Kastrioti luan sot në transfertë kundër Skënderbeut. Në prag të kësaj sfide, trajneri i krutanëve, Ramadan Ndreu, në një prononcim para sfidës me korçarët foli për objektivat e skuadrës së tij. Kastriotasit përballen me Skënderbeun për të marrë vetëm tri pikët.
Shkalla e vështirësisë në këtë ndeshje– Skënderbeu është një kundërshtar mjaft i vështirë dhe e ka ndeshjen e jetës. Neve na del për detyrë të marrim 3 pikët dhe për këtë do të shkojmë në Korçë. Kampionati është ndarë në dy grupe, janë skuadra që luftojnë për mbijetesën dhe janë më shumë se gjysma që duan zonën e UEFA-s. Të gjitha këto e kanë rritur nivelin dhe është shumë e vështirë t’i përballosh. Shkojmë në Korçë me këta djem për të marrë maksimumin dhe kam besim te grupi i lojtarëve të mi.
Arbitrimi në këtë sezon- Deri tani arbitrimi ka qenë shumë i mirë dhe shpresoj që të vazhdojë kështu. Ajo që doja të thosha unë, duke marrë shkas nga disa gjëra të vogla që ndodhën javën e shkuar, duke qenë se ka qenë shumë korrekt deri tani, të mos kompensojnë dhe duke pasur eksperiencën e viteve të shkuara. Në momentin që një ekipi i kanë ngrënë diçka, kërkojnë që t’ia kompensojnë në ndeshjen e radhës. Kërkoj nga sektori që të vazhdojë punën e mirë që ka bërë deri më tani.