Nga BoldNews.al
Me një mbrojtje të dobët dhe tërësisht jo-efektive, avokati Ardian Visha i ka lehtësuar punën Këshillit të Lartë Gjyqësor për të marrë një vendim të pritshëm për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, pas kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Në seancën e zhvilluar këtë të Enjte para Këshillit të Lartë Gjyqësor, avokati Visha pranoi se gjyqtarja Hoxha ka kryer shkelje, duke përllogaritur gabim vitet e burgut të kryera nga shtetasi Hekuran Billa.
Një ish-i dënuar me burgim të përjetshëm, Billa u ekzekutua në qershor të vitit 2020, pasi fitoi fitoi lirinë falë disa vendimeve të gjyqtares së Krujës për ulje dënimi.
Avokati Ardian Visha paraqiti konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes, në të cilat theksoi se “rasti Billa, pavarësisht shkeljeve, është një kazus i vetëm dhe nuk mund të jetë shkak për shkarkimin e gjyqtarit nga detyra”.
Gjithashtu, në mungesë të argumentave ligjorë dhe procedurialë, avokati Visha ngriti dyshimin se fati i karrierës së gjyqtares Enkelejda Hoxha është vendosur nga raportimet mediatike për magjistraten, të cilat janë intensifikuar së fundmi, pas arrestimit të saj për një rast korrupsioni.
Ndërkohë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, u shpreh se, megjithëse mirëkupton të drejtën e mbrojtjes së gjyqtares Hoxha, megjithatë avokati Visha po tenton të bëjë pis një procedurë administrative.
Sipas Metanit, kërkesa për shkarkimin e gjyqtares së Krujës është bërë pas një inspektimi disa-mujor, një procedurë që është mbyllur para arrestimit të Enkelejda Hoxhës me urdhër të Prokurorisë Speciale (SPAK).
Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi dëgjoi argumentat përfundimtarë të palëve, vendosi të shprehet me vendim në datën 17 Mars 2021, në orën 10.00.
“Dështimi” i avokatit Visha
Mbrojtja e magjistrates Enkelejda Hoxha në procedurën për shkarkim nga detyra, sidomos pas arrestimit të saj për korrupsion, natyrisht nuk është një mision i lehtë.
Megjithatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor është një trupë disiplinore, e përbërë nga shumica gjyqtar dhe pjesa tjetër juristë të spikatur, të cilët e njohin procedurën gjyqësore dhe legjislacionin.
Natyrisht, edhe mbrojtja do të realizohet në shtratin e procedurës dhe aspekte të veçanta të saj, sidomos në rastet e ndjeshme të lirimit nga burgu të të dënuarve me burgim të përjetshëm.
Praktika ndërkombëtare, sidomos ajo e Strasburgut, ka një seri raste gjykimi për të drejtën e personave të dënuar me burgim të përjetshëm për të kërkuar lirimin e parakohshëm.
Po ashtu, gjykata europian ka edhe një praktikë të konsoliduar, në të cilën mbrohen gjyqtarët nga ato që mund të duken si ndërhyrje të papërshtatshme nga pushtete të tjera.
Por, siç rezultoi në seancat për gjyqtaren Hoxha përpara Këshillit të Lartë Gjyqësor, avokati Ardian Visha zgjodhi të merret me argumenta që lidhen me “ndikimin mediatik” dhe të tjera të ngjashme, duke iu shmangur thelbit.
Në pikën e vetme, kur Visha u rikthye në “fushën” e procedurës, bëri një autogol të madh, duke i siguruar klientes së tij një humbje thuajse të sigurt.
Ai pranoi se, në rastin e Hekuran Billës, gjyqtarja Hoxha ka gabuar me përllogaritjet e vuajtjes së dënimit.
Duke marrë në konsideratë pasojën e këtij vendimi, pra ekzekutimin e shtetasit Billa pak kohë pasi doli nga burgu, atëherë duket qartë se ajo që avokati Ardian Visha e kishte si “argumentin më të fortë”, në fakt është edhe “dështimi më i madh” i tij në këtë proces.
Visha, një ish-zyrtar i lartë prokurorie dhe që gjatë viteve të fundit ka shërbyer si avokat i disa prej eksponentëve më të rëndësishëm të asaj që quhet “Malavita” shqiptare, duket se e ka më të thjeshtë të kryejë mbrojtjen kur e gjen “terrenin” e gatshëm.
Një rast i tillë është “suksesi” i tij si avokat në mbrojtjen e Agron (Geron) Xhafaj, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili u akuzua publikisht se vijonte aktivitetin e paligjshëm të trafikut të drogës, një veprimtari kriminale për të cilën ishte dënuar më herët në Itali dhe aktualisht po e vuan burgimin.
Në procesin “Geron”, avokati Visha shërbeu vetëm si “ndërmjetës” mes Fatmir Xhafës dhe prokurorit të çështjes, i përzënë tashmë nga Vetingu, Gentian Osmani, për të tjetërsuar provat në ngarkim të vëllait të Ministrit të Brendshëm të asaj kohe.
Dhe, natyrisht, në një proces gjyqësor, kur i gjithë sistemi i drejtësisë ishte nën kontrollin e qeverisë së Fatmir Xhafaj, vëllai i tij nuk kishte sesi të gjendej fajtor. Ky është “suksesi” i avokatit Ardian Visha.