shpeshtë automjetin në fjalë që më datë 20 shtator 2014, megjithëse ndonjëherë ka përdorur edhe automjetin në pronësi të tij.
Komisioni vëren se Mustafa nuk ka paraqitur asnjë dokumentacion provues se cili është pronari i automjetit, pasi shtetasi I. M. është zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar, por nga hetimi administrativ ka rezultuar se ky automjet vazhdon të përdoret rregullisht prej subjektit të rivlerësimit.
Sipas KPK, Mustafa nuk ka arritur të provojë me dokumentacion ligjor aftësitë financiare të B.M dhe I.M. për blerjen e këtij mjeti.
Në përfundim të hetimit ka rezultuar se Mustafa nuk e ka pasqyruar përdorimin e këtij mjeti as në deklaratat periodike dhe as në atë veting, megjithëse e ka përdorur rregullisht dhe në mënyrë të vazhdueshme për 7 vite.
“Në lidhje me mosdeklarimin tim të faktit të përdorimit të automjetit, i sqaroj trupit gjykues që ky fakt është pasqyruar dhe pohuar prej meje përgjatë hetimit administrativ, kam qenë i sinqertë dhe transparent”, ka pohuar Mustafa dhe ka pretenduar se prej verifikimeve të sistemit TIMS është provuar se I.M. e ka përdorur në katër udhëtime jashtë shtetit mjetin në fjalë.
Pavarësisht pretendimeve të Mustafës, trupi gjykues i KPK arrin në përfundimin se ai e ka fshehur këtë pasuri në deklaratën veting.
KPK konstaton se Mustafa nuk ka qenë i saktë në deklarimet vjetore dhe në atë veting edhe për adresat e banimit.
Nga analiza financiare për periudhën 2003 – 2016 ka rezultuar balancë negative në vlerën totale 752 mijë lekë.
Komisioni arrin në përfundimin se gjyqtari Shkëlqim Mustafa ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë dhe se ai nuk ka arritur një nivel të besueshëm në këtë kriter. /BIRN/