Paradoksi i KPK/ Henrik Ligori përjashtohet 15 vjet nga Drejtësia, lejohet si pedagog i Magjistraturës

Nga Boldnews.al

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në një konkluzion tejet të diskutueshëm, kur, krahas vendimit se ish-prokurori i dorëhequr Henrik Ligori duhet të ndalohet për të qenë pjesë e gjyqësorit për 15 vjet, ai ndërkohë është i lirë të vijojë funksionin e pedagogut të Shkollës së Magjistraturës, një institucion i cili është gjithashtu pjesë e sistemit të drejtësisë.

Trupa e përbërë nga kryesuese Suela Zhegu, relatore Alma Faskaj dhe anëtare Etleda Çiftja njoftoi të Hënën e kësaj jave se ka vendosur të ndërpresë procesin e rivlerësimit (Vetingut) për ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, Ligori, për shkak se ai ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i magjistratit.

Në bazë të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por edhe të dokumentave të siguruara dhe publikuara më herët nga “Boldnews.al”, Ligori ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i prokurorit dhe, rrjedhimisht edhe nga statusi i magjistratit, në Korrik 2018.

Ligji e ka të parashikuar shprehimisht se, për rastet e dorëheqjeve pas nisjes së procesit të Vetingut, KPK aplikon menjëherë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit dhe urdhëron ndalimin për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë për një periudhe 15-vjeçare.

Por, në rastin e ish-prokurorit Ligori, KPK ka marrë më shumë se dy vjet për të dalë në këtë konkluzion, i cili, gjithësesi, ka disa pika të errëta dhe që duket se favorizojnë sërish ishy-magjistratin e dorëhequr.

Nga dorëheqja në dorëheqje

Henrik Ligori ishte prokuror pranë Krimeve të Rënda, kur hyri në fuqi dhe nisi zbatimi i ligjit për Vetingu. Ai ka dorëzuar formularët përkatës të rivlerësimit në fillim të vitit 2017, siç konstatohet në vendimin e zbardhur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit

Në Korrik 2018, Henrik Ligori i paraqet dorëheqjen ish-Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, e cila në atë kohë mbulonte edhe funksionet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që nuk ishte krijuar ende.

Në letrën e dorëheqjes, Ligori argumenton se po e ndërmerr këtë veprim, pasi është emëruar pedagog i brendshëm në Shkollën e Magjistraturës.

Në 4 Korrik 2018, Prokuroria e Përgjithshme pranon dorëheqjen e Ligorit dhe njofton Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për përfundimin e statusit të tij të magjistratit.

Siç lexohet në vendim e KPK-së, në të njëjtën ditë, pra në 4 Korrik 2018, Henrik Ligori kërkon që ndaj tij të zhvillohet Vetingu, por kësaj radhe si ish-magjistrat.

Ligji parashikonte që mund të kryhet procesi i Vetingut për ish-gjyqtarë e ish-prokurorë, të cilët kishin mbajtur këto funksione para hyrjes në fuqi të ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Rasti i Ligorit nuk përfshihej në atë kategori. Ai kishte qenë prokuror në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit dhe dorëheqja e tij duhej shoqëruar me ndërprerjen e Vetingut dhe ndalimin për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Por, KPK nuk veproi sipas përcaktimeve ligjore. Dy vjet më pas, në Qershor 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se kishte shortuar trupën që do të zhvillonte Vetingut për Ligorin.

Në nëntor 2020, KPK i dërgon pyetësorin standart subjektit Henrik Ligori, ku i kërkohet konfirmimi për saktësinë e të dhënave të plotësuara në formularët e Vetingut.

Në 22 nëntor 2020, ish-prokurori Ligori informon sërish Komisionin e Pavarur të Kualifikimit se ka dhënë dorëheqjen në vitin 2018 dhe konfirmon se nuk dëshiron që ndaj tij të vijojë procesi i rivlerësimit.

Ai duket se është bindur që nuk mund të ndiqte më rrugën e rivlerësimit si ish-prokuror.

Kërkesa ime për t’iu nënshtruar këtij procesi si ish-prokuror, sipas paragrafit 4, të nenit 179/b, të Aneksit, duket se nuk gjen zbatim, pasi në çastin e hyrjes në fuqi të normave të sipërcituara, unë e gëzoja statusin dhe ushtroja efektivisht funksionet e prokurorit pranë ish-Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë”, i drejtohet Ligori, KPK-së.

Në këtë pikë, situata merr trajta surreale. Subjekti rivlerësimit i prezanton Komisionit të Vetingut bazën ligjore, mbi të cilën ky i fundit duhet të kishte dalë me vendim që dy vjet më parë, si edhe zbulon handikapet në funksionimin e KPK-së.

LEXO EDHE  U kap në fermën e kanabisit, shqiptari dënohet me 16 muaj burg/ Emri

Aty dëshmohet zyrtarisht dhe formalisht se KPK, jo vetëm nuk e ka marrë në konsideratë dorëheqjen në vitin 2018, por edhe e ka përfshirë në proces rivlerësimi si ish-magjistrat, ndërkohë që Ligori nuk mund të gëzonte këtë mundësi ligjore.

Trupa e Vetingut nuk tërhiqet. Nëpërmjet shkresave drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), kërkohet konfirmim nëse Henrik Ligori e gëzon ose jo statusin e magjistratit.

Prokuroria e Përgjithshme ri-konfirmon faktin se, prej dy vjetësh, ka njoftuar Komisionin e Vetingut për përfundimin e statusit të magjistratit të Henrik Ligorit.

Ndërsa KLP informon Komisionin e Vetingut se, kur është krijuar si institucion, emri i Ligorit nuk ekzistonte në listën e prokurorëve në detyrë.

Pasi u konfirmua dorëheqja nga funksioni i prokurorit. KPK mori në shqyrtim edhe faktin nëse Henrik Ligori gëzonte statusin e magjistratit, tashmë që mban detyrën e pedagogut të Shkollës së Magjistraturës.

Megjithëse përgjigja është logjike, pasi dorëheqja nga funksioni i prokurorit shoqërohet pazgjidhshmërisht me humbjen e statusit të magjistratit, trupa e KPK-së e ka vlerësuar të nevojshme për ta analizuar në detaje.

Dhe, në konkluzion, u arrit se zoti Ligori nuk e ka statusin e magjistratit. Por, analiza e ndjekur nga KPK duket se ka pasur qëllimin për të qartësuar pozitën e re të Ligorit, atë të pedagogut në Shkollën e Magjistraturës.

Lejimi si pedagog i Magjistraturës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se Henrik Ligori është zgjedhur në Shkollën e Magjistraturës nëpërmjet procedurave të brendshme, pra jo nga radhët e sistemit të drejtësisë.

…Procedura e emërimit të z. Henrik Ligori, nuk ka qënë ajo e parashikuar në nenin 265 të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” (për emërimet si pedagog nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, shën.red) dhe fakti që subjekti sot është pedagog i brendshëm referon se këta të fundit gëzojnë të drejtat dhe privilegjet e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit dhe jo statusin e gjyqtarit të apelit”, thuhet në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Nëpërmjet kësaj analize, KPK, ka arritur përfundimisht në konkluzionin se Henrik Ligori e ka humbur statusin e magjistratit për shkak të dorëheqjes si prokuror dhe për këtë arsye ai duhet të ndalohet për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Megjithatë, një konstatim i tillë është i paplotë. Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” e konsideron Shkollën e Magjistraturës pjesë të arkitekturës së drejtësisë, ku përfshihen edhe lista e institucioneve që z/ Ligori i ndalohet të kandidojë për 15 vjet.

I njëjti ligj, në nenin 285 të tij, parashikon se pedagogët e brendshëm të Shkollës së Magjistraturës duhet të kalojnë me sukses procesin e rivlerësimit para se ata të vijojnë detyrën në atë institucion.

Në rastin e z. Ligori, Komisioni i Pavarur ka bërë një interpretim të përciptë normave ligjore mbi statusin e magjistratit, por ka shmangur faktin se ai, edhe në pozitën e pedagogut të Shkollës së Magjistraturës, është subjekt Vetingu.

Me këtë vendim, KPK krijoi një situatë paradoksale, në të cilën Ligori lejohet të kontribuojë në përgatitjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, ndërkohë që ai vetë nuk nuk ka kaluar me sukses procesin e Vetingut.

Dhe, të paktën në aspektin e pasurisë, mbi Henrik Ligorin janë ngritur pikëpyetje të rëndësishme publike.

Në një raportim të agjencisë “Birn”, e cila ka analizuar pasurinë e ish-prokurorit Ligorit, duket\ se ai ka probleme të theksuara me burimin e krijimit të aseteve, duke rezultuar me burime të pamjaftueshme për krijimin e aseteve në vlerë mbi 11 milionë lekë të reja (100 mijë dollarë).

Analiza e “Birn”, megjithëse është një përpjekje serioze mediatike, nuk është institucionale.

Konkluzionet zyrtare u takojnë strukturave të rivlerësimit, përfshirë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, institucionin e Komisionerëve Publikë dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.