Pushoi hetimet për “Fusha-Mazniku”, gjykata detyron SPAK-un të fillojë hetimet për gjyqtarin Sokol Tona

Nga Boldnews.al

Kur bëhet fjalë për çështje që përfshijnë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj e vartësit e tij, edhe Prokuroria Speciale (SPAK) duket se nuk ka guxim që të zhvillojë hetime.

Kjo u dëshmua në Dhjetor 2020, kur prokurorët e SPAK-ut vendosën mosfillimin e procedimit penal për gjyqtarin Sokol Tona, i kallëzuar nga Aleancë për Mbrojtjen e Teatrit për “korrupsion”, pasi vendosi pushimin e hetimeve për nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku dhe biznesmenin Shkëlqim Fusha.

Por, ky vendim mosfillimi u rrëzua këtë të Premte nga Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila urdhëroi SPAK-un të regjistrojë procedimin penal dhe të kryejë veprimet e nevojshme hetimore pas kallëzimit kundër gjyqtarit Tona.

Vendimi i Gjykatës së Apelit u bë i ditur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në një postim në rrjetet sociale.

Historia

Në Shtator 2019, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dorëzoi në prokurorinë e Tiranës një kallëzim kundër Maznikut dhe biznesmenit Fusha, për korrupsion pasiv dhe aktiv.

Në thelb të kallëzimit qëndronte fakti që Shkëlqim Fusha, pronar i një prej kompanive që ka fituar më shumë tendera në Bashkinë e Tiranës,“Fusha” shpk, kishte paguar udhëtimin dhe qëndrimin në Spanjë të Arbjan Maznikut dhe disa vartësve të tjerë të Erion Veliajt.

Në Shkurt 2020, prokuroria e Tiranës kreu hetimet dhe kërkoi nga gjykata pushimin e çështjes, me argumentin se nuk ekzistojnë elementë e veprave penale.

Kjo kërkesë e prokurorisë u pranua nga gjyqtari i Tiranës, Sokol Tona, në Shtator të vitit 2020.

Pas këtij vendimi, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kallëzoi penalisht në SPAK, gjyqtarin Sokol Tona për “korrupsion pasiv” dhe “shpërdorim detyre”.

LEXO EDHE  Basha: 25 Prilli është dita e ndryshimit

Prokuroria Speciale, e ngritur posaçërisht për hetimin e korrupsionit në nivelin e lartë të administratës dhe në drejtësi, vendosi mosfillimin e procedimit penal.

Më thjesht, nuk kreu asnjë veprim hetimor. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk u tërhoq dhe e ankimoi vendimin e mosfillimit të hetimeve për gjyqtarin Sokol Tona në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Kjo gjykatë e konsideroi të drejtë vendimin e SPAK-ut për mosfillimin e procedimit penal. Aleanca vijoi luftën e saj dhe e ankimoi vendimin në Gjykatën Speciale të Apelit.

Një treshe e kësaj gjykate i konsideroi të drejta pretendimet e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Në vendimin e shpallur këtë fund-jave, Apeli Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi:

“Shfuqizimin e vendimit të prokurorit (për mosfillimin e hetimeve), duke urdhëruar Strukturës e Posaçme Kundër Korrupsionit të regjistrojë në regjistrin e njoftimeve të veprave penale, procedimin penal në lidhje me veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, duke kryer edhe hetimet e nevojshme në lidhje me këtë procedim, sipas drejtimit të përcaktuar në pjesën arsyetuese të këtij vendimi”.

Në bazë të këtij vendimi, tashmë SPAK-u është i detyruar të kryeje veprimet e nevojshme proceduriale, përfshirë pyetjen e personave që kanë lidhje me rastin.

Vendimi i Gjykatës së Apelit Kundër Krimit të Organizuar, nga njëra anë i hapi rrugën hetimit të kallëzimit të Aleancës për Mbrojtjen nga Teatri dhe nga ana tjetër korrigjoi një vendimmarrje të gabuar të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion.