Drejtori sportiv i Partizanit Olsi Rama mbrojti lënien golit të Kukësit si shenjë “fair-play” pasi mesfushori i “demave “Valentino Murataj shënoi më herët kur njëri prej mbrojtësve të Kukësit ishte shtrirë në zonën e tij.
Në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në “RTSH Sport”, Rama theksoi se 16-herë kampionët e Shqipërisë kanë garë me veten duke theksuar se skuadra lufton për t’u përmirësuar në vazhdimësi.
Më tej, ai u shpreh se kjo skuadër aktuale e Partizanit i kujton ekipin kampion të sezonit 2018-2019 duke iu referuar motivimit dhe përkushtimit të futbollistëve në fushë.
“Fitorja dhe goli ‘fair-play’ për Kukësin – Të them të drejtën kur zbrita në dhomat e zhveshjes, u thashë lojtarëve që kjo fitore ka vlerën e katër pikëve, ose 3 plus një, se nuk ishte vetëm në fushën e lojës, por edhe se Partizani është klub i madh, respekton kundërshtarët, bukurinë e futbollit. Të gjithë e keni parë gjestin në fund. Jam i surprizuar nga disa komente jo dashamirëse që kam dëgjuar.
Të them të drejtën prisja përgëzime në raport me atë që ndodhi, duke lejuar Kukësin të shënonte gol, duke përfituar në një moment dobësie të kundërshtarit. Murataj bëri detyrën, përfitoi në atë fraksion sekonde e pastaj me gjakftohtësinë e duhur, stafi mori vendim kolegjial që Kukësi të shënonte, që të mos kishte dyshim që Partizani do të pretendonte të fitonte në mënyrë të pandershme. Është fitore morali, fitore e një ekipi që po fillon të bëhet i vetëdijshëm për forcën e vet në fushë.
Vendimi është marrë nga stafi teknik në fushë, kanë pasur një minutë më tepër se sekonda e Muratajt, që duhej të vendoste çfarë të bënte me topin. Një lojtar që është në transin agonistik që të bëjë maksimumin dhe ka marrë maksimumin duke bërë detyrën. Stafi ka eksperiencë dhe ka vendosur bashkërisht për të bërë këtë e për të treguar që Partizani respekton në radhë të parë futbollin e vetveten, që të mos kontestohet.
E përshëndes si drejtor, ndoshta ka tifozë që në atë moment e kanë cilësuar jo të duhur, se duan të fitojnë 4 apo 5-0. Por ne si Partizan duam që sporti të bashkojë, edukojë, të japë shembull. Përgëzoj stafin për vendimin që mori dhe lojtarët. Ne do të shkojmë të stërvitemi, do të shtrëngojmë duart me lojtarët e Kukësit, është normale dhe e kemi treguar.
Gjëra si këto në futboll janë të pakta, mendoj se shkojnë përtej sportit dhe është pak a shumë i gjithë motivi i lojës, mesazh që duhet dhënë. Mesazhi është që duhet respekt.
Këtë gjë që kemi bërë ne sot e kanë bërë edhe shumë të tjerë, por edhe Di Kanio që është ndëshkuar shumë herë për sjelljen e tij. Fitorja është e rëndësishme, por më e rëndësishme është loja e ndershme.
Merkato dhe Çinari? Ne e kemi filluar punën që ditët e para të gushtit dhe kemi punuar me ata lojtarë që kishim. Në momentin kur u bë pak drejtësi me çështjen Çinari përfituam dhe sollëm cilësi në skuadër. Do t’u vijë koha të gjithëve për të luajtur. Ferhan Hasani është vlerë e shtuar dhe ndihmon si në fushë dhe jashtë saj. Do të presim që Hasani të arrijë formën e tij më të mirë që të luajë në fushë. Në fitoren e sotme unë do të veçoja sot dy mbrojtësit, Bitri-Belica, por edhe Brojën që është i rëndësishëm në formacionin e Dajës.
Ecuria? Nuk ka asnjë distancë që nuk rikuperohet. E kam thënë që ne kampionatin e kemi me veten tonë dhe nëse përmirësohemi, me siguri rezultatet do të vijnë. Skuadra është bërë e ndërgjegjshme për forcën që ka dhe më krijon atë ndjesinë e Partizanit kampion. Kemi ndeshje të vështira dhe ajo me Laçin është një ndeshje kyçe. Duhet të vlerësojmë çdo ndeshje se pas Laçit vjen Apolonia që na mori një pikë në Elbasan.
Tjetër fitore ndaj Kukësit- Është një rastësi që kemi fituar 3 herë me Kukësin, unë do të doja që skuadra të përqendrohet gjithmonë si në derbi dhe ndaj Kukësit. Këto ndeshje i motivojnë lojtarët. I kemi merituar fitoret ndaj tyre. Kukësi ka një skuadër me cilësi dhe ardhja e Josës ka një impakt tjetër. E filluam ndeshjen mirë, por një skuadër nuk mund ta mbajë gjithmonë ritimin, por mendoj se e kishim ndeshjen nën kontroll gjithmonë.
Krijuam raste në pjesën e parë dhe ne të dytë e shënuam gol me asnjë aksion model që nisi që nga mbrojtja. Kur rezultati është 1-0 normale që kundërshtari të sulmon më shumë, por ne u treguam të kujdesshëm për t’i goditur me kundërsulme. Është herët për të folur për gjendjen e Stenio Xhunior pasi nesër do të bëjë analizat për të parë se çfarë ka. Mendoj se ndeshjen ndaj Laçit e ka të humbur./CNA.al